kodiku

KODIKU I KORÇËS DHE I SELASFORIT. MATERIALE DOKUMENTARE PËR SHQIPËRINË JUGLINDORE TË SHEK. XVIII – FILLIM I SHEK. XX

Autori: Përgatiti për botim Aurel Plasari
Publikoi: Botimet Albanologjike
Nr. i faqeve: 462
Gjuha: Shqip
Viti i botimit: 2020

Me dhënien për botim tanimë në format libër të veprës “Kodiku i Korçës dhe i Salasforit” Akademia e Studimeve Albanologjike ka ndjekur dy synime:
Së pari: t’u japë jo vetëm specialistëve të historisë, ekonomisë, sociologjisë, etnologjisë, antropologjisë kulturore etj., por edhe publikut më të gjerë të interesuar, një burim dokumentar nga ato që quhen dore së parë, i mbetur për shumë vite në një botim në trajtë dispense të shaptilografuar, nga ato që quheshin dikur “makete”, nën titullin përfshirës “Materiale dokumentare për Shqipërinë juglindore” (1981).
Së dyti: të kryejë një akt përnderimi ndaj njërit prej veteranëve të historiografisë shqiptare, z. Petraq Peppo, kontribues i frytshëm në disa nga fushat e saj, ndonëse jo gjithnjë i kuptuar e i pranuar nga historiografia zyrtare shqiptare, sikundër e bëjnë dëshmi edhe veprat e tij të mbetura pa u botuar.
Rëndësinë e një dokumenti si “Kodiku i Korçës dhe i Salasforit” lexuesi do ta gjejë të nxjerrë në dukje prej vetë përkthyesit, pajisësit të tij me aparatin shkencore dhe përgatitësit për botimin e hershëm:
“Kodiku i Korçës dhe i Selasforit”, sikurse materialet e tjera të kësaj natyre, pa dyshim përbën një burim të rëndësishëm për historinë shoqërore, ekonomike dhe kulturore të kohës së kaluar të vendi tonë. Ndryshe nga dokumentet e shkruara nga njerëz të huaj që vizitonin Shqipërinë për një kohë të shkurtër, duke relatuar shpesh-herë edhe në mënyrë të gabuar, “Kodiku i Korçës dhe i Salasforit” është një material vendas me vlerë më të madhe shkencore në drejtim të pasqyrimit më të saktë të problemeve, traditave dhe zakoneve shoqërore të kohës sonë”.
Në bilancin albanologjik, falë një veprimtarie gati 65-vjeçare, Petraq Peppos i numërohen kontribute me vlerë në fushat e arsimit dhe të teksteve mësimore, të studimeve historike përfshirë edhe të botimeve të ndryshme të historisë së Shqipërisë, të studimeve për gjuhën shqipe, të hulumtimeve dhe përkatësisht zbulimeve arkivore, të mbledhjes dhe botimit të dëshmive dhe kujtimeve historike etj. Nuk kam gjetur një bibliografi të tij; nëse nuk ekziston, do të ishte detyrë për t’u kryer. Skedarët e albanologjisë në Bibliotekën Kombëtare, në Bibliotekën e Akademisë së Shkencave, në Bibliotekën albanologjike të Akademisë së Studimeve Albanologjike, në Bibliotekën e Universitetit të Tiranë etj. dëshmojnë lista të pasura. Fushat ku ai zotëroi, duke spikatur, në historiografinë e re shqiptare rezultojnë dy:
1. Mbledhja dhe përgatitja për botim e kujtimeve të luftëtarëve dhe/ose veteranëve të Lëvizjes për çlirim kombëtar;
2. Studimi dhe përgatitja për botim në gjuhën shqipe e kodikëve të kishave dhe qyteteve shqiptare.