kosova

KOSOVA ANTROPOLOGJIKE

Autori: Përgatitën për botim Nebi Bardhoshi, Arsim Canolli
Publikoi: Botimet Albanologjike
Nr. i faqeve: 264
Gjuha: Shqip
Viti i botimit: 2020

Kosova antropologjike” është një përmbledhje studimesh realizuar nga studiues të antropologjisë dhe kulturës nga Kosova dhe Shqipëria. Vëllimi është bazuar te punimet e paraqitura në konferencën e vitit 2019, kushtuar 20- vjetorit të çlirimit të Kosovës.
Në kreun hyrës, “Kosova antropologjike”, përgatitur nga editorët Nebi Bardhoshi dhe Arsim Canolli, paraqitet një histori e shkurtër e antropologjisë mbi Kosovën. Periudha që analizohet në mënyrë specifike është nga mesi i shekullit XIX deri në periudhën bashkëkohore. Një vend i posaçëm i kushtohet gjendjes së kërkimeve antropologjike në Kosovë. Në fund bëhet një përmbledhje e studimeve që janë përfshirë në këtë vëllim.
Në kreun II, “Familja transtradicionale si rrjedhojë e trendeve transnacionale”, Dr. Lumnije Kadriu vjen me një kontribut në lëmin e antropologjisë së transnacionalizmit. Analiza e autores konsiston në kërkime të realizuara në terren, në përveçimin e transnacionalizmit si një fushë sociale, duke hetuar pushimet në vendlindje, raportet familjare, investimet familjare, ndarjen e punës dhe të mirave. Analizohen trajektoret e ndryshimeve të konceptimit të familjeve të mëdha.
 
Në kreun III, “Nga buka te shteti”, Dr. Arsim Canolli, duke na treguar hyrjen nga “dera e vogël” për në “oborrin” e studimit antropologjik të Kosovës, nëpërmjet reflektimit dhe analizës, paraqet njëherazi rrugëtimin e vet etnografik e antropologjik, serinë e pyetjeve etnografike të hetuara dhe atyre që ende janë pjesë e pyetjeve dhe vrojtimeve etnografike. Një udhë që përbashkon tri tema: bukën, muzeun etnografik dhe festivalin. Prej këtu Canolli ndërton ftesën dhe shtegun antropologjik nga “buka te shteti”.
 
Në kreun IV, “Ndjesia për natyrën, trashëgimia dhe kujtesa për luftën”, Dr. Shemsi Krasniqi, ndërthur punën e tij mbi ekokulturën, artin shkëmbor dhe kujtesën e luftës së Kosovës. Kësisoj, kreu në fjalë paraqet të dhëna mbi ekokulturën në shumë dimensione të saj, artin shkëmbor si dhe të dhëna mbi kujtesën për luftën, për dhunën shtetërore, shfarosjen.
 
Në kreun V, “Antropologjia, ligji, shoqëria”, Prof. as. dr. Nebi Bardhoshi paraqet një reflektim dhe shqyrtim kritik mbi punën e tij të kryer në Kosovë dhe Shqipëri, me theks të veçantë te zona kufitare. Më pas analiza merr teh duke sjellë ballafaqimin e leximeve teorike me të dhënat etnografike. Në fund puna mbyllet me një paraqitje të shkurtër të projekteve kërkimore për të ardhmen lidhur me antropologjinë e ligjit, politikës dhe shtetit.
 
Në kreun VI, “Mbi gjuhën e rrëfimeve për luftën në Kosovë”, Dr. Durim Abdullahu vjen me një parashtrim e reflektim mbi narracionet dhe potencialin për narracionet për luftën në Kosovë. Periudha kohore që rrok kjo temë është ajo e pas vitit 1999. Një vëzhgim i tillë e shpie autorin të analizojë diskurset publike dominante mbi luftën dhe, prej këtu, te potenciali për pasjen e disa narracioneve të tjera.
 
Në kreun VII, “Fotografia familjare si reflektim i konteksteve shoqërore”, Dr. Zanita Halimi vjen me një kontribut mbi fotografinë familjare. Pas një parashtrimi të teorive dhe mënyrave se si është studiuar fotografia, Halimi na vë në pah se fotoja nuk është thjesht një dëshmi materiale që shpreh vizualitetin e një çasti të stampuar, por ajo është në vetvete një shprehi e lidhjeve sociale dhe emocionale në mes njerëzve dhe, për këtë, paraqet raste e të dhëna etnografike, ku lidhet imazhi me socialen e politiken.
 
Në kreun e fundit, “Mbi një dëshmi të munguar: Etnologjia shqiptare dhe gjenocidi në Kosovë”, Dr. Olsi Lelaj vjen me një kontribut, i cili ka në fokus të tij ekspeditën etnografike realizuar në kampet e refugjatëve kosovarë në Shqipëri, gjatë periudhës dhe pak ditë pas përfundimit të luftës së vitit 1999. Shkrimi shqyrton njëherazi problematikat dhe sfidat teorike me të cilat përballet etnografi dhe folkloristi post-komunist në Shqipëri, me sfidën për të studiuar gjenocidin në Kosovë dhe pasojat e tij.
 
Prof. asoc. dr. Nebi Bardhoshi, dr. Arsim Canolli