sintaksa

SINTAKSA DIALEKTORE I

Autori: Grup autorësh
Publikoi: Botimet Albanologjike
Nr. i faqeve: 456
Gjuha: Shqip
Viti i botimit: 2020

Vëllimi “Sintaksa Dialektore I” i botuar nga Akademia e Studimeve Albanologjike është kurorëzim i botimit të punimeve të konferencës ndërkombëtare që u mbajt me këtë titull në Akademi në dimrin e vitit 2016. Në këtë vëllim janë përzgjedhur të botohen punimet më të mira të kësaj konference të cilat jo vetëm kanë sjellë prurje të reja sintaksore dialektologjike, por kanë ndihmuar në hedhjen e hapave të reja për ndërtimin e një teorie të re të ndarjes dialektore në bazë të të dhënave që vijnë nga fusha e sintaksës.
Sintaksa ka qenë trandicionalisht, për vetë natyrën e saj të vështirë për t’u vjelë, një ndër lëmet e shqipes më pak të përfaqësuara në të gjitha përpjekjet madhore dialektologjike, gjë që duket qartazi edhe në Atlasin Dialektologjik të Shqipes, ku sintaksa del në pah vetëm përmes 9 pyetjesh të natyrës morfo-sintaksore. Ky vëllim tregon që sintaksa dialektore e shqipes meriton më shumë vëmendje dhe çel rrugën për studime të tjetra të thelluara të kësaj natyre.
Vëllimi është i ndarë në tri pjesë, sipas paneleve korresponduese të vetë konferencës. Në pjesën e parë, do të gjejmë analiza të punimeve që lidhen me tiparet sintaksore të parashtruara në punimet tona dialektologjike (E. Kapia, B. Beci, M. Çeliku) brenda dhe jashtë Shqipërisë, për shembull, siç është punimi për studimet dhe tiparet sintaksore të të folmeve të Maqedonisë i B. Sulejmanit. Në këtë pjesë, kemi gjithashtu edhe prurje me tipare sintaksore të spikatura në Atlasin e Vogël të Dialekteve Ballkanike nga A. Sobolev, por edhe pamje më të thelluara të tipareve sintaksore në të folme të ndryshme të shqipes, si labërishtja (R. Memushaj) dhe toskërishtja (N. Mërkuri), në gjini të ndryshme të lëvrimit të shqipes si në lirin popullore (A. Lama), në epikën legjendare (K. Topalli) dhe në tekstet e vjetra (A. Omari). Po kështu, këtu nuk mungojnë edhe thellime mbi konstrukte të caktuara sintaksore siç janë punimi i dyshes sintaksologe Turano-Koleci mbi infinitivin e shqipes dhe ai mbi konstruktet foljore nga A. Kananaj.
Në pjesën e II-të dhe të III-të autorë të punimeve të ndryshme nga katedrat më në zë të shqipes nëpër botë sjellin tipare karakteristike të të folmeve 16 zona të ndryshme, si për shembull, Prilepi dhe Krusheva (M. Ibrahimi), të folmet e Ukrianës (M. Morozova), Gostivari (I. Durmishi), Devolli (A. Saraçi-Maxhe), Çamëria (M. Hasani), Postriba (M. Bushaj), Lura (Ll. Doçi), Hasi (Peka-Ukpera), Reçi i Dibrës (M. Hasanaj), Karadaku i Shkupit (A. Hamiti), Skrapari (I. Metani), Elbasani ((M. Shopi), Rahoveci me rrethina (F. Dulaj), Struga (A. Hajdari-Qamili), Presheva (S. Agushi), Kardhiqi i Gjirokatrës (V. Kalemi). Nuk mungojnë këtu edhe punime për tipare të caktuara me përcaktimin e shtrirjes së tyre si ai i për mjetet në kuadrin e kallëzuesit të përbërë(A. Ndoja-Deda), por edhe ai për veçoritë e periudhës me nënrenditje (A. Kurani) në të folme gege dhe toske, si edhe artikulli me parime të përgjithshme për paraqitjen e tipareve sintaksore nga I. Martiri.
Në përfundim, ky vëllim qëndron në themel të punës së nisur nga Instituti i Gjuhësisë për hartimin e një atlasi të ri të sintaksës dialektore me gjithë prurjet e veta individuale nga treva të ndryshme shqipfolëse, por edhe me sugjerimet mbi shtrirjen dhe gamën e tipareve të veçanta të trajtuara në këto punime. Këtu ka marrë zanafillën pyetësori i ri për sintaksën dialektore me anë të së cilit IGJL-ja ka vjelë të dhëna nga 1200 informatorë, të dhëna të cilat janë në përpunim e sipër.
Prof. asoc. Enkeleida Kapia