hamit

NGA LUFTA NË PAQE, SHQIPËRIA DHE SHBA 1939-1946

Autori: Hamit Kaba
Publikoi: Botimet Albanologjike
Nr. i faqeve: 510
Gjuha: Shqip
Viti i botimit: 2020

Monografia, “Nga Lufta në Paqe, Shqipëria dhe SHBA 1939-1946” trajton raportet komplekse të historisë politike, diplomatike, ushtarake e ekonomike të Shqipërisë dhe SHBA gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe menjëherë pas mbarimit të saj.
Historia e periudhës që trajtohet në këtë libër është e shkurtër, por e ngarkuar me ngjarje dhe ndryshime të mëdha politike. Nëntë kapitujt e këtij studimi janë fokusuar në marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve, që nga pushtimi i Shqipërisë e deri në zbatimin e programeve të Ndërlidhjes Ushtarake [Military Liaison] dhe UNRRA-s [United Nations Relief and Rehabilitation Administration] për shërimin e plagëve të luftës dhe për rindërtimin e vendit. Marrëdhëniet zyrtare diplomatike të Shqipërisë me SHBA u ndërprenë pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia e Musolinit, sepse qeveria amerikane, ndryshe nga disa qeveri të tjera, nuk e njohu pushtimin fashist dhe regjimin e ‘ri’ që u vendos në Shqipëri. Përpjekjet e Misionit Civil Jozyrtar të SHBA me qeverinë komuniste të Shqipërisë, në periudhën maj 1945-nëntor 1946, për të rivendosur marrëdhëniet diplomatike përfunduan pa sukses. Që nga qershori i vitit 1939 e deri në marsin e vitit 1991 ndërmjet dy vendeve nuk ka patur marrëdhënie diplomatike.
Në libër janë trajtuar deri në detaje problemet që kishin të bënin me politikën e SHBA në lidhje me statusin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe të ardhmen e saj, të tilla si: Karta e Atlantikut, Deklarata e Kombeve të Bashkuara (janar 1942) dhe përpjekjet e shqiptarëve për të qenë anëtarë zyrtarë të Koalicionit Antifashist; deklarata e qeverisë amerikane e dhjetorit të vitit 1942 për njohjen e shtetit të pavarur shqiptar dhe dallimet e saj me deklaratën e qeverisë britanike; studime të Departamentit të Shtetit dhe institucioneve të specializuara të tij, në lidhje me kufijtë veriorë e jugorë të Shqipërisë; studime për qeveritë dhe sistemet qeverisëse gjatë dhe pas periudhës transitore të Shqipërisë; qëndrimi i Departamentit të Shtetit ndaj përpjekjeve të shqiptarëve jashtë dhe brenda vendit, për të krijuar qeveri të vetën etj.
Pavarësisht nga dritëhijet e politikës së SHBA ndaj Shqipërisë, pavarësisht nga mungesa e unitetit të shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, faktori shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore u shfaq më i plotë dhe më imponues, se në çdo kohë tjetër, që nga krijimi i shtetit të pavarur shqiptar. Shqiptarët, për herë të parë që nga ajo kohë, morën pjesë në një konfrontim të madh botëror dhe dhanë kontributin e tyre modest e proporcional në raport me fuqinë e tyre, duke u rreshtuar [ndonëse jo zyrtarisht] përkrah vendeve fituese.
Vendosja e regjimit komunist në Shqipëri u shoqërua me ndryshime të mëdha të brendshme e të jashtme. Për arsye gjeopolitike e ideologjike, marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë pësuan një ndryshim të madh. Shqipëria u orientua drejt shteteve komuniste, si Bashkimi Sovjetik e Jugosllavia, të cilat janë konsideruar si “martesa kundër natyrës”. Tre kapituj të këtij libri merren me periudhën e pasluftës. I është kushtuar vëmendje veprimtarisë së mëtejshme të Misionit Ushtarak Amerikan në vitin 1945 dhe përpjekjeve të tij për gjetjen dhe riatdhesimin e trupave të ushtarakëve amerikanëve të rënë në Shqipëri gjatë LDB. Një kapitull i veçantë është hartuar për historinë e Misionit Civil Amerikan të kryesuar nga Joseph Earle Jacobs [Xhozef Erle Xhejkobs] dhe për përpjekjet e pasuksesshme për rivendosjen e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane në vitet 1945-46.
Kam kënaqësinë, të shpreh mirënjohjen time për të gjitha ato institucione e individë që kanë ndihmuar në finalizimin e këtij botimi. Falënderoj kolegët e mi të Departamentit të Historisë Bashkëkohore, të cilët më dhanë këshilla e sugjerime të vlefshme për strukturën dhe përmbajtjen e këtij studimi. Jam gjithashtu mirënjohës ndaj kolegëve historianë të Këshillit Shkencor të Institutit të Historisë, në mënyrë të veçantë dy recensentëve, prof. dr. Petrit Nathanaili dhe prof. as. dr. Sonila Boçi, të cilët kanë kontribuuar realisht në përmirësimin e këtij studimi.
Falënderimet e mija shkojnë për gjithë arkivistët, shqiptarë e të huaj, të cilët më kanë këshilluar dhe orientuar me dashamirësi e profesionalizëm për njohjen dhe shfrytëzimin e burimeve arkivore. Mirënjohje meritojnë gjithashtu Dorina Muka, Arjana Seiti, Meliha Balla, Mirela Mihali dhe Majlinda Rrapi, të cilat kanë kontribuuar në finalizimin e këtij libri.