kusi

XHEMAL KUSI: SHQIPËRIA NË VITET 1912-1944 (KUJTIME)

Autori: Përgatiti për botim Hasan Bello
Publikoi: Botimet Albanologjike
Nr. i faqeve: 462
Gjuha: Shqip
Viti i botimit: 2020

Kujtimet e Xhemal Kusit, sipas shënimit në faqen e fundit të dorëshkrimit, kanë përfunduar më 31 dhjetor 1955. Ato gjenden të depozituara në Arkivin e Institutit të Historisë dhe për 65 vite me radhë, me përjashtim të disa studiuesve dhe një rrethi të ngushtë personash, askush nuk ka patur informacion për ekzistencën e tyre. Ato fillojnë me një përshkrim mbi situatën politike dhe zhvillimet në vitet e Luftrave Ballkanike, ku një vend të rëndësishëm zë Lufta e Shkodrës kundër agresionit serbo-malazez. Autori sjell aspekte interesante të qëndresës shqiptaro-osmane, por edhe të mungesës së kompaktësisë, bashkëpunimit dhe veprimeve të gabuara të disa personaliteteve shqiptare. Për herë të parë, nga një autor shqiptar jepet një version ndryshe lidhur me vrasjen e komandantit turk të mbrojtjes së Shkodrës, Hasan Riza Pashës.
Ai përshkruan me detaje edhe kontradiktat që lindën mes Esat Pashë Toptanit dhe Ismail Bej Qemal Vlorës në muajt e parë pas Shpalljes së Pavarësisë. Atmosfera dhe entuziazmi para dhe pas ardhjes së Princ Wied-it përbëjnë një dëshmi autentike dhe një panoramë realiste që përputhet dhe me burimet diplomatike të kancelarive europiane të kohës. Xhemal Kusi është nga të parët, për të mos thënë i pari autor, që përshkruan dhe analizon me saktësi Kryengritjen në Shqipërinë e Mesme në vitet 1914-1915.
Detaje po aq interesante jepen edhe për vitet e Luftës së Parë Botërore, kur pas largimit të Princ Wied-it territori shqiptar kthehet në arenë lufte. Ai nuk lë mënjanë as veprimtarinë e Esat Pashë Toptanit, i cili i rreshtuar përkrah Antantës, luftonte së bashku me një numër shqiptarësh në frontin lindor kundër ushtrisë bullgare. Në vazhdën e kujtimeve të kësaj periudhe pasqyrohen edhe zhvillimet politike në përfundim të luftës, si: Kongresi i Durrësit, Kongresi i Lushnjës, etj. Pasqyrohet veprimtaria e delegacioneve shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris; përplasjet mes tyre, veçanërisht mes proteksionistëve dhe Esat Pashë Toptanit, janë aspekte të tjera me vlerë. Një vlerë po aq të madhe kujtimet e Xhemal Kusit kanë edhe për pasqyrimin objektiv të luftës politike që shpërtheu mes politikanëve shqiptarë në vitet 1920-1924. Në funksion të kësaj lufte u përdorën të gjitha format ilegjitime, si kërcënimet, vrasjet politike dhe grushtet e njëpasnjëshme të shtetit. Ai jep detaje dhe emra konkretë për personat e implikuar në këto zhvillime; për fajtorët dhe përgjegjësit kryesorë për situatën politike. Autori analizon edhe një seri zhvillimesh të viteve të Republikës e Monarkisë; raportet shqiptaro-italiane; përgatitjen e kësaj të fundit për të pushtuar vendin tonë; qëndresën ndaj agresionit të 7 prillit 1939; mungesën e dinjitetit të antizogistëve që bashkuan “forcat” me fashizmin për të larguar Mbretin Zog; lëvizjen antifashiste dhe rolin e Ballit Kombëtar.
Për nga vlera e informacionit kujtimet e Xhemal Kusit përbëjnë për historianët dhe lexuesit, së bashku me ato të Eqrem Bej Vlorës dhe Sejfi Vllamasit, përbëjnë një trinom të pazëvendësueshëm të memorialistikës shqiptare, pa të cilat zhvillimet politike në shtetin e pavarur shqiptar është e vështirë për t’u kuptuar.
Këto kujtime janë shkruar në dialektin tiranas, në një gegnishte letrare dhe pa zhargon. Kjo i bën të lehta për t`u kuptuar. Në këtë këndvështrim ato përbëjnë një pasuri të çmuar për leksikografët dhe dialektologët.
Më duhet të theksoj se përpjekja e Xhemal Kusit për të trajtuar zhvillimet politike në Shqipëri me objektivitet, përbën një guxim intelektual për kohën. Mjaftonte vetëm ky dorëshkrim që binte ndesh me interpretimin zyrtar dhe Xhemal Kusi mund të merrte një dënim akoma dhe më të rëndë.