candavia

CANDAVIA 8

Autori: Grup autorësh
Publikoi: Botimet Albanologjike
Nr. i faqeve: 480
Gjuha: Shqip
Viti i botimit: 2020

Revista Candavia është një nga dy periodikët e botuar nga Instituti i Arkeologjisë. Duke filluar nga viti 2020, në të cilin botohet numri 8 i revistës, kjo e fundit do t’i dedikohet vetëm botimit të raporteve të gërmimit të realizuara nga studiuesit e këtij Instituti, shpesh herë në bashkëpunim me universitete ose qendra kërkimore të huaja. Candavia nr. 8, u përgatit për botim nga një bord editorial me gjashtë anëtarë: kryeredaktore Dr. Albana Meta, Sekretar Dr. Altin Skënderaj, anëtarë Dr. Rovena Kurti, Dr. Sabina Veseli, Dr. Brikena Shkodra dhe Dr. Elio Hobdari. Ky numër i revistës ka mbledhur 25 artikuj/raporte mbi kërkimet arkeologjike të realizuara nga studiues të IA gjatë viteve 2018-2019. Revista hapet me kërkimet arkeologjike në fushën e prehistorisë ku përfshihen rezultatet e gërmimeve arkeologjike në Vlushë të rrethit të Skraparit, të cilat kanë rifilluar pas rreth tre dekadash; një prezantim mbi vëzhgimin arkeologjik në zonën e Shqipërisë veri-lindore, Lezhë-Shkodër, duke sjellë një seri risish mbi tumat e gurit dhe qendrat e fortifikuara të kësaj zone; rezultatet e vëzhgimit sistematik në lartësitë kodrinore të Pellgut të Korçës për të krijuar një hartë të siteve arkeologjike të tij; një raport mbi varrezën tumulare të Himarës, i cili është rezultat i gërmimeve të shpëtimit në të; si dhe rezultatet e vëzhgimit sipërfaqësor ne Luginën e Shushicës, duke sjellë të dhëna interesante nga ky rajon.
Në kuadrin e kërkimeve mbi periudhën e antikitetit revista sjell rezultatet e fundit të tyre përmes një serie artikujsh që përfshijnë një hapësirë të madhe gjeografike dhe kronologjike. Kërkimet shumë vjeçare në Apoloni, Phoinike, Hadrianopolis dhe Luginën e Drinosit paraqiten në artikuj me të dhënat e reja nga këto qendra të rëndësishme duke përfshirë një hark kohor që fillon nga shek. VI p.e.s. deri në periudhën romake, e në ndonjë rast me gjetje edhe të periudhës mesjetare. Rimarrja e gërmimeve gjatë viteve të fundit në disa qendra të rëndësishme arkeologjike si Zgërdhesh, Amantia, Bylis, Butrint ka sjellë rezultate të reja prej tyre të cilat kanë zënë vend në faqet e revistës me artikujt respektivë. Me interes është prezantimi në revistë i kërkimeve të fundit mbi topografinë e Dyrrahut si dhe rezultatet e një gërmimi shpëtimi për një varr monumental nga Klosi. Kërkimet në periudhën e Antikitetit të Vonë dhe të Mesjetës zënë një vend të rëndësishëm në këtë numër të revistës Candavia. Ato janë të larmishme dhe përqendrohen në Durrës, nga i cili vijnë dy artikuj: njëri mbi Antikitetin e Vonë dhe tjetri mbi gërmimet në amfiteatër; në Koman ku kërkimet tashmë janë përqendruar jo vetëm në varrezën mesjetare por dhe në zbulimin e vendbanimit; në Elbasan ku gërmimet janë përqendruar në zbulimin e relikerit; në kishën e Shën Mërisë në Mamurras; në Drisht dhe në dioqezën mesjetare të Sapës, kërkime këto që ende kanë nevojë të zgjerohen; në Maligrad, ku gërmimet, kryesisht të periudhës mesjetare, kanë filluar rishtazi. Në këtë numër të revistës Candavia zënë vend dhe dy artikuj mbi gërmimet e shpëtimit në dy monumente kulti, xhami, të epokës moderne respektivisht xhamia e Tabakëve në Vlorë dhe xhamia në Shkozë, të Malishevës, në Kosovë.
 
Dr. Albana Meta