mehmeti

DIPLOMACIA E BRITANISË SË MADHE NË MARRËDHËNIET SHQIPTARO-JUGOSLLAVE, 1919-1939

Autori: Armend Mehmeti
Publikoi: Botimet Albanologjike
Nr. i faqeve: 510
Gjuha: Shqip
Viti i botimit: 2020

Libri “Diplomacia e Britanisë së Madhe mbi marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave 1919-1939”, paraqet raportet midis Shqipërisë e Jugosllavisë shikuar nga këndvështrimi britanik. Libri fillon me një trajtim politik të raporteve midis popullit shqiptar dhe atij serb, duke filluar që nga shekulli XIX, ndërsa vazhdon me tezën bosht të këtij punimi që janë raportet midis Shqipërisë e Jugosllavisë midis dy luftërave botërore, gjithnjë nën vështrimin e diplomacisë britanike.
Po ashtu, libri trajton edhe çështjet ekonomike, zhvillimet ekonomike midis Shqipërisë e Jugosllavisë, ndërsa në rol i veçantë i jepet luftës për koncesione ekonomike në Shqipëri midis Italisë e Jugosllavisë.
Libri i jep një rëndësi të veçantë edhe Kosovës, pasqyron qëndrimet e diplomatëve britanikë për popullsinë shqiptare në Kosovë, luftën e tij për liri, politikën e Beogradit, perspektivën, si dhe interesimin e shtetit shqiptar për bashkëkombësit e vet.
Libri ofron edhe risi tjera, ofron të dhëna për rolin e diplomatëve britanikë në politikën e brendshme shqiptare, perceptimin e tyre ndaj zhvillimeve politike, perspektivën e Shqipërisë si shtet, etj.
Po ashtu ofrohen edhe një korpus dokumentesh nga provenienca britanike, të hulumtuara, grumbulluara dhe përkthyera nga vetë autori.
Në fund dëshiroj të shpreh falënderimet e veçanta dhe mirënjohjen e thellë për konsulentin dhe redaktorin shkencor, Akad. prof. dr. Marenglen Verlin, për këshillat dhe mbështetjen gjatë gjithë kohës së hartimit të këtij punimi. Falënderoj kolegët në Institutin e Historisë nën Tiranë, të cilët patën mundin për të lexuar dhe ofruar vërejtje e sugjerime të duhura. Falënderoj gjithashtu drejtorin e Institutit, Akad. prof. dr. Beqir Meta, njëheri recenzent i monografisë, si dhe recenzenten, Prof. assoc. dr. Ledia Dushkun, për ndihmën dhe këshillat në hartimin e kësaj monografie. Po ashtu, shfrytëzoj rastin për të shprehur mirënjohjen dhe falënderimet më të sinqerta për gjithë ata që më kanë mbështetur dhe ndihmuar në realizimin e këtij punimi.