au

ARBNI. HISTORIK, GJEOGRAFIK, KISHTAR DHE POLITIK (Botimi i II)

Autori: Aurel Plasari
Publikoi: Botimet Albanologjike (Botimi I nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë)
Nr. i faqeve: 297
Gjuha: Shqip
Viti i botimit: 2020

Pavarësisht skepticizmit për përmbushjen e të quajturës “pauzë gati nëntëqindvjeçare” që ndan përmendjen prej Ptolemeut në shek. II të Albanëve dhe qytetit të tyre Albanopolis nga thyerja e pauzës prej historianit bizantin Mihail Ataliati në çerekun e dytë të shek. XI, që nga koha e Von Hahnit e deri në ditët tona kanë vijuar orvatjet e hulumtuesve për të dëshmuar që e quajtura “pauzë” nuk rezulton siç e mendoi në kohën e tij albanologu austriak. Falë orvatjesh të tilla është mbërritur në një moment kur në albanologji të mund të kryhet një sistemim i dëshmive, të cilat plotësojnë të quajturën “pauzë gati nëntëqindvjeçare”, duke vendosur një regjistrim të tyre me siguritë dhe, njëherësh kur të jetë e nevojshme, edhe me pasiguritë dhe rezervat e pashmangshme. Ky sistemim kryhet në kapitullin I të këtij punimi: Arbnit / Arbërit në regjistrimet nga Antikiteti i vonë në Mesjetën e hershme.
Kapitulli II, Krahina e Arbnit të mirëfilltë, trajton çështjen e vendndodhjes dhe të kufijve të krahinës së hershme që është quajtur Arbanon në burimet bizantine, Albanum në burimet latine dhe Rabьnь në burimet starosllavjanksi.
Kapitulli III, Formacioni politik i Arbnit, i është kushtuar atij konstruksioni politik që, duke shkapërcyer entitetin krahinor, u shfaq me përafërsi në mesin e shek. XII si formacion në fillim parashtetëror, mandej gati-shtetëror. Në aspektin e rëndësisë së formacionit politik të Arbnit, ai është vlerësuar si baza, sado e lëvizshme dhe efemere, e asaj që pak më vonë do të njihej si “Mbretëri e Arbërisë”, e themeluar nga mbreti Karl I i derës frënge D’Anjou.
Kapitulli IV, Dioqeza e Arbnit ose Arbanense, vështron një nga çështjet e debatuara prej kohësh, atë të njërës ndër dioqezat me historinë dhe gjeografinë më të veçantë në Mesjetën kishtare të Arbërisë. Shfaqja e beftë e dioqezës së Arbnit në vitin 1166 është trajtuar duke llogaritur edhe lidhjet logjike mes dy strukturave, kishtare dhe politike, në vështrimin e asociimit mes dioqezës së Arbnit dhe Principatës së Arbnit.
Në kapitullin V, Nga Arbni tek Arbëria / Albania, është përshkruar procesi i kapërcimit nga Arbni tek Arbëria / Albania, si shndërrim domethënës konceptual, duke u vendoset si cak historik ngjarja politike me ndikim ndërkombëtar, që është krijimi më 1271-1272 prej Karlit I të derës D’Anjou me një pjesë të konsiderueshme të viseve arbërore i së njohurës si “Mbretëri e Arbërisë”.
Në mbylle të librit nuk mundtë mos përmendej ai moment historik, me cakun në mesin e shek. XVIII, kur emrin e Arbërisë e zëvendësoi plotësisht ai i Shqipërisë, duke ua lënë termin Albania të huajve si ksenonim të atdheut të shqiptarëve.
Ky është botimi II i kësaj vepre të autorit.