shkodra

RETRACING LATE ROMAN AND EARLY BYZANTINE DYRRACHIUM (ALBANIA). STRATIFIED CONTEXTS AND THEIR CONTENTS

Autori: Brikena Shkodra – Rrugia
Publikoi: Botimet Albanologjike
Nr. i faqeve: 709
Gjuha: Anglisht
Viti i botimit: 2020

Periudhat e tranzicionit kanë tërhequr gjithnje e me teper vëmendjen e studjuesve te shkencave Historike. Libri i tanishëm ofron një mundësi perfekte për të treguar sesi ky tranzicion i shkaktuar nga ndryshimet politike e kulturore ndikoi sa në tregtinë, ekonominë dhe jetën e përditshme po aq edhe në ndryshimin e urbanizmit dhe arkitekturës në një qytet të madh të lidhur me Adriatikun si Dyrrachium. Kjo eshte realizuar permes studimit te disa kontekstesh arkeologjike zbuluar në Durrës, me synim trajtimin e të gjithë materialit të zbuluar në to, për të tentuar njohjen më të plotë të disa aspekteve zhvillimore të jetës së qytetit antik të vonë. Aktualisht, në botimet shqiptare, ekziston një numër i kufizuar studimesh që trajtojnë tërësinë e gjetjeve të njësive arkeologjike, duke kombinuar të dhënat për të kuptuar evolucionin e monumentit ku është realizuar gërmimi dhe impaktin më të gjerë në transformimet urbane, kulturore dhe ekonomike të qytetit. Sfida inovative e ketij studimi qendron pikerisht ne modelin e zgjedhur te studimit te materialit, i cili konsideron prioritar rendesine e kontekstit stratigrafik ndryshe nga metoda tradicionale e studimit tipologjik e kronologjik. Per me teper, autori ka perdorur cdo burim te mundshem informacioni, pa humbur ne detaje si edhe pa e tejkaluar rendesine e asnjerit kundrejt tjetrit. Tërësia e objekteve të kulturës materiale që janë marrë në trajtim përbën sasinë më të madhe të trajtuar në bazë të kontekstit të zbulimit, për qytetin e Durrësit. Në formën e konceptuar, ky studim përbën një vlerë të shtuar në arkeologjinë shqiptare, duke paraqitur disa reflektime të reja rreth ceshtjeve te lidhura me rendesine e kontekstit arkeologjik.
Në terma kronologjikë, në këtë studim janë trajtuar njësi stratigrafike të periudhës kalimtare nga fundi i shek. III/fillimi i shek. IV deri në fundin e shek. VII. Bëhet fjalë për një hapësirë kronologjike e cila karakterizohet nga ndryshime të rëndësishme politike e kulturore, reflektuar në tiparet e kultures materiale, të dallueshme keto nga periudhat pararendëse dhe pasuese.
Kombinimi i të gjitha të dhënave në dispozicion kanë propozuar sugjerimin se Dyrrachiumi i shek.VI ishte shumë i ndryshëm nga qyteti romak i vonë i shek. V, si dhe nga qyteti i hershëm mesjetar i shek.VII/VIII. Ky qytet paraqitet nga dy pamje tërësisht të ndryshme nga njëra-tjetra. Nga njëra anë shfaqet një qytet me ndërtime të reja publike dhe importe të konsiderueshme gjatë shek.IV deri në gjysmën e parë të shek. V si dhe në gjysmën e parë të shek.VI, në proces transformimesh të rëndësishme urbane. Nga ana tjetër, gjatë gjysmës së dytë të shek.V dhe fillimin e shek. VIII, në aspektin urban dëshmohet përdorimi i strukturave të thjeshta, të ripërshtatura në ndërtesat e mëparshme publike, në aspektin ekonomik ka sasi të reduktuara produktesh importi dhe thjeshëzim të infrastrukturës shtëpiake. Nga fundi i shek.VI deri në fundin e shek.VII vihet re tkurrje urbane shprehur në ndryshimin strukturor dhe funksional të monumenteve publike, shoqëruar në aspektin ekonomik me rritje të importeve nga Afrika veriore dhe Levanti, krahas shtimit të prodhimit vendas. Kjo situate e ndryshme shpjegohet me ndryshimin e fokusit te qytetit nxitur nga problemet e reja politike të shkaktuara nga dyndjet sllave. Dyrrachiumi i kësaj periudhe duhet të siguronte strehim dhe ushqim për banorë të rinj, të ardhur nga prapatoka, duke përcaktuar kështu, ndoshta, një karakter ushtarak të qytetit dhe drejtuesve te tij.
Keto rezultate janë një tregues domethënës i mënyrës se si interpretimi i të dhënave arkeologjike mund shpjegojë çështje të lidhura me transformimet urbane, ekonominë dhe tregtinë antike. Për më tepër, ato ofrojnë një rast studimor se si mund të ndriçohen transformimet në kulturë dhe shoqëri, përgjatë një periudhe katër shekullore, kur kombinohen të dhënat e burimeve antike me rezultatet e kërkimeve bashkëkohore ndërkombëtare.
 
Prof. asoc. dr. Brikena Shkodra-Rrugia