kriza

KRIZA E AMBASADAVE. SHQIPËRIA NË VITIN 1990

Autori: Afrim Krasniqi
Publikoi: Botimet Albanologjike
Nr. i faqeve: 370
Gjuha: Shqip
Viti i botimit: 2020

Botimi studimor “Kriza e ambasadave. Shqipëria në vitin 1990” vjen në kuadrin e 30 vjetorit të hyrjes së mijëra qytetarëve në ambasadat e huaja në Tiranë. Duke qenë një prej ngjarjeve më të rëndësishme politike në periudhën e fundit të regjimit komunist, ngjarjet e ambasadave kanë mbetur jashtë vëmendjes studimore dhe ndaj deri më tani nuk ka pasur botime profesionale kërkimore lidhur me to. Ato janë trajtuar telegrafisht në disa tema doktorature që kanë pasur në fokus evoluimin dhe problemet e çështjeve të emigrimit shqiptar apo të ndryshimit të sistemit politik. Botimet kryesore kushtuar korrikut 1990 janë kryesisht libra të nisura nga kujtime e përjetime vetjake të protagonistëve të ndryshëm midis qytetarëve që hynë në ambasada dhe sidomos të ish zyrtarëve të ndryshëm që u angazhuan si pjesë e regjimit në administrimin e krizës.
Me hapjen e aksesit në arkivat shtetërore lidhur me dokumentacionin e saj periudhe krijohet një lëndë e pasur informacioni dhe referimesh, të cilat përbëjnë bazën kryesore të trajtimit në këtë botim. Rreth 6000 dokumente integrale janë referuar nga arkivi Arkivi Qendror Shtetëror, Arkivi i MPJ, Arkivi i MPB, arkivi AIDSSH, etj, si dhe janë shfrytëzuar arkivat e mediave kryesore shtetërore të vitit 1990, si dhe arkivi mediatik i mediave kryesore ndërkombëtare.
Libri trajton tezat e qëndrimit zyrtar të kohës lidhur me ngjarjet e ambasadave, ndryshimet e tezave gjatë viteve nga të njëjtët protagonistë, pikëpamjet e vetë qytetarëve që hynë në ambasada, qëndrimin zyrtar të shtetit shqiptar ndaj rolit të faktorëve ndërkombëtarë, si dhe qëndrimet e këtyre të fundit në raport me krizën. Disa prej tezave trajtohen për herë të parë me argumente të bazuara në dokumentacion referues, si dhe në këndvështrimin e analizës në retrospektivë të ngjarjeve. Gjithashtu në botim janë referuar të gjitha burimet e mundshme të librave memoristikë të disa prej ish protagonistëve të vitit 1990 në Shqipëri, si dhe rastet e punimeve nga autorë profesionistë, historianë apo studiues të shkencave politike. Në kuadër të plotësimit të mozaikut të ngjarjeve të korrikut 1990 libri trajton zhvillimet më të rëndësishme të vitit 1990, përfshirë protestat në Shkodër apo Kavajë, rolin e OKB në menaxhimin e krizës, si dhe ndikimin që patën ngjarjet në ecurinë e vendit në vjeshtën e vitit 1990. Pjesa më e madhe e dokumenteve publikohen / citohen për herë të parë dhe kjo i jep vlerë të veçantë botimit.
Kronologjia dramatike e tyre dihet, derisa shumica absolute e rreth 5 mijë qytetarëve u drejtuan nga ambasadat e RFGJ-së, Italisë dhe Francës. Vala masive e hyrjes në ambasada e gjeti regjimin të papërgatitur, por edhe të paaftë të lexonte mesazhin e një brezi të ri në protestë. Aktet paqësore drejt lirisë u shoqëruan me akte brutale të regjimit kundër qytetarëve të vet dhe, më pas, me një fushatë shtetërore e publike denigrimi ndaj tyre. Ajo që mbetet vlerë e veçantë e aktit të rreth 5 mijë qytetarëve në korrik 1990 është ndikimi që ata patën në përshpejtimin e procesit të rënies së sistemit komunist. Akti i tyre ia doli që, me mjete paqësore dhe angazhim qytetar, të zhvleftësojnë tërësisht retorikën e regjimit për reformim, të nxirrte në pah praktikat brutale e të arbitraritetit të shtetit ndaj qytetarëve, të kthente vëmendjen ndërkombëtare ndaj Shqipërisë dhe nevojës së saj jetike për ndryshim, si dhe të çmontonte psikozën e frikës dhe falsitetit të një sistemi të rrënuar.
Libri ka shumë detaje, shumë emra dhe shumë citime për shkak të vetë natyrës së ngjarjeve dhe rolit të rëndësishëm që emrat / individët luajtën në to. Trajtimi vetëm në aspektin studimor do të ofronte një botim të shkëputur nga kategoritë e vetë atyre që janë protagonistë në ngjarjet e vitit 1990, ata që hynë në ambasada dhe ata përballë tyre. Gjatë shfaqjes së të dhënave të tilla jepet edhe vlerësimi i autorit për vlerën e tyre, parashtrohen teza e qëndrime, të cilat e bëjnë botimin edhe më kolorit në mënyrën e shkrimit dhe trajtimit të tij. Libri ka marrë vlerësim pozitiv në këshillin shkencor të Institutit të Historisë dhe nga dy profesorë recensues, një prej të cilëve profesor në Universitetin e Lubjanës, Slloveni.