celiku

GEGËRISHTJA JUGPERËNDIMORE

Autori: Mehmet Çeliku
Publikoi: Botimet Albanologjike
Nr. i faqeve: 468
Gjuha: Shqip
Viti i botimit: 2020

Vëllimi me titull ‘GEGËRISHTJA JUGPERËNDIMORE’ (2020) përfshin studimin në fushën e dialektologjisë ‘Gegërishtja jugperëndimore’, 260 faqe të daktilografuara, i përgatitur si studim monografik, disertacion për gradën shkencore ‘Kandidat i Shkencave’ në vitin 1980, i pabotuar, si dhe artikujt shkencorë të profesor Çelikut të përqendruar në fushën e dialektologjisë, të botuar në “Studime filologjike” dhe “Buletinin e USHT”, që shtrihen në një hapësirë kohore prej vitit 1962 – 1971. Objekt studimi i këtyre artikujve janë të folmet e Shqipërisë së Mesme. Po kështu janë përfshirë në këtë vëllim edhe disa artikuj të periudhës 2000-2017 të fokusuar në çështje të përgjithshme dialektologjike, si ‘Rreth studimit të formave të pashtjelluara në rrafshin dialektor’, ‘Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe’, ‘Recension i veprës ‘Atlasi Dialektologjik i gjuhës shqipe’ dhe ‘Dukuri sintaksore me interes dialektor në gjuhën shqipe’.
Disertacioni, që përbën edhe bërthamën e vëllimit, është i organizuar në shtatë krerë: I. Parathënie, II. Hyrje, III. Fonetikë, IV. Morfologji, V. Sintaksë, VI. Leksik, VII. Përfundime. Botimi i studimit monografik paraprihet nga një paraqitje e thukët dhe e plotë e veprimtarisë shkencore të prof. Mehmet Çelikut në fushën e gjuhësisë, e arritjeve teorike e praktike që kanë shënuar studimet e tij në fushën e morfologjisë, sintaksës, kulturës së gjuhës, leksikografisë, shqipes standarde etj., e përgatitur nga Prof. Dr. Valter Memisha.
Siç pohon vetë autori, objekt i studimit të pranishëm, që ka zgjatur disa vite, janë të folmet e krahinave të Durrësit, të Tiranës e rrethinave të tyre, të Ndroqit, të Pezës, të Kavajës, të Peqinit e të Kërrabës, që përfaqësojnë mirë nga ana gjuhësore të folmet e rretheve Durrës, Tiranë, përfshirë edhe ndonjë të folme perëndimore të rrethit Elbasan. Materiali dialektor është mbledhur në 25 qendra të banuara, falë ekspeditave të zhvilluara në periudhën mars 1959 – qershor 1967.
Në hyrje është dhënë një pasqyrë e detajuar e shtrirjes territoriale të gegërishtes jugperëndimore, si dhe e gjendjes së studimeve mbi të folmet përkatëse. Ndër dukuritë fonetike objekt studimi janë bërë theksi, gjatësia, hundorsia e zanoreve, tiparet fonetike që shfaqin zanoret e theksuara dhe ato të patheksuara, diftongjet, tiparet e bashkëtingëlloreve, si dhe dukuri të tilla si:shurdhimi i bashkëtingëlloreve të zëshme fundore, sonorizimi i disa bashkëtingëlloreve kryesisht në ballë të fjalës, fenomeni i rënies së disa bashkëtingëlloreve dhe fenomeni i elizionit, fenomeni i shtesës së tingujve dhe ai i asimilimit etj.
Ndër çështjet morfologjike të spikatura në të folmet përkatëse zënë vend gjinia, shumësi i emrit dhe format rasore; numërori një; nyja e përparme një; variantet fonetike dhe morfologjike të përemrave; dukuri që lidhen me kategorinë gramatikore të kohës, të mënyrës lidhore e urdhërore, të ndërtimit të formave të përbëra, si dhe të formave të pashtjelluara për sistemin foljor.
Dukuritë sintaksore përfshijnë përdorimin e paskajores, trajtat e shkurtra, togjet foljore, përshtatja e kallëzuesit me emrat kolektivë, rendi i fjalëve, përdorimi i të kryerës për të kryerën e thjeshtë.
Problematika e leksikut të kësaj të folmeje përfshin tipat e fjalëformimit, pasurinë leksikore të klasifikuar sipas fushave përkatëse semantike, fjalë të rralla dialektore, njësitë frazeologjike dhe fjalët e huaja.
Dr. Leonard Dauti