Autori: Rrok Zojzi
Publikoi: Botimet Albanologjike
Nr. i faqeve: 226
Gjuha: Shqip
Viti i botimit: 2020
Atlasi etnografik është projekti më domethënës, pasi në vetvete kërkon që të sjellë një ndërthurje të të gjithë projekteve që i kanë paraprirë, por edhe të ndërtojë një projekt akoma më ambicioz – siç ishte “Atlasi etnografik”. Veç punës që do të realizohej nga studiues vendas, Atlasi etnografik kërkonte edhe shqyrtimin e projekteve ndërkombëtare. Monografia që po prezantojmë është një ndërlidhje mes tre studimeve të publikuara nga Rrok Zojzi në përmbledhësin Etnografia shqiptare. Konkretisht janë përfshirë 1. Atlasi etnografik; 2. Guna. 3. Parmenda, të tre këta artikuj përbëjnë dhe tri krerët e monografisë. Në pjesën e parë diskutohet rëndësia, metoda, kuptimi i kulturës e kështu me radhë. Në pjesën e dytë kemi paraqitjen e një prej studimeve më të detajuara që Zojzi kishte realizuar mbi një objekt të kulturës materiale, siç ishte guna. Për më tepër, Guna përfaqëson studimin më krahasues që Zojzi ka bërë mbi një dukuri apo objekt kulturor në rrafsh ballkanik, e me dimensione të zhvilluara mjaft mirë në rrafsh mesdhetar. Pjesa e tretë është një studim i detajuar mbi parmendën, ku, ndër të tjera, na paraqitet një histori dhe gjeografi e përdorimit të kësaj vegle pune, e diskutuar aq gjatë në studimet historike antropologjike që lidhen me lindjen e bujqësisë dhe, në krahun tjetër, në diskutimet mbi origjinën e bujqësisë dhe tipologjitë e kësaj dege ekonomie ndër shqiptarë. Si Guna, ashtu dhe Parmenda janë dy studime që janë realizuar nga Rrok Zojzi si sprova të aplikimit të projektit për “Atlasin etnografik”. Botimi është pajisur me një hyrje nga studiuesi Dr. Olsi Lelaj, njëherazi dhe drejtues i projektit kërkimor-shkencor “Atlasi etnografik i fshatit bashkëkohor sot”.
Prof. asoc. dr. Nebi Bardhoshi