metani 1

GJURMIME PËR SEMANTIKËN LEKSIKORE NË GJUHËN SHQIPE (PËRMBLEDHJE ARTIKUJSH) (VËLLIMI I)

Autori: Idriz Metani
Publikoi: Botimet Albanologjike
Nr. i faqeve: 376
Gjuha: Shqip
Viti i botimit: 2020

Prof. Idriz Metani, pedagog në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë dhe bashkëpunëtor i Institutit tonë vjen me “Gjurmime për semantikën leksikore në gjuhën shqipe” (përmbledhje artikujsh).Vepra sjell ndihmesa të vlerësuara në disa fusha të studimet e kërkimit shkencor:
1. Lënda me 51 artikuj është ndarë në 2 vëllime, një punë e shtrirë në shumë vite. Vendin e parë në tematikën e artikujve studimorë e zënë ata për semantikën leksikore të shqipes, që fytyrëzojnë dhe vetë punën shkencore të autorit: ku veçojmë artikuj për semantikën interpretuese (artikuj që lidhen me dukuri leksikore e semantike në veprat e shkrimtarëve si Xh. Spahiu, M. Camaj, në krijimtarinë gojore popullore, si te Thimi Mitko etj.), për semantikën njohëse / cognitive (Zhvillime semantike mbi bazën e metaforës tek emrat e lëndës etj.), për semantikën strukturore (Grupi sinonimik fjalë e standardit – fjalë dialektore në gjuhën shqipe etj.), për semantikën gjenerative (Struktura të mendimit dhe të shprehjes gjuhësore) etj.
2. Në vepër ka artikuj për rrafshin onomasiologjik, për fjalën e për frazeologjinë, si Identitete stukturoro-semantike në frazeologjinë e gjuhëve të Ballkanit; Emërtime frazeologjike të njerëzve sipas dukës dhe sipas tipareve morale në gjuhën shqipe etj., artikuj për relacionet leksikore e semantike për lëvizjet kuptimore dhe mjetet e realizimit të tyre etj.
3. Përmbledhja sendërton punën e autorit edhe me fjalën në të folmet dialektore e krahinore, si Gegizmat në veprën e Martin Camajt; Leksiku dialektor dhe krahinor në vlerësimin e prof. Eqrem Çabejt;Vëzhgime leksiko-frazeologjike mbi “Laimet e Komisis Letrare Shqipe në Shkodër”etj. Autori e njeh nga afër të folmen e Skraparit dhe është marrë në mënyrë të vazhdueshme me të duke e parë në rrafshin leksikoro-frazeologjik, fonetik e morfologjik
4. Vepra, sjell vëzhgime interesante leksikore e semantike, parashtrime, analiza dhe përgjithësime, duke kërkuar shumë herë dhe duke gjetur kategorialitete e tipologji në dukuritë e ndryshme kuptimore. Përdallojmë këtu artikujt, si Tipologjia e emërtimeve të njerëzve sipas tipareve fizike e morale në gjuhën shqipe; Tipologji strukturore dhe semantike në fushën e sinonimisë leksikore të shqipes etj. Aty gjen edhe artikuj për çështje të terminologjisë në shqipe, si Zhvillime të reja në terminologjinë shqipe të gjuhësisë; Karakteri vetanak i terminologjisë gjuhësore në veprën e prof. Selman Rizës etj.
5. Vend kanë zënë artikuj për kulturën e gjuhës e shqipen standarde, për shtrirjen, zotërimin e funksionimin e saj, si Disa mendime për pikësimin në gjuhën shqipe; Rreth shkrimit me shkronjë të madhe të disa klasa fjalësh me semantikë a paradigmë gramatikore të veçantë etj.
6. Me interes janë dhe artikujt për probleme teorike, të filozofisë së gjuhës, të vështruara të gërshetuara a të trupëzuara me lëndës gjuhësore të shqipes, si Struktura të mendimit dhe të shprehjes gjuhësore; Fjalët dhe ideologjia etj., apo artikuj për shtresa huazimesh në shqipe.
7. Në përmbledhjen është përfshirë një lagje e mirë artikujsh për autorë e vepra për personalitete shkencore, si Idriz Ajeti, Jani Thomai, Selman Riza, Ethem Likaj, Kostaq Cipo, Emil Lafe, Shefkije Islamaj, Agron Duro, Qemal Murati etj.
8. Prof. as. dr. Idriz Metani punon prej shumë vjetësh në fushën e didaktikës së gjuhës e të hartimit të teksteve të gjuhës amtare (në sistemin parauniversitar), duke qenë njëkohësisht edhe një zë vlerësues e oponencues në këtë drejtim.
Si përfundim vepra “Gjurmime për semantikën leksikore në gjuhën shqipe” do të jetë një burim i rëndësishëm për t’u konsultuar nga studiuesit e ndryshëm, si dhe libër pune për shumë vetë e për shumë kohë. Ai do të jetë i nevojshëm dhe i domosdoshëm për studentët, mësuesit e gjuhës shqipe e të letërsisë, për dashamirësit e punës shkencore në albanologji e shumë të tjerë.
 
Prof. dr. Valter MEMISHA