zhvillimet

ZHVILLIMET NË SHKENCAT E LIGJËRIMIT DHE LËNDA E GJUHËS DHE E LETËRSISË NË ARSIMIN PARAUNIVERSITAR

Autori: Grup autorësh
Publikoi: Botimet Albanologjike
Nr. i faqeve: 524
Gjuha: Shqip
Viti i botimit: 2020

Botimi i akteve të konferencave, përgjithësisht, përveçse një tregues i angazhimeve e interesimeve shkencore të studiuesve në një kohë të caktuar e për një problematikë të caktuar, është, nga ana tjetër, edhe tregues i përgjegjësisë dhe i besimit të organizatorëve të konferencës për t’u mundësuar jehonë më të gjatë e më konkrete ideve, mendimeve, propozimeve e zgjidhjeve të parashtruara në konferencë dhe angazhimeve të kontribuesve në veprimtarinë përkatëse. Problematika e trajtuar në konferencën shkencore ndërkombëtare Zhvillimet në shkencat e ligjërimit dhe lënda e gjuhës dhe e letërsisë në arsimin parauniversitar prek çështje që u interesojnë një game të gjerë të interesuarish, jo vetëm të studiuesve, profesoratit në universitete e specialistëve didaktë të këtyre fushave, por më së shumti edhe mësuesve të gjuhës e letërsisë në arsimin parauniversitar. Botimi i akteve të kësaj konference synon komunikimin me këtë lexues të gjerë, duke mëtuar njëherazi t’u shërbejë qëndrimeve kritike të këtij lexuesi, të cilat nxisin bashkëkohëzimin e dijeve të pranishme në mësimdhënie; po ashtu, synon edhe komunikimin me specialistët e studiuesit, për t’i nxitur ata të jenë të vëmendshëm ndaj dijeve e koncepteve bashkëkohore që zhvillohen në kuadër të shkencave të ligjërimit e për t’i vënë ato në funksion të dijeve shkollore në lëndët e gjuhës e letërsisë në arsimin parauniversitar.
Lënda e pranishme në këtë përmbledhje aktesh (521 faqe) është e strukturuar sipas problematikës e renditjes së referimeve në konferencë (të paraprirë nga një parathënie që është hartuar nga redaksia e përgatijes së këtij botimi): pjesa e parë – materialet e paraqitura në seancën plenare (një referat dhe 6 kumtesa); pjesa e dytë – materialet e paraqitura në seksionin e gjuhësisë (11 kumtesa); pjesa e tretë – materialet e paraqitura në seksionin e letërsisë (9 kumtesa); dhe pjesa e katërt – materialet e paraqitura në seksionin e didaktikës (10 kumtesa).
Në këtë përmbledhje me aktet e konferencës trajtohet një problematikë që harmonizon përpjekjet e studiuesve që punojnë në fushat teorike të mendimit tonë gjuhësor e letrar, me ato të specialistëve të fushave të zbatuara të gjuhësisë e studimeve letrare ; në të janë të pranishme kontribute të studiuesve të departamenteve të Institutit të gjuhësisë e të Letërsisë, të profesoratit nga universitete të ndryshme shqiptare, brenda kufijve tanë shtetërorë, por edhe përtej tyre, të studiuesve nga strukturat përkatëse ku përpunohet mendimi ynë didaktik në lidhje me mësimdhënien e gjuhës e letërsisë, si edhe kontribute të mësuesve që i japin mësim këto lëndë në sistemin parauniversitar në Shqipëri, por edhe përtej kufijve, në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
Konceptimi e trajtimi nga pikëvështrime të larmishme i temave bosht të konferencës nga ana e referuesve sjell në këtë përmbledhje aktesh shumësi informacioni në lidhje me realitetin e sotëm të mësimdhënies së gjuhës shqipe e letërsisë në shkollë; e po ashtu, edhe një sërë kërkesash e sugjerimesh për përmirësimin e gjendjes dhe sidomos të programeve të këtyre lëndëve e teksteve shkollore në përdorim.
Shkrimet e pranishme në këtë vëllim synojnë të ndriçojnë njohuri, koncepte e metodologji të përvijuara tashmë (ose që kanë nevojë të përvijohen ndërkohë) në studimet tona të gjuhës/ligjërimit, në ato aspekte që ndikojnë në rritjen e nivelit të kompetencës diskursive të subjektit folës. Në të gjenden shkrime që trajtojnë problemet që lidhen më drejtpërdrejt me dijen teorike të didaktizuar, të shndërruar në dije për t’u dhënë mësim dhe mangësitë që shfaqen jo pak herë në këtë proces shndërrimi a transpozimi të dijes; shkrime që trajtojnë probleme që lidhen me tekstet e programet e këtyre disiplinave, që nuk kanë arritur të kenë të pranishme në nivelin a formën e duhur dijet e konceptet e përpunuara tashmë në fushën e analizës së tekstit, analizës së diskursit, pragmatikës letrare etj. dhe që janë pasqyruar në mënyrë të papërshtatshme në tekste; shkrime që trajtojnë problemet që lidhen me formimin gjuhësor e letrar të mësuesve të gjuhës e letërsisë, formim që zgjat/duhet të zgjasë përgjatë tërë kohës që ato janë në detyrë, për të qenë të aftë të ngjizin dijet për të dhënë mësim në përputhje me njohuritë, konceptet e metodologjitë që përpunohen ndërkohë në shkencat e ligjërimit e fushën e didaktikave.
