kole ashta

ÇASHTJE MBI ÇASHTJE

Autori: Kolë Ashta (Përgatiti për botim Stefan Çapaliku)
Publikoi: Botimet Albanologjike
Nr. i faqeve: 338
Gjuha: Shqip
Viti i botimit: 2020

Puna për përmbledhjen e kontributit letrar të profesor Kolë Ashtës i ka ngjasuar punës së një arkeologu, i cili gjen, shpluhrosë, pastron, lexon dhe merr në dorë me kujdes copat e thyera të një vazoje, të gjetura ndën shtresën e nëpërkëmbur të një trualli historik. Më pas ky koleksion copëzash duhej të montohej me logjikën e një “puzzle” për të rikrijuar vazon e plotë dhe pa asnjë vrimë. Kështu ka ndodhur edhe me punën për përgatitjen e librit “Kolë Ashta, vepra letrare 1936-1944”.
Libri ndahet në 11 kapituj: I. Folkoristika, II. Mbi letërsinë e vjetër shqipe, III. De Radologi, IV. Mjedologi, V. Fishtologi, VI. Autorë dhe vepra të tjera, VII. Recensione, VIII. Eseistikë, IX. Krijimtari origjinale: IX. 1. Poezi, IX. 2. Prozë, X. Përkthime, X.1. Poezi e përkthyer, X. 2. Prozë e përkthyer, XI. Bibliografi dhe literaturë.
Vepra përbëhet nga rreth 90 zëra bibliografikë dhe rreth 20 burime të tjera mbi veprën e profesorit. Në libër gjithashtu gjenden edhe disa imazhe interesante mbi jetën dhe veprën e profesorit. Me botimin e këtij libri studiuesit e letërsisë shqipe, studentët, shkollarët e tjerë, por edhe lexuesit e thjeshtë do gjejnë perspektiva të reja nga mund të këqyrin zhvillimet e letërsisë shqipe nga ajo më e vjetra deri të bashkëkohësit e Kolë Ashtës. Gjithashtu ato do njihen edhe me vrullet estetike të një djaloshi, të nisur për t’u bërë shkrimtar, por të kthyer në fillim të rrugës, për t’u marrë më vonë eskluzivisht me filologji.
Prof. dr. Stefan Capaliku