Autori: Rrok Zojzi
Publikoi: Botimet Albanologjike
Nr. i faqeve: 120
Gjuha: Shqip
Viti i botimit: 2020
Çamëria [1952, dorëzuar në arkiv në 1981] është monografia më domethënëse e kësaj kolane, kjo për disa arsye. Më së pari, për shkak se kemi në dorë monografinë e parë të një studiuesi të lëmit të etnografisë nga Shqipëria kushtuar Çamërisë. Duke shtuar këtu që kushti se si është realizuar kërkimi etnografik është krejt specifik – kërkim etnografik me banorë të Çamërisë të përzënë me dhunë nga trojet e veta. Ndërkohë, e gjithë kjo realizohej në situatë diktatoriale në Shqipëri. Zojzi e kryen gjithë punën në vitin 1952, ndërkohë që në Arkivin e Etnologjisë e sjell pasi ka dalë në pension – viti 1981. Së dyti, kjo punë nuk u botua, edhe pse ishte konceptuar si monografi që në krye të herës. Monografia është paraqitur ashtu sikur e ka dorëzuar autori. Aty bie në sy që Zojzi ndjek perspektivën e tij në etnografi, ku i jep prioritet determinizmit gjeografik e, specifikisht, ‘luginës së lumit’. Por kjo etnografi kërkon qasje historike mbi demografinë, etnicitetin dhe dallimet kulturore. Të gjithë këto vijnë si tema dhe shqyrtohen në monografinë në fjalë. Sikurse dhe botimet e mësipërme, monografia “Çamëria” është pajisur me një parathënie kritike dhe materiali është redaktuar duke evituar përsëritjet e panevojshme, por në secilin rast është ruajtur gjuha e autorit.
Prof. asoc. dr. Nebi Bardhoshi