shqip dhe kina

SHQIPËRIA DHE KINA: MARRËDHËNIE E NGUSHTË NË SFONDIN E LUFTËS SË FTOHTË. DOKUMENTE 1956-1978

Autori: Gjon Boriçi
Publikoi: Botimet Albanologjike
Nr. i faqeve: 652
Gjuha: Shqip
Viti i botimit: 2020

Ndër aleancat jo tradicionale të shtetit shqiptar gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, ajo shqiptaro-kineze është më e pazakonta dhe që ka ngjallur kërshëri si për studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare, ashtu dhe për publikun e interesuar. Kohët e fundit, këto marrëdhënie deri tani të pastudiuara, kanë zgjuar interesin e disa studiuesve dhe studentëve të shkollave doktorale. Disa monografi janë publikuar tashmë mbi këtë tematikë duke marrë në analizë aspekte të ndryshme të historisë së marrëdhënieve shqiptaro-kineze duke na ofruar qasje sa interesante, aq edhe teza kontradiktore, të cilat janë bazë e mirë për vijimin e debatit shkencor. Përmbledhje të tilla dokumentesh janë publikime të mirëpritura, pasi i japin mundësinë lexuesit të testojë në vetë të parë vërtetësinë e tezave të hedhura nga studiuesit. Në këtë aspekt, përmbledhja dokumentare mbi marrëdhëniet shqiptaro-kineze e dr. Gjon Boriçi, do të jetë një ndihmesë me vlerë për të gjithë ata që kërkojnë një qasje të drejtpërdrejtë në burimet dokumentare.
Ardhja e Nikita Hrushovit në krye të Bashkimin Sovjetik (BS) në mesin e viteve ’50, ridimensionoi jo vetëm Botën Komuniste, por edhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Tezat e tij për bashkekzistencën paqësore të shteteve me ideologji të ndryshme, e veçanërisht fjalimi i tij sekret në Kongresin XX dhe dënimi i kultit të individit, të krijuar nga Stalini, shkaktoi tërmet në lidershipin ekzistues të Lindjes Komuniste, e cila ishte duke përjetuar dinamika të fuqishme, që u demonstruan qartazi në ngjarjet e ndodhura në Poloni, Hungari apo edhe në Shqipëri me Konferencën III të Komitetit të Partisë së Punës së Shqipërisë (PPSH) së Tiranës.
Dinamikat e ndodhur në Lindjen Komuniste nxorën në sipërfaqe një konflikt i ri, atë ndërmjet PK të Kinës (PKK) dhe PK të Bashkimit Sovjetik (PKBS). Konflikti në thelb gjeostrategjik i diktuar nga nevoja e liderit kinez Mao Ce Dunit për të siguruar një vend të rëndësishëm lidershipi për Kinën në Botën Komuniste, pas Kongresit XX të PKBS u shndërrua në një përplasje ideologjike, e cila gjatë vitit 1960 çoi në një përplasje të hapur ndërmjet këtyre dy partive. Roli i kreut të PPSH-së, Enver Hoxhës, në këtë konflikt fillimisht ishte periferik. Qartazi lëvizjet e Hrushovit, si: përpjekjet e tij për t’u afruar me Jugosllavinë; për të rehabilituar të dënuarit e pas konfliktit të Informbyrosë me Jugosllavinë e Titos; dhe, veçanërisht, platforma e Hrushovit për destalinizmin, ishin kambanë alarmi në Tiranë. Ato krijuan pasiguri te udhëheqësi komunist i Shqipërisë së vogël, por Hoxha nuk kishte as forcën dhe as mundësinë për të reaguar hapur. Ishte e qartë se lideri i ri sovjetik, nuk e kishte shumë për zemër drejtuesin e Shqipërisë së vogël. I frikësuar për pushtetin e vet, Enver Hoxha dhe drejtuesit e lartë të PPSH-së e panë konfliktin kinezo-sovjetik si një barkë shpëtimi për pushtetin e tyre dhe jo vetëm.
