nacio

NACIONALIZMI SHQIPTAR NË VITET 1912-1924

Autori: Sali Kadria
Publikoi: Botimet Albanologjike
Nr. i faqeve: 682
Gjuha: Shqip
Viti i botimit: 2020

Monografia “Nacionalizmi shqiptar në vitet 1912-1924” ka për objekt studimi, zhvillimin e nacionalizmit shqiptar gjatë kësaj periudhe historike. Studimi që po i paraqitet sot publikut ngjall interes për të kuptuar ecurinë e formësimit të nacionalizmit shqiptar; rrugët dhe proceset përmes të cilave mori trajtë identiteti dhe ideologjia kombëtare; rolin që luajti nacionalizmi për krijimin e shtetit shqiptar, veprimtarinë e tij në vitet e para të ekzistencës së shtetit shqiptar, ndikimin që pati shteti shqiptar në përhapjen e ideologjisë së nacionalizmit, rrymat dhe grupet brenda nacionalizmit shqiptar, si dhe problemet dhe alternativat e parashtruara prej nacionalistëve shqiptarë për zgjidhjen e çështjes kombëtare.
Studimi është trajtuar, duke kombinuar parimin tematik me atë kronologjik. Ai është mbështetur si në burimet arkivore shqiptare, austro-hungareze, britanike dhe italiane. Po kështu, të pasura janë të dhënat e shtypit shqiptar, të cilat hedhin dritë për të gjitha etapat në të cilat kaloi nacionalizmi shqiptar në vitet 1912-1924. Ky studim mbështetet edhe në literaturën historiografike shqiptare dhe të huaj, duke u fokusuar në pikëpamjet dhe këndvështrimin e studiuesve të njohur, si Anthony D. Smith, Miroslav Hroch dhe John Breuilly.
Monografia përbëhet nga hyrja dhe tetë krerë. Në kreun e parë, është trajtuar shfaqja e nacionalizmit shqiptar si fenomen politik. Në kreun e dytë, nacionalizmi shqiptar është vështruar në raport me faktorët ndërkombëtarë. Kreu i tretë trajton krizën e nacionalizmit shqiptar në vitete para pas Shpalljes së Pavarësisë, e cila u shoqërua me shpërbërjen e shtetit shqiptar. Kreu i katërt i kushtohet dilemave të nacionalizmit shqiptar për arritjen e paqes, pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore. Kreu i pestë analizon përpjekjet dhe mangësitë e nacionalizmit shqiptar në procesin e ribërjes së shtetit. Kreu i gjashtë pasqyron raportet e nacionalizmit shqiptar me institucionet fetare. Kreu i shtatë trajton marrëdhënien që ndërtoi nacionalizmi shqiptar me minoritetet në Shqipëri. Kreu i tetë analizon problemet që çuan në përçarjen e nacionalizmit shqiptar. Punimi mbyllet me përfundimet, burimet arkivore dhe literaturën historiografike.
Me rastin e publikimit të monografisë, autori e ndjen për obligim t’i shprehë falenderimet Departamentit të Pavarësisë dhe Konsolidimit të Shtetit Shqiptar të Institutit të Historisë, i cili i krijoi mundësinë për të punuar për këtë temë studimore. Ai falënderon veçanërisht udhëheqësen dhe konsulenten shkencore, Prof. dr. Fatmira Musaj, për ndihmën e saj të çmuar në përgatitjen e këtij punimi shkencor. Një mirënjohje të veçantë, autori ua kushton recensentëve të kësaj monografie, Akademik Prof. dr. Beqir Meta, Akademik Prof. dr. Marenglen Verli dhe profesorit bullgar Anton Panchev, të cilët i falenderon përzemërsisht për vërejtjet e sugjerimet e tyre me shumë vlerë. Gjithashtu, një mirënjohje u shpreh kolegëve të Departamentit, studiuesve të tjerë të Institutit të Historisë dhe miqve me të cilët ka biseduar dhe marrë mendime të çmuara për këtë studim. Gjithashtu, falënderon zonjat Entela Kasemi, Dorina Muka dhe zotin Enver Kushi, për punën cilësore që bënë për redaktimin dhe paraqitjen grafike të monografisë.