hoxha

KRISHTËRIMI I HERSHËM NË PROVINCAT PRAEVALIS DHE DARDANIA (studime arkeologjike)

Autori: Gëzim Hoxha
Publikoi: Botimet Albanologjike
Nr. i faqeve: 370
Gjuha: Shqip
Viti i botimit: 2020

Ky punim monografik paraqet sintezën një pune të gjatë të kërkimit arkeologjik dhe historik, të shtjelluar dhe pasuruar në mënyrë të vazhdueshme dhe graduale. Në rrugëtimin e tij prej kërkuesi shkencor, Gëzim Hoxha e ka vendosur një gur miliar me punimin: “Scodra dhe Praevalis në antikitetin e vonë (2003)”. Kjo monografi e tij e re, më e gjërë, përbën një status quaestionis shumëplanësh, të përditësuar me një bollëshmëri të dhënash të reja, që kanë dalë në dritë nga kërkimet në terren të dy dhjetëvjeçarëve të fundit. Rivendosja e qarkullimit të lirë, jashtë kufijve të Shqipërisë, e ka lejuar autorin për të kryer aktivitete arkeologjike në Kosovë dhe përnjohje arkeologjike në territorin e Malit të Zi. Në 370 faqet e librit, janë paraqitur teksti studimor dhe një repertor i gjerë dhe i pasur ilustrimesh. Në 108 figurat e montuara në mënyrë integrale me tekstin, ka mbi 365 fotografi, 160 vizatime 80 planimetri dhe 10 harta.
Autori ndërmerr një hap i mëtejshëm, për të paraqitur në një përmbledhje studimesh komplete me të gjitha të dhënat e mbledhura, jo vetëm për monumentet, por edhe për kulturën materiale të krishtërimit të hershëm në territorin e këtyre dy provincave.
Në thelb, janë paraqitur monumentet, nekropolet, kërkime në fushën e ikonografisë dhe mjaft aspekte nga kultura materiale e krishtërimit të hershëm. Por secili prej këtyre grupeve ndërthur në vetvehte problematika të pafund për tu trajtuar shkencërisht.
Si e tillë, kjo përmbledhje studimesh synon që tu shërbejë kolegëve që merren me këtë fushë studimi, studentëve dhe mësimdhënësve e arkeologjisë së Antikitetit të Vonë. Ai ofron një informacion shumë të përmbledhur shkencor, bibliografi bashkëkohore dhe dokumentacion mjaft të pasur ilustrativ.
Në terësi, ky punim monografik mban vulën e më se tri dakadave përvojë në terren dhe kërkimi në biblioteka, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Mbi këtë bazë kemi në dispozicion një vështrim të detajuar panoramik mbi të gjithë realitetin paleokristian të provincave Praevalis dhe Dardania. Deri më sot ky terren, ka pasur vetëm një vemendje anësore në kuadrin e përgjithshëm të kërkimeve arkeologjike, të organizuara në këtë rajon të Ballkanit Perëndimor.

Prof. dr. Gëzim HOXHA