dushan

DUSHAN MUGOSHA: KUR ISHA NË SHQIPËRI. KUJTIME

Autori: Hasan Bello
Publikoi: Botimet Albanologjike
Nr. i faqeve: 238
Gjuha: Shqip
Viti i botimit: 2020

D. Mugosha ishte me origjinë malazeze. Ai ka lindur në vigjilje të Luftës së Parë Botërore, në Leshkopol, afër Podgoricës. Pas pushtimit të Malit të Zi nga ushtria austro-hungareze, familja e tij u internua, ndërsa të atin ia pushkatuan.
Në vitet e Luftës së Dytë Botërore D.Mugosha ishte anëtar i Komitetit Qendror të Kosovës dhe Metohisë në Pejë. Me vendim të KQ të PKJ-së dhe Titos, D.Mugosha u dërgua në Shqipëri, ku së bashku me Miladin Popoviçin, dhanë kontributin kryesor për themelimin e PKSH-së.
Në këto kujtime D. Mugosha bën një rezyme të punës që kishte zhvilluar në gjirin e lëvizjes komuniste, duke nënvizuar aspektet kryesore të organizimit të PKSH-së dhe ushtrisë partizane. Bashkëngjitur me këto kujtime, nga revista “NIN” është botuar edhe një shkrim kritik i gjeneralit në pension Jagosh Uskokoviç nga Sarajeva, i cili hedh dritë lidhur me disa pasaktësi për ngjarjet dhe vendndodhjen e shtabit të ushtrisë jugosllave (dhe jo për kujtimet e tij lidhur me Shqipërinë). E njëjta gjë vlen edhe për pensionistin tjetër nga Titogradi, i dekoruar me medaljen e “kujtimit partizan”, Radivoje Radovanoviç, të cilat revista “NIN” i ka botuar për etikë.
Konsultimi i këtij materiali nga studiuesit dhe drejtuesit e shtetit komunist, për nevoja të ndryshme mund të bëhej vetëm me leje të posaçme. Kjo tregon se, për nomeklaturën e lartë komuniste, informacionet dhe versioni i ofruar nga i dërguari i PKJ-së në vitet e LDB në Shqipëri, për të themeluar, organizuar dhe drejtuar së bashku me M.Popoviçin dhe emisarë të tjerë jugosllavë PKSH-në, përbënte informacion të klasifikuar, e që binte ndesh me literaturën dhe studimet e kohës si “Historia e PPSH-së” etj.
Kujtimet e Dushan Mugoshës “Kur isha në Shqipëri”, sipas porosisë që iu dha Spiro Dedes nga drejtoresha e Institutit të Studimeve Marksiste Leniniste dhe bashkëshortja e diktatorit Nexhmije Hoxha, iu dorëzuan Ramadan Çitakut, i cili kishte shërbyer si përkthyes i D.Mugoshës. Ai u bashkëngjiti atyre një kritikë në përputhje me interesat politike e propagandistike të kohës. “Bacës”, siç e thërrisnin Ramadanin që nga koha e luftës, nuk i ngelej gjë tjetër, veçse të hidhte poshtë shumë pretendime të D.Mugoshës. Ai duhej të minimizonte rolin e tij dhe të emisarëve sllavë për themelimin e PKSH-së dhe organizimin e luftës partizane. Kjo duhej bërë, në përputhje me qëndrimet publike të Enver Hoxhës.
Për korrektësi shkencore, kemi vendosur që, bashkëngjitur me kujtimet e D.Mugoshës, të botojmë edhe shënimet e Bacës. Këto kujtime ndodhen në Arkivin Qendror të Shtetit në fondin 14 (isharkivi i PPSH-së) dhe janë përkthyer nga një punonjës i Agjencisë Telegrafike Shqiptare me inicialet M.Se. Ky material shoqërohet në botimin origjinl me disa foto ilustruese, të cilat për shkak se nuk ndodhen në përkthim, diçiturat e tyre janë vendosur në referencë në vendin përkatës. Shpresojmë që këto kujtime të jenë një burim alternativ për historiografinë shqiptare.