Autori: Përgatiti për botim Hasan Bello
Publikoi: Botimet Albanologjike
Nr. i faqeve: 160
Gjuha: Shqip
Viti i botimit: 2020
Këto kujtime hapen me një hyrje mbi jetën dhe veprimtarinë e Enver Hoxhës përpara themelimit të PKSH-së. Autori, i ndikuar nga atmosfera politike e kohës dhe ekzaltimi i imponuar i të gjithë shoqërisë shqiptare të pasluftës, e ngre në piedestal duke i thurur elozhe. Por ai nuk “harron” të theksojë se, Enver Hoxha e ngriti zërin dhe e thirri popullin shqiptar në luftë vetëm atëherë kur Hitleri i shpalli luftë BRSS. Kjo, sipas tij, bëri të domosdoshme edhe formimin e PKSh-së. Një fakt i tillë konfirmon se lëvizja komuniste shqiptare që nga 7 prilli 1939 deri kur BRSS hyri në luftë me Gjermaninë naziste, nuk kishte luajtur asnjë rol qoftë edhe simbolik në rezistencën antifashiste.
Kujtimet e Koço Tashkos kanë një rëndësi të madhe për historinë e lëvizjes komuniste të paraluftës. Ato hedhin dritë mbi një sërë zhvillimesh dhe raportesh të panjohura nga studiuesit dhe lexuesit. Prandaj, botimi i tyre paraqet interes për historiografinë shqiptare.
Në një shënim që mban datën 15 janar 1958, Koço Tashko shkruan se këto kujtime i kishte shkruar në vitet 1947-1948 “në një kohë dëshpërimi, ku për shkak të gjendjes së atëhershme më kish hyrë një dyshim nëse kishte vlejtur puna ime sadopak”. Kjo periudhë përkon me konsolidimin e diktaturës komuniste; me vasalitetin e plotë të Shqipërisë ndaj Jugosllavisë; me masat represive kundër elementëve që konsideroheshin armiq të regjimit; me vrasje, burgosje dhe internime të njerëzve të pafajshëm, duke ngjallur njëfarë zhgënjimi tek shumë komunistë. Por kjo periudhë përkon edhe me luftën “brenda llojit”, kur në radhët e PKSH-së zhvillohej një betejë e ashpër për kapjen e posteve drejtuese. Prandaj, zhgënjimi i një komunisti të orëve të para si Koço Tashko ishte i përligjur. Për fat të keq, siç e thekson edhe vetë Koço Tashko, këto kujtime nuk i kishte vazhduar, sepse priste të gjente një grumbull shënimesh që i kishte fshehur te Gjine Riza në Bulgarec të Korçës në vitet 1942-1943, por që ishin djegur gjatë luftës. Kështu, kishin humbur një pjesë e rëndësishme e të dhënave lidhur me lëvizjen komuniste në Shqipëri. Në një shënim të nëpunësit të ish-arkivit të PPSh-së, shkruhet se Nexhmije Hoxha kishte dhënë urdhër që këto kujtime dhe të tjera për Luftën Nacionalçlirimtare të mos botoheshin, por t`i dërgoheshin Institutit të Shkencave. Kjo për shkak se regjimi komunist përpiqej të paraqiste një histori të “rrumbullakosur” të lëvizjes komuniste në vitet 20-30-të, ndërsa për periudhën e luftës ndjeshmëria për rolin dhe protagonizmin e drejtuesve të PKSh-së ishte akoma më e madhe. Kujtimet përbënin dëshmi kontraverse me versionet zyrtare të historisë së PPSh-së, të cilët do të ndryshoheshin sa herë “zbuloheshin” grupe armiqësore dhe dënoheshin eksponentë të ndryshëm të regjimit. Origjinali i këtyre kujtimeve gjendet në Arkivin Qendror të Shtetit, në indikacionin e shënuar në referencë. Ndonëse në hyrje atyre u janë bashkëngjitur disa pjesë, duke thyer rendin kronologjik, e kemi parë të arsyeshme t`i lëmë siç janë. Autori herë pas here ka vendosur ndonjë shënim, ndërsa ato pak shpjegime të vendosura nga ana jonë gjenden me referencë në fund të faqes.