syrja 1

SYRJA DHE EQEREM BEJ VLORA 1890-1913 (VËLLIMI I)

Autori: Beqir Meta, Hasan Bello
Publikoi: Botimet Albanologjike
Nr. i faqeve: 472
Gjuha: Shqip
Viti i botimit: 2020

Në historiografinë dhe memorialistikën shqiptare emrat e Syrja dhe Eqrem Bej Vlorës shpërfaqen si një konstelacion me një kontribut të jashtëzakonshëm. Por për shkaqe ideologjike dhe klasore, këto personalitete dhe veprimtaria e tyre patriotike, politike, publicistike dhe intelektuale ishte mbuluar nga pluhuri i harresës, dhe ata i ishin nënshtruar anatemimit dhe persekutimit nga regjimi komunist. Prandaj, evidentimi i kontributit të Familjes Vlora, në rastin konkret i Syrja dhe Eqrem Bej Vlorës, përbënte një obligim moral, profesional dhe kombëtar jo vetëm për ne si studiues, por edhe për pasardhësit e kësaj Familjeje të nderuar, rrënjët e së cilës, si një rrap shekullor, shtrihen thellë deri në mesjetën e popullit shqiptar.
Ashtu siç ka ndodhur edhe me kombet e tjerë ballkanikë dhe evropianë, historia e kombformimit dhe shtetformimit lidhet ngushtë me historinë e familjeve fisnike, të cilat përbëjnë gurëthemelet e një kombi. Nga ky prizëm, studimi i tyre nuk mund të neglizhohet. Madje përbën një domosdoshmëri, pasi këto familje lidhen ngushtë me proceset historike dhe kulturore të çdo populli.
Hartimi i një korpusi dokumentar mbi kontributin dhe aktivitetin e Syrja dhe Eqrem Bej Vlorës ka si qëllim të hapë siparin e këtyre studimeve, për t`i dhënë shtysë studiuesve dhe historianëve të hedhin dritë mbi rolin që këto dy figura kaq të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare dhe Pavarësisë Shqiptare kanë dhënë në këtë periudhë.
Në vëllimin e parë dhe të dytë kemi përfshirë dokumente relevante nga disa arkiva brenda dhe jashtë vendit dhe më konkretisht nga: Arkivi Qendror i Shtetit (AQSH); Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Drejtoria e Zbulimit Politik (AMPB); Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme austro-hungareze (Haus und Hof Staats Archiv, Wien, Politisches Archiv, Albanien) që ndodhet në Arkivin e Institutit të Historisë (AIH), të cilin e kemi paraqitur shkurtimisht me siglën “Vj.” dhe indikacionin përkatës poshtë çdo dokumenti; Arkivi Historik dhe Diplomatik i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Romë (Archivio Storico e Diplomatico del Ministero degli Affari Esteri, Roma), me siglën e shkurtuar (AMAE); arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe (The National Archives, Foreing Office), me siglën e shkurtuar (TNA, FO).
Nga ky dokumentacion del qartë i gjithë aktiviteti patriotik i Syrja dhe Eqrem Bej Vlorës, mendimi i tyre politik, kulturor, ekonomik, diplomatik, juridik dhe arsimor, duke i vendosur këto dy personalitete në kontekstin e zhvillimeve historike të kohës. Kjo bën të mundur të konstatojmë dhe të themi me plot gojën se në rastin konkret kemi të bëjmë jo vetëm me dy persona që kanë lidhje gjaku mes tyre (atë e birë), por me dy figura me influencë të madhe politike dhe diplomatike, me dy personalitete me formim poliedrik, me dy poliglotë, aktivistë të çështjes dhe lëvizjes për pavarësi kombëtare. Nga dokumentet e botuara vihet re se mendimi i tyre ka ardhur duke evoluar në raport me rrethanat politike të kohës.
Në vëllimin e tretë të këtij korpusi kemi përfshirë materialet studimore dhe publicistike të Syrja dhe Eqrem Bej Vlorës të pabotuara dhe ribotuara më parë. Kjo për të mos përsëritur të njëjtat materiale me të cilat tashmë lexuesi është njohur.
Kështu, në vëllimin e tretë kemi vendosur disa studime të Syrja Bej Vlorës, si Pashallarët shqiptarë në Perandorinë Osmane, Pashallarët shqiptarë në Vilajetin e Janinës; një studim mbi të drejtën e pronësisë në Shqipëri gjatë dhe pas periudhës osmane, i cili duhet të ketë mbetur i papërfunduar; si dhe një studim mbi historinë e bujqësisë. Kemi përfshirë dhe publicistikën e Eqrem Bej Vlorës, e cila përbëhet nga disa shkrime dhe artikuj studimorë të botuara në disa revista prestigjoze të emigracionit politik shqiptar, si “Shejzat”, “Jehona myslimane” etj.
 
Akademik. prof. dr. Beqir Meta