minga

TINGUJ QË RRËFEJNË, TINGUJ QË RRËFEHEN

Autori: Mikaela Minga
Publikoi: Botimet Albanologjike
Nr. i faqeve: 336
Gjuha: Shqip
Viti i botimit: 2020

Monografia me titull “Tinguj që rrëfejnë, tinguj që rrëfehen” e Dr. Mikaela Mingës ka në fokus traditën muzikore urbane të Elbasanit. Në pamje të parë duket se autorja kërkon të na ofrojë një “inventar” mbi tipologjinë dhe zhanret muzikore që formësojnë muzikën urbane tradicionale elbasanase. Por, ndërsa lexon njëri pas tjetrit 7 kapitujt e monografisë, vëren që përshtypja është e gabuar. Mjeshtërisht autorja e ka ftuar lexuesin në një rrugëtim të ri në fushën e etnomuzikologjisë dhe folkloristikës shqiptare. Tradita muzikore urbane e Elbasanit, në këtë monografi, është kthyer në një kallëzues me natyrë epistemike, nëpërmjet të cilit kërkohet të reflektohet mbi raportin që ka pasur moderniteti i planifikuar i diktaturës komuniste me tingullin si praktikë njerëzore. Çështja themelore, ndërmjet së cilës rreket analiza e Mingës, ka të bëjë me gjurmimin e proceseve dehumanizuese të tingullit në modernitetin diktatorial shqiptar. Për të ilustruar këto procese, autorja fokusohet në proceset arkivizuese dhe statusin që ka muzikëbërësi në historinë e dijes folklorike shqiptare gjatë diktaturës. Aspekte të caktuara të modernitetit socialist dhe raporti që ky i fundit ka me muzikëbërjen tradicionale urbane të Elbasanit e ndihmojnë lexuesin të kuptojë dhe të reflektojë për praktikat e ndarjes së tingullit nga njerëzorja. Ndërsa Minga i mbështet argumentet dhe analizën e saj në materiale të bollshme empirike, si etnografike, ashtu dhe arkivore, paralelisht ajo ndërton për lexuesin edhe një histori kritike të dijes folklorike gjatë diktaturës në Shqipëri. Në këtë kuadër, monografia na jep mundësinë të kuptojmë aktorët, proceset institucionale, teknologjike, pushtetare dhe ideologjike, që i dhanë formë praktikave dehumanizuese dhe regjimit tingëllor socialist.
Monografia e Dr. Mikaela Mingës duhet parë si një kontribut i përveçëm, që na fton drejt thellimit të analizave të rëndësishme mbi modernitetin dhe diktatorialen në antropologjinë shqiptare.

Dr. Olsi Lelaj