sinanaj

NDIKIMI NDËRGJUHËSOR NË KONTAKTIN MIDIS DY GJUHËVE. RASTI I SHQIPES ME ITALISHTEN

Autori: Valbona Sinanaj
Publikoi: Botimet Albanologjike
Nr. i faqeve: 202
Gjuha: Shqip
Viti i botimit: 2020

Ndikimi ndërgjuhësor në kontaktin midis dy gjuhëve (Rasti i shqipes me italishten)” është punimi i parë monografik i studiueses Valbona Sinanaj. Synimi i këtij punimi është që të tregohet se sa kanë ndikuar faktorët gjuhësorë dhe jashtëgjuhësorë në aspektin funksional të përdorimit të shqipes dhe të italishtes, si dhe cilat janë ndikimet e veçorive fonetiko-gramatikore në secilën prej këtyre gjuhëve. Për këtë autorja është orientuar në një bazë të pasur teorike, si dhe të dhënash konkrete gjuhësore të nxjerra nga anketimet e saj. Krahas elementeve sinkronike, nuk mungojnë në këtë trajtim dhe prerjet diakronike, të ilustruara me shembuj veçanërisht nga gjuha e figurave të shquara të botës letrare italiane. Gjatë punimit janë përshkruar dhe nxjerrë në pah tiparet jo vetëm të sistemit fonologjik të shqipes dhe italishtes, por dhe tipare të veçanta të sistemit gramatikor e leksikor.
Studiuesja ka shfrytëzuar një literaturë të pasur gjuhësore, të huaj dhe shqiptare, të shtrirë në kohë e të përditësuar dhe me botimet e fundit, si dhe ka kryer punën e saj në terren, për të shpjeguar ç’ndodh gjatë kontaktit ndërgjuhësor të dy sistemeve fonologjike që janë në kontakt, konkretisht të shqipes dhe italishtes dhe cilat janë disa ndërhyrje konkrete fonologjike të shqipfolësve. Një vend të rëndësishëm në punim zënë proceset kryesore që përcaktojnë ndryshimin fonetik, si: asimilimi, disimilimi, inversioni, si dhe rënia e tingujve etj., të cilët, pasi janë shpjeguar teorikisht, janë ilustruar me shembuj të shumtë ngas shqipja e italishtja, si dhe huazimet e kalket gjuhësore.
Përveç shtjellimit të sistemit fonologjik të shqipes dhe italishtes, konkretisht në fonemat dhe tiparet dalluese të secilës gjuhë, si dhe në drejtshqiptimin dhe drejtshkrimin përkatës, një çështje më rëndësi është ajo ku realizohet një analizë krahasuese midis shqipes dhe italishtes, duke u përqendruar te disa vërejtje fonetiko-grafike. Autorja sjell të përbashkëtat dhe dallimet mes dy sistemeve fonologjike, si p.sh. në inventarin mes dy sistemeve vokalike. Ajo është ndalur në përshkrimin e këtyre dy sistemeve fonologjike, duke u përqendruar te kriteret interpretuese të ndërhyrjes fonologjike te shqipfolësit (Gj1) kur flet italisht (Gj2) dhe kjo ka qenë baza e një ankete lidhur me folësit shqiptarë të pranishëm në Itali, të cilët kanë pikërisht italishten si “gjuhë – objektive”. Autorja ka bërë disa analiza akustike për veçori shqiptimore të italishtes nga folës shqiptarë dhe folës italianë, rezultatet e së cilës i ka paraqitur dhe me imazhe të spektogramit, si p.sh. vlerat e kohëzgjatjes së dridhëses, së anësoreve, të mbylltoreve, të afrikateve dhe të fërkimoreve.
Në mbyllje studiuesja vjen në përfundimin se te shqiptarët e intervistuar, gjuha amtare ndërhyn gjatë përvetësimit të italishtes si gjuhë të dytë, dhe është e theksuar në situata formale, duke u rritur gradualisht me stilin e ligjërimit. Në lojë hyjnë edhe faktorët jashtëgjuhësorë, si ankthi që mund mbërthejë shqipfolësin gjatë ligjërimit, apo aftësia e përvoja që ai ka për t’u shprehur në italisht, në një stil të caktuar. Nga punimi rezulton gjithashtu se një gjuhë e dytë mund të përvetësohet përmes krahasimit të ngjashmërive dhe dallimeve midis saj dhe gjuhës amtare. Në nivelin fonologjik, përvetësimi i gjuhës së huaj lidhet me faktin, sesa ngjasojnë me njëra-tjetrën Gj1-shi dhe Gj2-shi.
Punimi “Ndikimi ndërgjuhësor në kontaktin midis dy gjuhëve (Rasti i shqipes me italishten)” me të dhënat, analizën dhe rezultatet e sjella, përbën një prurje të dobishme në literaturën tonë gjuhësore, duke lënë të hapur punën për kërkime të tjera lidhur me ndikimin e gjuhës amtare në përvetësimin e një gjuhe të dytë.
Prof. asoc. dr. Adelina ÇERPJA