dok austro vi

SHQIPËRIA NË DOKUMENTET AUSTRO-HUNGAREZE 1914 (VËLLIMI VI)

Autori: Marenglen Verli 
Publikoi: Akademia e Studimeve Albanologjike në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë
Nr. i faqeve: 600
Gjuha: Shqip
Viti i botimit: 2020

Publikimi i dokumenteve historike për të kaluarën e shqiptarëve ka qenë dhe mbetet një detyrë e rëndësishme për historianët. Një gjë e tillë paraqitet veçanërisht e domosdoshme kur është fjala për ngjarje dhe dukuri me domethënie të jashtëzakonshme në historinë e shqiptarëve siç janë edhe ngjarjet e vitit 1914.
Viti 1914 është nga më të rëndësishmit në historinë moderne të kombit shqiptar. Ai nisi me përpjekjet e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit për të përcaktuar terrenin për ardhjen e Princ Wied-it në Shqipëri, vijoi me dy rebelimet që tronditën nga themelet shtetin e ri shqiptar dhe përfundoi me kthimin e vendit në fushë betejash dhe okupimin nga disa ushtri të huaja. Ngjarjet e muajve të fundit të vitit 1914, zhbënë atë që u arrit me shumë mund gjatë viteve 1912-1913, likuiduan Shqipërinë e pavarur dhe asnjanëse.
Për vetë peshën që ngjarjet e këtij viti mbartin, ato kanë qenë dhe janë objekt i një vëmendjeje të veçantë. Në këtë kuadër, dokumentet diplomatike austro-hungareze të vitit 1914, janë një burim tejet i vlefshëm, në saje të të cilit ndriçohen deri në detaje lëvizjet politike e kulturore të shqiptarëve, si dhe qëndrimi i faktorit ndërkombëtar ndaj çështjes shqiptare.
Në Arkivin e Institutit të Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, ruhet një fond i rëndësishëm i dokumenteve të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë (Haus und Hof Staats Archiv, Wien, Politisches Archiv, Albanien).
Prej këtij fondi janë botuar deri më sot 3 (tre) vëllime për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, 7 (shtatë) vëllime për vitin 1912 dhe 5 (pesë) vëllime për vitin 1914. Dy vëllimet që botohen tani me dokumente të periudhës korrik-shtator do të plotësohen gjatë viti 2021 edhe me një vëllim të fundit për të përmbyllur kolanën prej 8 vëllimesh të vitit 1914. Fondi ka filluar të formohet që në vitet 30 me prurjet që synonin t’i shërbenin organizimit të festimeve të 25-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe u pasurua në përmasat që zotërojmë sot në vitet 50-70, nën kujdesin e posaçëm të prof. Aleks Budës.
Dokumentet autentike të diplomacisë së një fuqie të madhe si Austro-Hungaria, me interesa të posaçme në rajon, me personel diplomatik që prodhonte lëndë shkresore shumë cilësore në çdo pikëpamje, e cila jep informacion që mbulon tërë hapësirën shqiptare, madje edhe vendet fqinje, ku zhvillimet politike, ushtarake, sociale, ekonomike etj. lidhen drejtpërsëdrejti ose tërthorazi me zhvillimet në viset shqiptare, kanë kështu një rëndësi të jashtëzakonshme për historinë tonë kombëtare. Mendojmë se me vlerat që bartin do t’u shërbejnë më së miri lexuesve të tyre. Ato do të ndihmojnë për të krijuar perceptime të sakta për ngjarje a dukuri të caktuara dhe, më tej, të qartësojnë edhe për një kontekst më të gjerë realitetin historik në vitin 1914.