indoktrinimi

Indoktrinimi komunist përmes kulturës, letërsisë dhe artit – Dokumente historike (1974-1976)

Autori: Beqir Meta, Afrim Krasniqi, Hasan Bello
Publikoi: Emal
Nr. i faqeve: 678
Gjuha: Shqip
Viti i botimit: 2020

Shiko versionin elektronik

Vëllimi III “Indoktrinimi komunist përmes kulturës, letërsisë dhe artit” përmbledh dokumente të periudhës 1974-1976. Kjo është një periudhë e shkurtër kohore, por me impakt të madh në nivelet e indoktrinimit kulturor në Shqipëri. Pas fushatës së spastrimeve politike ndaj drejtuesve të kulturës dhe institucioneve kryesore, paraqitur në mënyrë të detajuar në vëllimin e dytë të kolanës mbi indoktrinimin, procesi i censurës, diferencimit, gjykimit ideologjik dhe i formalizmit të krijimtarisë vijoi me intensitet të lartë midis viteve 1973-1976.
Vëllimi III pasqyron impaktin që pati në kulturë fushata e spastrimeve të tjera në PPSH, kryesisht në fushën e mbrojtjes, si dhe thellimi i masave ndaj çdo kontakti kulturor me BRSS dhe botën perëndimore. Ky vëllim ofron detaje të analizës, korrespodencës, akteve zyrtare të retushimit dhe censurës drastike ndaj veprave letrare, botimeve historike, prodhimeve kinematografike deri tek broshurat turistike dhe buletinet historikë në shkolla e reparte ushtarake. Botimi sjell raste konkrete të relacioneve, vendimeve dhe sugjerimeve për censurë mbi emra nga më të njohurit në kulturën dhe krijimtarinë shqiptare, përfshirë filmin e vetëm dedikuar heroit kombëtar Skënderbej, poetin kombëtar Naim Frashëri, etj. përpjekja për të kërkuar në krijimtarinë e autorëve të rilindjes elementë ideologjikë që censuroheshin në vitet ’70, siç janë krijimet me natyrë fetare apo përdorimi i fjalës Zot, etj, si dhe përpjekja për rishkrimin e të gjitha botimeve ku duheshin retushuar të dhënat, fotot dhe emrat e figurave tashmë të dënuar si armiqësore në luftën e brendshme për pushtet në PPSH, janë vetëm disa prej risive të këtij botimi. Pjesë tjetër janë udhëzimet për modelet e letërsisë dhe artit të realizimit socialist, udhëzimet për lidhjen e kulturës me jetën sociale dhe klasën punëtorëve, udhëzimet për listën e librave dhe titujve të ndaluar apo për kontroll të rreptë të çdo botimi që vjen nga jashtë, përfshirë edhe ato nga BS apo Kosova.
Në botim ka dhjetëra raste ilustruese të nivelit të lartë të indoktrinimit dhe censurës, ku spikat rasti i një tregimi, ku personazhi ngjason me jetën reale të një prej “puçistëve” të dënuar me grupin armiqësor në ushtri, apo rasti i luftës së biografive ndaj figurave më të njohura të kinematografisë me konceptin se në skenë duhet të jenë vetëm ata me biografi 100% të pastër familjare. Lehtësia me të cilën autoritetet politike vendosnin mbi karrierën e individëve, artistëve e shkrimtarëve si dhe lehtësia me të cilin bëhej ndëshkimi i tyre mbi baza ideologjike, është pjesë e një numri të madh dokumentesh të kësaj periudhe.
Ashtu si vëllimi I dhe II, edhe vëllimi III i ka qëndruar besnik standardeve profesionale të trajtimit të dokumenteve zyrtare, duke respektuar origjinalitetin, burimin dhe kronologjinë. Në botim nuk ka komente dhe as ndryshime nga teksti origjinal, si dhe nuk ka ndërhyrje as në ligjërimin zyrtar të kohës.
Botimi është realizuar nga profesor Beqir Meta, studiuesi Hasan Bello dhe unë (Afrim Krasniqi) dhe është pjesë e kolanës me botime të dokumentacionit mbi indoktrinimin mbështetur nga Fondacioni gjerman “Konrad Adenauer” në Shqipëri, projekt që ka nisur më 2018 dhe do të vijojë edhe në vitet e ardhshme.