Po ashtu, një pjesë e mirë e shkrimeve trajton probleme më të drejtpërdrejta që lidhen me mënyrën e konceptimit të njohurive të sotme gjuhësore në nivele të ndryshme të shkollimit dhe përvijimin e një konceptimi më funksional të dhënies së tyre nga njëri nivel në tjetrin; që lidhen me rikonceptimin e dijeve në programet dhe tekstet shkollore, si pasojë e prurjeve të vazhdueshme bashkëkohore në gjuhësinë e sistemit (veçanërisht në studimin e dukurive morfologjike e sintaksore) apo në hapësirat e së ashtuquajturës gjuhësi kontekstuale, përmes njohurive, koncepteve e metodologjive të përftuara në kuadër të gjuhësisë së tekstit e analizës së tekstit, gjuhësisë e analizës së diskursit, pragmatikës gjuhësore e letrare, semiotikës etj.; shkrime që lidhen me praninë e pamjaftueshme në programe e tekste të njohurive për procesin letrar dhe autorët nga letërsia e vjetër në shqip, nga autorët arbëreshë apo letërsia e diasporës; apo probleme që lidhen me punën më të kujdesshme për përzgjedhjen e autorëve a fragmenteve letrare nga veprat letrare, për të mundësuar formimin më të plotë estetik e kulturor të nxënësve. Një pjesë e shkrimeve sjellin të dhëna konkrete për vështirësitë me të cilat hasen mësuesit përgjatë mësimdhënies, si pasojë e këtyre mangësive që burojnë, sipas tyre, në radhë të parë prej programeve të lëndës e teksteve në përdorim.
E plotësojnë gjeografinë e shqyrtimeve dhe larminë e pikëvështrimeve shkrimet e referuesve nga Kosova e Maqedonia e Veriut, që e vështrojnë këtë problematikë të lidhur me veçantitë e mjediseve të mësimdhënies dhe infrastrukturën e këtij procesi në nivele të ndryshme shkollimi në mjediset e tyre arsimore.
Në materialet e pranishme në këtë botim ngulmohet, gjithashtu, në idenë se nevoja për dijet e përftuara në shkencat e ligjërimit dhe studimet letrare bëhet më e theksuar në etapën e tanishme, kur mësimdhënia e gjuhës shqipe dhe e letërsisë synon jo thjesht njohjen e sistemit gjuhësor të shqipes e të dhënave metagjuhësore në lidhje me të, kërkon jo thjesht informacion të pasur letrar, por sidomos zhvillimin e kompetencave gjuhësore e diskursive të nxënësve, kompetenca që mundësojnë formimin më të plotë të tyre si qytetarë të shoqërisë së sotme e të nesërme, të një shoqërie ku komunikimi është përmasë mbizotëruese e saj.
Gjithashtu nënvizohet ideja se shkencat e ligjërimit dhe studimet e sotme letrare mundësojnë zgjidhje të shumta në dobi të përmbushjes së funksioneve që mësimdhënia e këtyre disiplinave synon në etapën e tanishme. Ndaj harmonizimi i bashkëmarrëdhënieve të nënkuptuara mes dijeve shkencore e atyre të përftuara në përvojën e mësimdhënies së këtyre disiplinave shkollore parakupton angazhimin e më së paku katër aktorëve që luajnë rol të dorës së parë në këtë proces: të qendrave kërkimore shkencore dhe departamenteve universitare (që përpunojnë njohuritë në fushën e gjuhësisë, shkencat e ligjërimit dhe në studimet letrare); të institucioneve të përpunimit të mendimit didaktik (që përvijojnë dijet e përzgjedhura e të rekomanduara, e më tej nxisin e realizojnë didaktizimin e dijeve të referencës përmes programeve, udhëzimeve, teksteve disiplinore etj.); të mësuesve të gjuhës e të letërsisë (që përvijojnë nga ana e tyre dijen që do të japin mësim); të nxënësve (si referencë sociale, psikologjike që përvetësojnë e nxënë).
Shkrimet në këtë përmbledhje sigurisht që nuk e shterojnë shqyrtimin e problematikës në fjalë, por parashtrimet nga këndvështrime të ndryshme sjellin gjithsesi një pamje më të plotë të situatës në ditët tona, çka mund të shërbejë për nxitjen e shqyrtimeve më të drejtpërdrejta dhe zgjidhjeve konkrete të cilat kërkojnë punën në rrethe më të ngushta studiuesish e specialistësh të angazhuar në fushat përkatëse.
Në Parathënien e hartuar nga redaksia nënvizohet synimi që kjo nismë të ndiqet pa vonesë, dhe me përkushtimin e kërkuar, prej aktorëve të thirrur që të kontribuojnë në përpunimin e dijeve në këto fusha, sipas roleve përkatëse që u duhet të luajnë në to.
Urojmë që ky botim të ketë mundësinë të jetë i pranishëm në tavolinat e punës jo vetëm të specialistëve e studiuesve që e kanë angazhim të përditshëm shqyrtimin e raportin e shkencave të ligjërimit me mësimdhënien e gjuhës dhe letërsisë apo në tavolinat e punës të specialistëve që procesin e mësimdhënies dhe përgatitjen e materialeve didaktike i kanë detyra funksionale të angazhimeve të tyre, por të bëhet pjesë edhe e bibliotekave të mësuesve të pasionuar të gjuhës e letërsisë. Këta mësues do të gjejnë në këtë botim jo thjesht një tablo të shqetësimeve të sotme me të cilat përballen, por edhe një nxitës intelektual për vështrimin me sy kritik të problematikës në fjalë. Marrja në dorë e këtij botimi nga kjo gamë e gjerë lexuesish do të nxisë e shtojë trysninë që tryeza e rrumbullakët për problemet konkrete të shtruara për zgjidhje dhe veprimtaria e radhës e kësaj natyre të mos jenë të largëta.
Prof. dr. Tomorr PLANGARICA