s-h 1, 2020

STUDIME HISTORIKE (1-2), 2020

Autori: Grup autorësh
Publikoi: Botimet Albanologjike
Nr. i faqeve: 284
Gjuha: Shqip
Viti i botimit: 2020

Revista Studime historike është një ndër platformat kryesore të mendimit shkencor shqiptar në fushën e shkencave historike. Theksojmë se gjatë 57 viteve të jetës së saj, ka nxjerrë rregullisht katër numra çdo vit, duke botuar 2512 studime shkencore në trajtën e artikujve e materialeve historike.
Këtë vit, revista Studime historike nr. 1-2, 2020, vjen me 9 artikuj shkencorë, 2 kumtesa, një grup dokumentesh të reja për vitet 1348-1350, recensionin e një botimi të ri shkencor si dhe nekrologjinë kushtuar profesorit të ndjerë Izbir Hoti. Edhe në këtë numër, artikujt dhe materialet e botuara sjellin kontribute të reja në fushën e historisë së popullit shqiptar, në vijim të traditës së vyer të krijuar ndër vite.
Autori Edmond Malaj paraqitet me artikullin shkencor: “Mjeshtërit dhe zejtarët shqiptarë në Raguzë gjatë Mesjetës”. Përmes tij, jepet një përmbledhje e detajuar e zejeve, profesioneve, mjeshtrave dhe zanatçinjve shqiptarë që ushtruan veprimtarinë e tyre në Raguzë gjatë shekujve XIV dhe XV.
Bedri Muhadri sjell artikullin: “Kosova në kuadrin e Principatës së Balshajve”. Autori jep një panoramë të gjerë në lidhje me drejtuesit kryesorë, shtrirjen e këtij formacioni mesjetar si dhe ngjarjet kulmore të saj, duke u ndalur në vitet ’80 të shek. XIV.
Eduart Caka vjen me artikullin “Tipologji të një qyteti kufitar: Durrësi gjatë dy shekujve të parë të sundimit osman (shek. XVI-XVII)”. Autori merr në studim rastin e Durrësit, duke theksuar se në shekujt XVI-XVII, Durrësi hyri në një periudhë qetësie dhe filloi rimëkëmbjen e tij.
Alvin Saraçi paraqet artikullin “Roli i konsullatës veneciane të Durrësit në mbrojtje të interesave ekonomike të Venecies në fillim të shek. XVIII”. Ai jep një tablo të veprimtarisë së konsullatës veneciane të Durrësit. Autori shkruan se në shek XVIII, Durrësi u kthye në një vend kryqëzimi për mallrat që vinin nga i gjithë Ballkani, sa ai krahasohej me Izmirin.
Romeo Gurakuqi vjen me artikullin “Mbi caktimin e kufirit ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë”. Artikulli trajton historinë e kufijve shtetërorë të vendosur midis Principatës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Greqisë. Autori sjell një analizë komplekse të çështjes në studim, përmes ndërthurjes ndërdisiplinare të historisë kombëtare dhe asaj ballkanike me historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, ligjin për detin dhe shkencën politike.
Fitim Rifati sjell artikullin: “Sinkroni e krimeve serbe në Moravë të Epërme (shtator-dhjetor 1913)”. Autori merr si rast studimi, krimet e kryera nga Mbretëria Serbe ndaj shqiptarëve në rajonin e Moravës së Epërme, si parathënie e krimeve serbe ndaj shqiptarëve në përgjithësi. Përmes analizës të burimeve shqiptare, serbe dhe austro-hungareze, autori krahason të dhënat, duke nxjerrë përfundime të besueshme mbi të vërtetën historike.
Sali Kadria vjen me artikullin: “Çështja e Shën Naumit gjatë vitit 1923 – Qëndrimi i Fuqive të Mëdha dhe i qeverisë së drejtuar nga Ahmet Zogu”. Autori shkruan se në vitin 1922, qeveria britanike i doli në krah palës jugosllave për çështjen e Shën Naumit, ndërsa gjatë vitit 1923, qeveria franceze mbështeti hapur shtetin jugosllav. Në artikull theksohet se gjatë vitit 1923, Kryeministri Ahmet Zogu mbajti një qëndrim në mbrojtje të vendimit që Shën Naumi duhej t’i përkiste Shqipërisë.
Hasan Bello sjell artikullin: “Komuniteti mysliman shqiptar në vitet e Luftës së Dytë Botërore (1939-1944)”. Autori shkruan se pushtimi italian krijoi një situatë mjaft të vështirë për KMSh dhe shqiptarët myslimanë, ndërsa gjatë pushtimit nazist, autoritetet gjermane nuk patën kohë, për të ndërhyrë në problemet e administratës dhe të menaxhimit të KMSh.
Gjon Boriçi paraqet artikullin “Varësia e mbijetesës ekonomike të Shqipërisë nga ndihmat dhe kreditë e Kampit Socialist dhe të Republikës Popullore të Kinës (1956- 1962)”. Autori shprehet se gjatë gjysmës së dytë të viteve ’50 dhe në fillim të viteve ’60 kreditë e marra nga jashtë u keqpërdorën nga shteti shqiptar, pasi iu dha përparësi pothuajse absolute sektorit të industrisë së rëndë dhe kjo shkatërroi fuqinë ekonomike të vendit.
Në këtë numër të revistës kemi dy kumtesa të publikuara përkatësisht nga Beqir Meta me titull: “Ndikimi i Luftës së Vlorës në zhvillimet e brendshme në Shqipëri” dhe nga Marenglen Verli, “Çështja e Kosovës në Parlamentin Shqiptar (1920-1924)”.
Në rubrikën “Dokumente”, Edmond Malaj, sjell disa “Dokumente në lidhje me klerikët shqiptarë në shërbim të pelegrinazhit gjatë kohës së murtajës në vitet 1348-1350 në Raguzë”.
Në këtë numër të revistës kemi gjithashtu, recensionin e përgatitur nga Marenglen Verli për botimin me titull: “Aliu midis historisë dhe legjendës”, shkruar nga profesor Petrika Thëngjilli, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Tiranë: 2019, 1010 f.
Në nderim të punës dhe kontributit shkencor të studiuesit dhe kolegut tonë nga Kosova, profesor Izbir Hoti, i cili u nda nga jeta në tetor 2020, profesorët M. Verli, B. Meta, S. Syla i kanë kushtuar njё hapёsirё tё veçantë jetёs dhe veprës së tij.