kgj vi

KËRKIME GJUHËSORE VI

Autori: Grup autorësh
Publikoi: Botimet Albanologjike
Nr. i faqeve: 372
Gjuha: Shqip
Viti i botimit: 2020

Në korrik të vitit 2017, Instituti i Gjuhës dhe Letërsisë, Akademisë së Studimeve Albanologjike, zhvilloi punimet e Konferencës së VI ndërkombëtare “Kërkime gjuhësore” në dy sesione paralele, përkatësisht me temat bosht “Leksikologji, semantikë dhe gjuhësi e zbatuar” dhe “Gramatikë, histori gjuhe dhe gjuhësi e zbatuar”.
Në kuadër të temave bosht, konferenca e përvitshme “Kërkime gjuhësore” edhe gjatë punimeve të radhës, trajtoi një larmi tematikash, duke sjellë vëshgime, vlerësime, klasifikime, problematika, arritje, pra punime studimore analizuese, krahasuese si në rrafshin teorik ashtu edhe në atë praktik, tematika të pasura me trajtime sinkronike dhe diakronike, etj.
Kumtesat e kësaj konference vijnë të botuar në përmbledhjen e akteve “Kërkime gjuhësore VI”, kryesisht të fushave të dijes së leksikologjisë, semantikës, gjuhësisë së zbatuar, gramatikës së sotme dhe asaj historike, terminologjisë, dialektologjisë, sociolinguistikës, psikolinguistikës e duke vijuar me nëndarjet më specifike të fushave përkatëse, si ajo e fjalëformimit, huazimit, frazeologjizmave, eufemizmave, metodologjisë së të nxënit të gjuhës, veçorive/tipareve dhe trajtave gjuhësore dhe stilistikore të veprave letrare, leksikografike dhe terminologjike; po aq duke u ndalur në ecurinë e procesit të terminologjizimit dhe shterminologjizimit në gjuhën shqipe, sintagmatikës në leksikografi, sintaksës gjenerative krahasuese, veçorive morfologjike të fjalës në përshtatje me pjesën tjetër të fjalisë, veçorive sintaksore të fjalisë në gramatika dhe vepra letrare, nisur nga përvoja dhe studime epirike: përçapje për ndërtimin e një gramatike elektronike të shqipes, etj.
Pasqyra e lëndës së prurjeve të Konferencës së VI ndërkombëtare “Kërkime gjuhësore” (gjithsej 31 artikuj) si më poshtë:
Në sesionin e parë me temë bosht Leksikologji, semantikë dhe gjuhësi e zbatuar kumtuan studiuesit: Valter Memisha, Vëzhgime gjuhësore pëer veprën “Shënime nga shkolla e partisë” e Daut Gumenit; Tomorr Plangarica, Prej lexuesit virtual te lexuesi real, prej “tekstit të veprës” te “teksti i lexuesit” – dhe një qasje më shumë ndaj eseve kritike të M. Kuteli; Arjan Shumeli, Lujeta Mine, Roli dhe kontributi i terminologëve shqiptarë në ecurinë e procesit të terminologjizimit dhe shterminologjizimit në gjuhën shqipe; Gladiola Durmishi (Elezi), Veçori të përgjithshme të gjuhës e të stilit në veprën “Arka e Djallit” të Dritëro Agollit, Edmond Çali, Ndihmesa e Carlo Tagliavini-t, Francesco Ercole-s dhe Giuseppe Schirò-it për revistën “Rivista d’Albania” sipas letërkëmbimit të tyre; Muharrem Gashi, Rreth disa aspekteve të eufemizmave në të folmen e Prizrenit dhe rrethinës së tij; Asime Feraj, Neologjizmat në veprën e Fatos Arapit; Gani Pllana, Terma teknikë të ngritur mbi kuptim fjalësh që shënojnë objekte dhe vegla pune; Luljeta Mine, Arjan Shumeli, Llazar Treska: një nga themeluesit e terminologjisë së pylltarisë; Erjena Lamaj, Funksioni artistik i frazeologjisë në romanin “Jetë në një kuti shkrepsesh” të Fatos Kongolit; Lindita Çifçi, Zbatimi i kompetencës së të dëgjuarit në tekstin e nxënësit “Gjuha shqipe, 6”; Nertila Zani, Përdorimi i konektorëve logjikë në tekstin argumentues; Servete Derguti, Pasuria frazeologjike e “Fjalorthit të ri” të Nikollë Gazullit; Zamira Boboli, Struktura gramatikore e gjuhës dhe metodat e të nxënit të anglishtes nga nxënësit shqipfolës; Irida Dervishi, Fjalori i Manit, vendi i tij ndër fjalorët e shqipes dhe vlerësimet për të.
Në sesionin e dytë me temë bosht Gramatikë, histori gjuhe dhe gjuhësi e zbatuar u mbajtën këto kumtesa: Anila Omari, Huazimet turke në veprën e Bogdanit; Anila Çepani, Adelina Çerpja, Probleme të përshtatjes së fjalëve përcaktuese me emrat ambigjenë; Anila Kananaj, Arritje dhe probleme në klasifikimin e përbërësve sintaksorë të fjalisë: Sintaksa e At Justin Rrotës vs Sintaksa e Akademisë; Juljana Kume Digital tools & Moodle për ndërtimin e një gramatike elektronike të shqipes (e-book Albanian grammar); Abdulla Ballhysa, Neim Zhuri, Mësueset e fshatit – lexim ndryshe i një peizazhi migjenian; Merita Isaraj, Vështrim gjenerativ i fjalive nxitëse në anglisht e në shqip; Rovena Vata, Elemente etnolinguistike në romanin “Karpa” të Martin Camajt; Jolanda Bibaj, Rendi i mbiemrave ndaj fjalës së përcaktuar; Aseda Behari, Veçori sintaksore të gjuhës poetike të Ernest Koliqit; Edvina Sojati,Veçori të disa predikateve në gjuhën shqipe, që u caktojnë më shumë se një rol tematik argumenteve të tyre; Entela Kore, Çamërishtja dhe rëndësia e saj në studimet dialektologjike; Gidiola Hysa, Marrëdhëniet sintaksore funksionale në prozën popullore; Lulzime Kryemadhi, E folmja e Peqinit dhe vendi i saj në strukturën dialektore të shqipes – pozicioni gjeografik dhe historia; Julian Qamo, Sintagmatika ilustruese në leksikografi; Aishe Sula, Raporti i kohëve e pakryer, e kryer e thjeshtë dhe e kryer në mënyrën dëftore të gjuhës shqipe; Albulena Pllana Breznica, Fisnike Pllana, Roli i ushtrimeve për mësimin e gjuhës angleze në shkollat e mesme dhe të larta të Kosovës.
Prof. asoc. dr. Juljana KUME