parlamenti

AKTE TË PARLAMENTIT SHQIPTAR 1920-1924

Autori: Beqir Meta, Albana Mema, Marenglen Verli, Kosta Barjaba
Publikoi: Botimet Albanologjike
Nr. i faqeve: 1752
Gjuha: Shqip
Viti i botimit: 2019

Botimi “Akte të Parlamentit Shqiptar 1920-1924” u realizua në kuadrin e 100-vjetorit të parlamentarizmit shqiptar. Ky botim i jep lexuesit një pjesë të trashëgimisë së vyer historike të njërit prej institucioneve më të rëndësishme të shtetit shqiptar.
Botimi përmban akte me vlera të veçanta e të spikatura historike, politike, juridike, ekonomike, shoqërore, kulturore, arsimore, fetare etj., të cilat dëshmojnë një periudhë të ngjeshur të zhvillimeve të shtetit të ri të pavarur shqiptar, në periudhën e ringritjes së tij, pas Kongresit Kombëtar të Lushnjës, 1920-1924.
Pasuria dhe larmia e këtyre akteve është një dëshmi e faktit se në fillesat e shtet-formimit, Parlamenti po kristalizohej si një institucion i rëndësishëm politik e ligjor dhe po konsolidohej në ushtrimin e funksioneve të tij.
Fakti që Parlamenti u krijua që në hapat e parë të ndërtimit të shtetit të pavarur shqiptar, ishte një sfidë e vështirë dhe që përgjithësisht u përballua me sukses, siç tregojnë edhe aktet e miratuara prej tij, pjesa me rëndësi më të madhe historike e të cilave janë përfshirë në këtë botim.
Në ballë të akteve të miratuara prej Parlamentit qëndron “Zgjanimi i Statutit të Lushnjes”, miratuar në dhjetor 1922, rreth dy vjet pas miratimit prej Kongresit të Lushnjes të “Bazat e Kanunores së Këshillës së Naltë”.
Veprimtaria e Parlamentit u zhvillua në kohë të trazuara për Shqipërinë dhe njëkohësisht me përpjekjet për të mbrojtur vendin nga copëtimi e grabitja e territoreve, nga tendencat seperatiste të brendshme në shoqërinë shqiptare, si edhe nga ndërhyrjet e vendeve fqinje. Këto rrethana të vështira e bëjnë veprimtarinë parlamentare më kuptimplotë dhe më të dobishme për vendin.
Në këtë botim përfshihet një larmi e pasur aktesh parlamentare, e cila është përpjekur të pasqyrojë me aq sa ishte e mundur tipologjitë e akteve të miratuara prej Parlamentit gjatë kësaj periudhe: ligje që mbështetën dhe rregulluan zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, nëpërmjet politikave progresive të kohës, politikave kontraktore, koncesionare, financiare, tatimore e fiskale; ligje që i shërbyen drejtpërsëdrejti ndërtimit e funksionimit të shtetit e institucioneve dhe garantimit të lirive e të drejtave juridike të qytetarëve, si ndryshimet në Kodin Civil e Kodin Penal etj.; ligje që i shërbyen arsimit dhe kulturës kombëtare e progresiste, zhvillimit të shtypit të lirë, të lirive fetare e të pakicave etj.
Parlamenti i Shqipërisë gjatë kësaj periudhe nuk ishte, megjithatë, një institucion perfekt, pati dështimet e kufizimet e veta dhe nuk arriti të siguronte efektivitetin e stabilitetin e nevojshëm për shtetin e ri shqiptar. Megjithatë, Parlamenti ishte një institucion që kontribuoi në deosmanizimin, zhvillimin dhe emancipimin e shoqërisë shqiptare dhe orientimin e saj drejt qytetërimit perëndimor.
Përgatitësit janë kujdesur që të përfshijnë në botim një larmi të gjerë aktesh, të hartuara e paraqituar nga qeveria apo nismëtarë deputetë, diskutimet e debatet në komisionet parlamentare, duke i dhënë lexuesit mundësinë të njihet jo vetëm me produktet, por edhe me procesin e hartimit të akteve parlamentare.
Dokumentet e përfshira janë pajisur me referencat përkatëse arkivore, me tituj sintetikë dhe shënimet plotësuese e sqaruese të nevojshme.
Gjithashtu, kemi bërë kujdes të ruajmë, sa ishte e mundur, gjuhën origjinale të dokumenteve, përfshirë dialektalizmat, duke ruajtur nga ana gjuhësore natyrën e dokumentit dhe për t’u dhënë mundësi studimi jo vetëm historianëve, por edhe gjuhëtarëve, etnologëve e sociologëve, si dhe specialistëve të tjerë të fushave që lidhen me përmbajtjen e dokumenteve të botuara.