a.duro

STUDIME GJUHËSORE 2

Autori: Agron Duro
Publikoi: Botimet Albanologjike
Nr. i faqeve: 216
Gjuha: Shqip
Viti i botimit: 2020

Përmbledhja “Studime gjuhësore”, II, Tiranë, 2018 me autor prof. Agron Duron, një personalitet i zëshëm në terminologjinë shqiptare vjen në auditorin shkencor jo vetëm me informacione e qëndrime shkencore për disa probleme teorike që trashëgohen nga teoria terminologjike deskriptive, por njëherazi shpërfaq edhe përpjekjet, punën serioze dhe vizionin e tij për disa dukuri domethënëse terminologjike në gjuhën e ligjërimin shqip.
Nga një vështrim i përgjithshëm, vëren se kjo përmbledhje përmban në strukturën e vet studime dhe artikuj ku u çelet shtegu përmbajtjes dhe postulateve e shkollës terminologjike të Vysterit, triadës semiotike objekt-koncept-denotacion(signe), pikëvështrimeve bashkëkohore për termin dhe njësinë terminologjike, njësinë frazeologjike, njësive togëfjalëshe dhe dysorëve terminologjikë… etj. Interesat shkencore të këtij studiuesi shtrihen edhe në disa çështje semantike e leksikografike, si diferencimi semantik i njësive leksikore, nevoja e hartimit të një fjalori të anglicizmave në shqipe, të cilat nuk mund të mendohen të shkëputura nga lëmia e tij më e preferuar.
Një nga aspektet themelore të terminologjisë është perceptimi se koncepti përshkruhet me anë të një përkufizimi gjuhësor. Ky i fundit është konsideruar në terminologjinë moderne si “një mikrosistem i përbërë nga një tërësi elementesh dhe lidhjeve që formohen midis tyre”
Në këtë hapësirë merr udhë edhe punimi ” Përkufizimi i termit dhe kufijtë e tij,”pjesë e disertacionit “Sistemet terminologjike dhe dysorët terminologjikë në rrafshin e fjalëformimit të gjuhës shqipe, të përqasur edhe me italishten, anglishten dhe rusishten ” Tiranë, 1983.
Si njohës i mirë i disa shkollave terminologjike(sidomos asaj austriake) terminologu A. Duro për rrokjen dhe perceptimin e përpiktë termave, vlerëson marrëdhëniet që vendosen midis objektit, konceptit, përkufizimit. Autori pasi përshkruan mënyrën e shpërfaqjes së disa elementeve të rëndësishme të triadës semiotike: veçoritë e një objekti a dukurie që shprehen me anë të njësive logjike bazë(tipareve të konceptit sipas autorit), dhe këto të fundit sendërtohen falë lidhjeve semantike që ndeshen në strukturën e termave (semat e përgjithshme, specifike dhe të kontekstit) pohon se përkufizimi është “… fakt i domosdoshëm i ekzistencës dhe funksionimit të termit”
Për të shpjeguar rëndësinë e elementeve që zbulojnë termin në mënyrë të përgjithshme (ku koncepti i gjinisë më të afërt merr rëndësi më të madhe) dhe në vijim të detajuar(falë hallkave ndërmjetëse), ai e ilustron mendimin e vet me konceptin “bulon”. Ky koncept futet fillimisht në rrethin e konceptit “detal”, i cili krijon asociacion me secilën nga pjesët e një makine (bosht, vidhë, dado, etj.), por sipas lidhjeve logjike të mëtejshme, të cilat sendërtohen me anë të njësive semantike të tjera të përgjithshme e semave të veçanta, si: “ lidhës”, “në formën e shufës” “i filetuar”, “me kokë” bëhet diferencimi, detajimi dhe mbyllja e përkufizimit të termit “bulon”.
Në artikullin “Reflekse të studimeve teorike të terminologjisë në praktikën e hartimit të fjalorëve terminologjikë prof. Duro merret me postulatet e teorisë së E.Vysterit [sipas veprës “Standardizimi teknik”.]. Për të, merr rëndësi të dorës së parë ekuacioni term – koncept brenda një fushe dije. Sipas kësaj dikotomie, janë veçuar disa fjalorë terminologjikë të gjuhës sonë [Fjalori e Bindonit(1935), kodi terminologjik i N. Qafzezit, “Fjalor i bujqësisë” (shqip-latinisht-italisht-shqip), Tiranë, 1978] etj. dhe më tej janë treguar rrugët përmes të cilave është arritur barazia term-koncept në fjalorët terminologjikë të hartuar deri më sot: Mbështetja në fusha të ngushta të dijes(Anatomi: kokë, buzë, qafë, këmbë, sy (sy (njeriu); identifikimi në një fushë të gjerë dije të termave që i përkasin nënfushave në nivel fushash të afërta me të:Fjalor i bujqësisë (N.Qafëzezi) (20000 terma); identifikimi i koncepteve që shënohen nga një shenjë përmes valencave të termave; thyerja e homonimisë (ose e polisemisë së rrëgjuar në homonimi).
Në artikujt “Dysorët terminologjikë”, “Sistemet dhe dysorët terminologjikë në rrafshin e kulturës së gjuhës dhe të normës së saj” merr një hapësirë të gjerë analiza dhe klasifikimi i njësive të tilla, mënyra e lindjes(subjektive nga ana e përdorimit, por pa anashkaluar shkaqet e përgjithshme-objektivitetin), tri karakteristikave kryesore(qartësia, pastërtia kuptueshmëria) që u jep atyre statusin e mjeteve shprehëse konkrete; çështje për kulturës së gjuhës dhe të normës letrare në lidhje me dysorët që e kanë burimin në kontaktet ndërgjuhësore etj.
Në këtë përmbledhje autori i jep rëndësi informacionit dhe kritikës shkencore. Duke vështruar vëmendshëm arritjet në Departamentin e terminologjisë për një periudhë të caktuar (praktikën leksikografike, hartimin e fjalorëve, lidhja ndërinstitucionale mes ILGJ( Tiranë) dhe Vjenës, specializimi i dy terminologëve të zëshëm sipas shkollës së Vysterit etj) autori tërheq vëmendjen për numrin e pakët të specialistëve në këtë sektor në periudha të mëvonshme.
Si ndjekës i vëmendshëm i studimeve që bazohen me teorinë e përgjithshme gjuhësore dhe me atë terminologjike ai shfaqet në artikujt “Prurje teorike në veprën e prof. Rami Memushajt”, “Leksiku terminologjik në gramatikat e gjuhës shqipes” . Për autorin, kanë rëndësi përvoja e gjuhëtarëve të zëshëm, si prof. R. Memushaj që dallohen këndvështrimet e tyre ndaj parimeve e hulumtimit të lëndës gjuhësore, por edhe haphedhja e brezave të rinj në trajtimin e lëndës terminologjike, si doktorantja F. Çitaku.
 
Prof. dr. Artur Lama