xhuvani

FJALOR I GJUHËS SHQIPE

Autori: Përgatiti për botim Engjëllushe Karaj
Publikoi: Akademia e Studimeve Albanologjike në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë
Nr. i faqeve: 757
Gjuha: Shqip
Viti i botimit: 2020

Engjëllushe Karaj përgatiti për botim “Fjalorin e gjuhës shqipe” të Aleksandër Xhuvanit, si kryerje e një detyrimi shkencor dhe institucional, në prag të 60-vjetorit të vdekjes së këtij personaliteti të shquar të albanologjinë e të kulturës sonë kombëtare.
1. Vepra është titulluar kështu, për dy arsye:
a. Që në nisje të punës për mbledhjen e leksikut nga vetë A. Xhuvani “ishte vendosur” që lënda të përfshihej në një botim që, përqasur me Fjalorin e K. Kristoforidhit, do të ishte i atij lloji. Meqenëse vepra e K. Kristoforidhit është quajtur “Fjalor i gjuhës shqipe” (1904), u mendua që edhe “Kristoforidhi i vogël”, pra fjalori i prof. A. Xhuvanit, të quhej “Fjalori i gjuhës shqipe”.
b. A. Xhuvani mblodhi lëndë leksikore me një shtrirje të madhe gjeografike gjithandej trojeve shqiptare si dhe me një thellësi të kënaqshme kohore, me leksik që nga veprat e autorëve të vjetër e deri tek ato të autorëve që jetonin kur profesori ishte gjallë.
2. Fjalori ka rreth 18.500 fjalë dhe 1.500, shembuj të shumët ilustrues, nga ligjërime të folura dhe ligjërime të shkruara gjithashtu në të vjen një pasuri e madhe etno-kulturore etj. Ai zë vend një pasuri arkivore me rëndësi gjuhësore kombëtare, përmes 45.000 skedave.
3. Fjalori pasqyron punën për të regjistruar saktë fonetikisht dhe semantikisht njësitë, ashtu si i ka dëgjuar dhe siç i ka lexuar, një kriter i punës në terren dhe i leksikografisë dialektore. Fjalori kthehet në dokumentues të pasurisë e njëherazi në ruajtës të saj nga dëmtimi apo humbja.
4. Prof. A. Xhuvani për të dhënë saktë e përpikërinë e kuptimeve ka përdorur fjalë nga disa gjuhë, greqishte, italishte, latinishte, frëngjishte, gjermanishte, rumanishte etj. Engjëllushe Karaj ka bërë një punë të vyer për të bërë verifikimin e saktësisë të referimeve te këto gjuhë.
5. “Fjalori” i A. Xhuvanit botohet vetëm pas 60 vjetësh. Pas vdekjes së tij, prof. Mahir Domi dhe prof. Qemal Haxhihasani botuan një pjesë të madhe pasurisë leksikore në “Studime filologjike”, por ajo ishte e paplotë. Lënda e papërfshirë e kalonte masën 30 % të gjithë pasurisë.
6. Engjëllushe Karaj, nën drejtimin e Valter Memishës, filloi punën për përgatitjen e Fjalorit që kemi në dorë. Ai mbart gjurmët e kohës ashtu si mbart edhe punën jopërfundimtare të autorit për ta përgatitur vetë këtë pasuri si fjalor të veçantë. Veprës i mungon puna e mirëfilltë hartuese, redaktuese e korrektuese e autorit. Në të është ndërhyrë, por me masë.
7. E. Karaj punoi për gjetjen e gjithë pasurisë leksikore, e cila u kompjuterizua, u sistemua u plotësua në fjalë e kuptime, u bënë ndreqje e saktësime leksikore e semantike, saktësime e sistemime të ilustrimeve të zërave, ndreqje shembujsh, referimesh vendesh, autorësh e veprash. U ndërhy për ta sjellë gjithë lëndën afërsisht në kërkesat leksikografike të kohës. Kjo qe një punë e stërlodhshme, e gjatë që kërkoi, jo thjesht energji e përkushtim, por edhe profesionalizëm.
8. Tek Fjalori i prof. A. Xhuvanit nuk duhet kërkuar gjithçka e plotësisht si kërkohet nga një vepër e tillë (fjalor) në ditë e sotme. Ai përfshin edhe variante fonetike leksikore dialektore për shumë fjalë, për të cilat, nuk është ndërhyrë për të zgjedhur trajtën fonetiko-morfologjike përfaqësuese. Variantet fonetike janë dhënë në plotërinë e tyre. Kjo zgjidhje nuk e zbeh vlerën e veprës. Përkundrazi ajo bëhet treguese e punës së madhe të profesor A. Xhuvanit, për të qëmtuar, për të regjistruar gjithçka e për të mos anashkaluar asgjë.
9. Vepra që kemi tani në duar, ka mundësuar të sjellë gjithçka na la trashëgim profesor për një fjalor të mundshëm. Por ne nuk duhet të befasohemi, nëse fjalori shpesh kthehet edhe në një enciklopedi të zërave, me informacion jo thjesht gjuhësor, por edhe kulturor, historik, etno-kulturor etj. Përdoruesi, kur të kontaktojë me veprën e botuar, do ta shohë e do ta vlerësojë vetë edhe këtë prurje të veprës! Merita është vetëm e vetëm e prof. Aleksandër Xhuvanit.
Prof. dr. Valter MEMISHA