pekmezi

GRAMATIKË E GJUHËS SHQIPE

Autori: Përkthyer në shqip nga Leonard Dauti
Publikoi: Akademia e Studimeve Albanologjike në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë
Nr. i faqeve: 280
Gjuha: Shqip
Viti i botimit: 2020

Pas më se një shekulli nga data e botimit gjermanisht, në Vjenë të Austrisë nga shoqëria shqiptare “Ðija”, vjen e përkthyer në shqip nga Dr. Leonard Dauti (kërkues shkencor, ASA, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Departamenti i Gramatikës dhe Historisë së gjuhës) “Gramatikë e gjuhës shqipe” e Dr. Gjergj Pekmezit. Botimi i kësaj gramatike u mundësua nga ASA në bashkëpunim me AShSh në vazhdën e botimeve të autorëve dhe veprave të traditës sonë në lëmin e studimeve albanologjike.
Gramatika e Pekmezit është organizuar në katër krerë: A. Hyrje, B. Fonetika, C. Morfologjia, D. Fjalëformimi. Gramatika është e pajisur me “Fjalësin shqip”, i cili përfshin të gjitha fjalët shqipe të përdorura në botimin origjinal. Një syth më vete përbëjnë edhe shënimet përkatëse të grupuara në fund të gramatikës. Ndonëse u botua me synimin për të shërbyer për mësimin e shqipes prej të huajve gjermanishtfolës, pra të shërbente si një tekst mësimor, kjo gramatikë
për nga metoda e ndjekur, historiko-krahasuese, për nga gjerësia, thellësia dhe niveli shkencor i trajtimit, vlerësohet si një gramatikë e mirëfilltë shkencore. Në “Hyrje” jepet një përshkrim i qartë dhe i plotë i gjuhës shqipe dhe dy dialekteve të saj, parashtrohet thukët problemi i ekzistencës së dy gjuhëve letrare dhe mungesa e një varianti të përbashkët letrar. Një informacion që e kapërcen objektin e kësaj gramatike lidhet me folklorin shqiptar dhe përpjekjet e para për mbledhjen e tij. Një vend i veçantë i kushtohet problemit të alfabetit të gjuhës shqipe. Gramatika u botua para Kongresit të Manastirit, por kishte përfunduar së hartuari që më 1907. Një kapitull më vete zënë dallimet midis gegërishtes dhe toskërishtes, si edhe elementet romane, greke, sllave e turke në gjuhën shqipe.
Kreu B “Fonetika”, është ndërtuar në dy kapituj. Në të parin trajtohet sistemi zanor i gjuhës shqipe. Ndër dukuritë fonetike vendin kryesor e zënë theksi dhe gjatësia e zanoreve dhe varësia ndërmjet tyre, tingujt burimorë nistorë dhe fundorë, varësia midis gjatësisë dhe cilësisë së zanoreve, ndikimi i bashkëtingëlloreve mbi cilësinë e zanoreve, diftongjet dhe diftongjet e reja, shfaqje të metafonisë etj. Në sistemin e bashkëtingëlloreve të shqipes ndalet në problemin e n-së ndërzanore, palatalizimin, nazalizimin dhe rrëgjimin e bashkëtingëlloreve, në dukuri që lidhen me likuidet, bashkëtingëlloren h, spirantet, hundoret etj.
Në kreun C “Morfologjia”, i cili zë edhe pjesën kryesore (rreth 140 faqe), fillohet me foljen, përkatësisht me probleme të zgjedhimit të foljeve ndihmëse dhe të atyre të rregullta me temë më -o, vazhdohet me emrin, mbiemrin dhe përemrin, të cilët trajtohen gjerësisht, dhe rimerret përsëri folja, për t’u trajtuar gjerësisht morfologjia e saj. Me mjaft interes është paraqitja e formave foljore parë në dy dimensione: kuptimin kohor dhe atë të mënyrës së shtjellimit kohor (Zeitart).
Pjesëve të pandryshueshme të ligjëratës autori u ka kushtuar një vend shumë të kufizuar, vetëm 8 faqe. Po kështu edhe fjalëformimit. Vetë autori tërheq vëmendjen me titullin “Shënime për fjalëformimin”, çka nënkupton se nuk bëhet fjalë për një trajtim të plotë të fjalëformimit.
Në krahasim me botimin origjinal në gjermanisht, në këtë botim të përkthyer janë bërë disa ndryshime të karakterit formal që nuk kanë prekur përmbajtjen e gramatikës, por që kanë synuar realizimin e një botimi bashkëkohor. Pasqyra e lëndës është zhvendosur në fillim. Është shtuar treguesi i tabelave, si dhe lista e shkurtimeve të përdorura në gramatikë. Në fund gramatika është pajisur edhe me indeksin e emrave dhe të termave gjuhësorë të përdorur në të. Edhe zërat e fjalësit janë ndarë sipas gërmave përkatëse, të cilat nuk janë të pranishme në botimin origjinal.
 
Prof. asoc. dr. Merita Bruci