lugina

LUGINA E VJOSËS

Autori: Rrok Zojzi
Publikoi: Botimet Albanologjike
Nr. i faqeve: 168
Gjuha: Shqip
Viti i botimit: 2020

Lugina e Vjosës (1950) është një punë e marrë nga raportet etnografike që studiuesi Rrok Zojzi kishte dorëzuar në Arkivin e Etnologjisë. Arsyeja e përzgjedhjes së këtij raporti etnografik është për t’i mundësuar lexuesit pasjen në dorë të një materiali që gjendet në mes dy botëve, të mbledhjes nga autori në terren dhe botimit, siç ishte arkivi. Arkivi në periudhën diktatoriale ishte si një zonë me pak më shumë liri se sa ajo e botimeve, pasi nuk kërkohej që materiali të pajisej me një gjuhë aq shtetërore sa do të duhej kur ajo të publikohej. Prandaj, mendojmë se raportet etnografike të Rrok Zojzit flasin më shumë se sa botimet e tij, për mënyrën se si e konceptonte punën etnografike dhe vetë misionin e etnografisë si shkencë. Arsyeja e dytë e botimit është vetë hapësira gjeografike ku është realizuar kërkimi etnografi – pra Lugina e Vjosës. Kjo luginë dhe jeta e saj përfaqëson sot luginën e lumit të vetëm të egër në Europë. Është folur shumë për biodiversitetin, por jo aq sa duhet për habitatet kulturore rreth e rrëzë saj. Prandaj, kjo monografi etnografike, nën poetikën etnografike të Rrok Zojzit, na sjell peizazhe etnografike që ndoshta nuk janë më, por edhe që mund të gjurmohen [siç po ndodh në fakt] nga etnografë të kohës së sotme. Së treti, ky raport është përzgjedhur për të krijuar një “paratekst” për monografinë që e pason, e cila është “Ndamja krahinore”. Duke lexuar “Luginën e Vjosës”, lexuesi do ta ketë më të qartë mënyrën se si studiuesi Rrok Zojzi ka shestuar materialin etnografik para se të botonte projektin e tij “Ndamja krahinore”. Vetëm po rikujtojmë lexuesin profesional, që, për Zojzin, ndarjet dhe krijimet e entiteteve krahinore, krijohen më së tepërmi në luginat e lumenjve.

Prof. asoc. dr. Nebi Bardhoshi