Në mbledhjen e Bukureshtit (qershor 1960), pasi kishte siguruar më herët premtimin e Mao Ce Dunit për një kredi të konsiderueshme, në mënyrë të papritur përfaqësuesi i Shqipërisë mbështeti delegacionit e PKK-së, duke kërkuar që çështje e mosmarrëveshjeve kinezo-sovjetike të diskutoheshin në një takim të të gjitha partive komuniste dhe punëtore. Ndërsa në mbledhjen e 81 partive komuniste dhe punëtore, e mbajtur në Moskë nga 10 nëntori deri më 1 dhjetor 1960, qëndrimi i delegacionit të PPSH-së të drejtuar nga Enver Hoxha, në mbështetje të tezave të hedhura nga PKK-ja, e kapërceu për nga ashpërsia e retorikës edhe vetë delegacionin kinez. Ishte ky momenti që kristalizoi ‘miqësinë’ shqiptaro-kineze, e cila gjatë 20 viteve të ekzistencëssë saj kaloi në shumë sprova.
Shqipëria dhe Kina përfituan mjaft nga njëra-tjetra gjatë gati dy dekadave si në aspektin ekonomik (Shqipëria), aq edhe në atë gjeostrategjik (të dyja). Për drejtuesit e shtetit të madh aziatik, miqësia me Shqipërinë u përdor për të propaganduar në popull mbështetjen ndërkombëtare për politikat maoceduniane, ndërkohë që, në planin ndërkombëtar, Shqipëria do të ishte ‘ura lidhëse’ e Kinës me të gjitha grupet marksiste-leniniste në Evropë dhe më gjerë. Shqipëria, nga ana tjetër, përfitoi nga Kina Popullore kredi dhe ndihma financiare, të cilat ushqyhen ekonominë e brishtë shqiptare, por edhe planet ambicioze të drejtuesve të lartë ekonomike, si në fushën e zhvillimit të industrisë, ashtu edhe në aspektin ushtarak.
Njëqind e tridhjetë e shtatë dokumentet që përfshihen në këtë përmbledhje janë një rrugëtim në të gjitha këto problematika të marrëdhënieve mes Republikës Popullore të Shqipërisë dhe Republikës Popullore të Kinës që prej vendosjes e tyre në nëntor 1949 e deri në prishjen e “aleancës” të çuditshme shqiptaro-kineze më 1978. Kolegu Boriçi ka bërë një punë shumë të kujdesshme për qëmtimin e këtyre dokumenteve në arkivat kryesore të vendit. Dokumentet e përzgjedhura për t’u përfshirë në këtë përmbledhje prekin sa aspektet politike e diplomatike të marrëdhënieve shqiptaro-kineze, aq edhe ato ekonomike, ushtarake, kulturore e arsimore. Duke lexuar dokumentet lexuesi do të marrë përgjigje mbi arsyet e konfliktit të Enver Hoxhës me Liri Belishovën dhe të tjerë drejtues të lartë të PPSH në kapërcyell të viteve ’60; mbi sasinë e ndihmave dhe kredive që Republika Popullore e Shqipërisë përfitoi nga Kina e Mao Ce Dunit, si dhe mbi objektet e rëndësishme industriale, bujqësore dhe ushtarake të cilat u financuan me këto ndihma e kredi; mbi ndihmën diplomatike që Shqipëria ofroi për sigurimin e të drejtës të mohuar të Kinës Popullore në Kombet e Bashkuara; mbi ndikimin e Revolucionit të Madh Kulturor Kinez në fushatën për revolucionarizimin e mëtejshëm të jetës të ndërmarrë nga drejtuesit e lartë të PPSH-së; etj. Veçanërisht interesante janë letrat e shkëmbyera midis drejtuesve të lartë komunistë të dy vendeve në kohë të ndryshme, të cilat japin dëshmi për oscilacionet e marrëdhënieve shqiptaro-kineze, ashtu edhe intransigjencën ideologjike të drejtuesve komunistë shqiptarë. Të gjitha dokumentet plotësojnë një pjesë të mozaikut të historisë së Shqipërisë gjatë Luftës së Ftohtë dhe, si të tilla, meritojnë një lexim të kujdesshëm.