Arbërit e Jonit

Arbërit e Jonit

0L

Autori: Pëllumb Xhufi
Publikoi: Onufri
Nr. i faqeve: 1440
Gjuha: Shqip
Çmimi: 0

Libri vjen si një eksplorim I thellë përvojash dhe arkivash brenda dhe jashtë Shqipërisë nga studiuesi I mirënjohur Pëllumb Xhufi rreth rezitencës së Shqipërisë së jugut ndaj pushtimeve osmane. Po ashtu, këtu ka të dhëna të dorës së parë për betejat, organizimet administrative, strukturat demografike dhe sociale, si dhe të dhëna rreth zhvillimeve sociale, kulturore dhe fetare të qyteteve përgjatë rivierës shqiptare.

Në shek. XV-XVII, Shqipëria joniane, apo viset që atë kohë u përfshinë në sanxhaqet e Vlorës, Delvinës e Janinës, u përfshinë nga një dinamikë historike e jashtëzakonshme. Si vendi ku kishin lulëzuar disa nga principatat më të shquara shqiptare, ky territor u kthye, pas pushtimit osman, në segmentin më të ndjeshëm të marrëdhënieve të Perandorisë së Gjysmëhënës me Perëndimin e krishterë.

Këtu e patën pikënisjen e tyre ekspeditat osmane për pushtimin e brigjeve të Italisë, dhe po këtu e patën një nga pikëmbërritjet kryesore përpjekjet e fuqive perëndimore, të prira nga Papati, për të destabilizuar pushtetin osman e për të krijuar një të çarë në këtë provincë periferike e të paqëndrueshme të Perandorisë.

Përpjekje, të cilat sintonizoheshin me lëvizjet e vazhdueshme për çlirim e shkëputje të popullsive shqiptare të asaj treve. Mbi bazën e burimeve të shumta, në një pjesë të madhe të panjohura e të zbuluara prej tij në arkivat e Venedikut, studjuesi i njohur i Mesjetës shqiptare, Prof. Pëllumb Xhufi, evidenton rolin e luajtur në ngjarjet historike të atyre shekujve nga shqiptarët e Labërisë, të Himarës, të Delvinës e të Çamërisë.

Fushata ushtarake, beteja e kryengritje shpesh herë të panjohura mbushin e pasurojnë njohuritë e deritashme për historinë e së ashtuquajturës “Shqipëri e Poshtme” në shek. XV-XVII. Por, në këtë libër, mbi bazën e burimeve dokumentare të cituara bollshëm, lexuesi do të njihet edhe me aspekte po aq interesante të organizimit administrativ, të veprimtarive ekonomike e tregtare, të lëvizjeve demografike, të strukturës sociale, të institucioneve juridike, të zhvillimeve kulturore e fetare të shoqërisë shqiptare në ekstremin jugor të saj, ku mbetën gjithnjë të forta lidhjet dhe shkëmbimet me shtetet italiane, në veçanti me Mbretërinë e Napolit e me Republikën e Venedikut.