his

HISTORIA E SHQIPTARËVE GJATË SHEK. XX (VËLLIMI I III)

Autori: Grup autorësh
Publikoi: Botimet Albanologjike
Nr. i faqeve: 800
Gjuha: Shqip
Viti i botimit: 2020

Botimi “Historia e shqiptarëve gjatë shek. XX” vëll. III që i paraqitet sot publikut, i kushtohet periudhës së viteve 1925-1939 dhe shënon një arritje tjetër me rëndësi në procesin e rishkrimit të historisë së shqiptarëve, përmes një vepre përgjithësuese.
Ky projekt ka patur për qëllim të reflektojë rezultatet e studimeve të reja shkencore dhe të pasqyrojë pikëpamjet alternative që ekzistojnë lidhur me shumë çështje historike të debatueshme. Gjithashtu, synim kryesor ka qenë hulumtimi më në gjerësi e thellësi i arkivave shqiptare e të huaja për çështje të veçanta, për rishqyrtimin e shumë tezave historiografike ose thellimin e argumentimin e mëtejshëm të tyre.
Botimi ka sjellë mjaft të reja shkencore, si dhe informacioni i dhënë ka qenë më i detajuar. Në këtë botim është shqyrtuar në tërësi e gjithë periudha e Republikës dhe e Mbretërisë Shqiptare, e cila përfshin vitet 1925-1939, duke sjellë një sërë kontributesh të reja në lidhje me formën dhe karakterin e shtetit, legjislacionin, reformat e shumta politike, ekonomike dhe shoqërore. Në këtë botim është analizuar efektiviteti i reformave, si dhe janë studiuar problematikat që ka shfaqur shteti shqiptar. Studimi sjell risi në studimin e politikave të brendshme të shtetit shqiptar, në rolin që pati Shqipëria në marrëdhëniet ndërkombëtare, në trajtimin e problemeve ekonomike dhe sociale, në historinë e letërsisë shqiptare së kësaj periudhe si dhe ka qartësuar më shumë rolin dhe kontributin që dha diaspora shqiptare. Në botimet e mëparshme, këto çështje nuk kanë qenë trajtuar në mënyrë të detajuar, ndërsa në këtë botim ka konkluzione e teza të reja për këto fusha. Botimi është i pajisur me referenca burimore, të cilat kanë një intensitet të ndryshëm në përputhje me faktet ose burimet e reja që janë sjellë.
Gjatë punës kërkimore u studiua gjerësisht literatura historiografike shqiptare dhe e huaj, duke e vënë theksin në botimet më të reja, si dhe u krye një hulumtim i gjerë në disa arkiva të huaja, në Itali, Britani e Madhe, Francë, Gjermani, SHBA, Turqi, Maqedoni, Bullgari, Mali i Zi, Kosovë. Gjithashtu një vëmendje e posaçme u është kushtuar edhe hulumtimeve në arkivat dhe fondet arkivore të Shqipërisë.
Për realizimin e këtij projekti u angazhuan studiues nga të gjitha trevat shqiptare, të cilëve iu shprehim mirënjohjen për kontributin e çmuar që kanë dhënë. Autorët e këtij vëllimi janë: akademik prof. dr. Beqir Meta, akademik prof. dr. Marenglen Verli, prof. dr. Emine Bakalli, dr. Hasan Bello, docent Teodor Kareco, prof. dr. Fatmira Musaj, prof. dr. Fatmira Rama, prof. asoc. dr. Pranvera Dibra, prof. dr. Laura Smaqi, prof. dr. Gjergj Sinani, prof. dr. Halim Purellku, prof. dr. Lush Culaj, prof. asoc. dr. Robert Gjedia, prof. dr. Hamit Kaba, dr. Marenglen Kasmi, dr. Iljaz Gogaj, dr. Zamir Shtylla dhe ma. Sokol Gjermëni.
Studimi u diskutua dhe u miratua në Këshillin Shkencor të Institutit të Historisë. Autorët falënderojnë të gjithë anëtarët e Këshillit Shkencor që ndihmuan me vërejtjet dhe sugjerimet e tyre të çmuara në përmirësimin e studimit dhe plotësimin e mangësive të konstatuara. Një falënderim dhe vlerësim i veçantë shkon për akademik prof. dr. Marenglen Verlin dhe prof. dr. Emine Bakallin, të cilët dhanë një ndihmesë të qenësishme për përmirësimin e botimit. Një falënderim, po kaq i veçantë, i drejtohet kolegëve shumë të respektuar të Institutit të Historisë, prof. asoc. dr. Ledia Dushku, prof. asoc. dr. Afrim Krasniqi, dr. Hasan Bello, dr. Sali Kadria, dhe dr. Ardian Muhaj, të cilët e lexuan dorëshkrimin me shumë vëmendje, duke bërë sugjerime të vlefshme për përmirësimin e tij. Gjithashtu, stafi ndihmës shkencor i Institutit të Historisë, Meliha Balla, Mirela Mihali, Ornela Haka, meritojnë mirënjohje për punën cilësore dhe voluminoze që kanë kryer.
Ky botim është një përpjekje për të çuar përpara shkrimin e historisë sonë kombëtare përmes një vepre gjithëpërfshirëse sintetike, duke u bazuar në arritjet më të qenësishme shkencore. Duke shpresuar se me këtë kontribut të ri shkencor është arritur qëllimi, autorët janë të ndërgjegjshëm se mbeten ende shumë çështje shkencore që kërkojnë zgjidhje e hulumtime të mëtejshme. Besojmë se botimet e ardhshme do të sjellin kontribute të reja, duke thelluar më tej studimet në këtë fushë.