dibra

STUDIME MBI FOLKLORIN SHQIPTAR

Autori: Miaser Dibra
Publikoi: Botimet Albanologjike
Nr. i faqeve: 408
Gjuha: Shqip
Viti i botimit: 2020

Kontributi më i ri i prof. dr Miaser Dibrës titullohet “Studime mbi folklorin shqiptar” dhe është një antologji me artikuj, kumtesa, referate dhe studime të autores, të cilat kanë si fokus të përbashkët përmasën letrare të folklorit. Antologjia ndahet në 3 pjesë kryesore: “Studime teorike mbi folklorin letrar”; “Personalitete të folkloristikës shqiptare” dhe “Këngë popullore shkodrane në një këndvështrim studimor.” Nga këto do të doja të veçoja si fillim pjesën e parë, atë me kontributet teorike. Kjo jo aq se është e para, por për shkak të rëndësisë që ka në drejtim të diskutimit teorik mbi folklorin, folkloristikën dhe si paraqitet situata e kërkimeve dhe studimeve aktualisht. Në diskutimet e folkloristëve të këtyre 10 viteve të fundit, sidomos ky aktualitet artikulohet dhe konceptualizohet nën termin “bashkëkohësi”; “folklori në bashkëkohësi”. Kështu, në punimin e parë që hap vëllimin: “Lirika popullore në bashkëkohësi: dukuri dhe probleme” prof. Dibra bën një lloj përmbledhjeje mbi ato repertore e gjini të cilat vijojnë të kenë një status “aktiv” në jetën tradicionale dhe atë festivalore, përkundrejt atyre konsiderohen si cikle të rudimentuara, sipas saj, dhe ku futen këngët rituale të punës dhe të motmotit. Më tej gjejmë punime që trajtojnë tema “klasike”, le të themi, të folkloristikës, siç janë ato mbi metaforën; mbi konceptin e besës, trajtime mbi ritualin e dasmës. Një përmbledhje rreth ekspeditës shqiptaro-gjermane dhe fondit arkivor që ruhet prej saj në IAKSA është gjithashtu me vlerë sa i takon metodologjisë së mbledhjes dhe arkivimit të materialeve.
Pjesa e dytë i kushtohet figurave të veçanta, të cilët kanë pasur luajtur rol të veçantë edhe në fushën e folkloristikës: Kolë Gurashi, Vincenc Prenushi, Lef Nosi. E veçantë është qasja ndaj disa prej këtyre profileve, e bazuar kryesisht mbi kërkimet në arkivin e folklorit dhe fondet përkatëse që këta autorë kanë brenda tij. Ndër to përmendim Lef Nosin, Kasem Taipin. Po ashtu nuk mungojnë as kontribute për ata që mund të konsiderohen si figura themeltare, si De Rada, Mitko, si fillim e më pas Panajoti e Haxhihasani.
Ndërsa pjesa e tretë ka një fokus më të lokalizuar. Prof. Dibra përqendrohet te praktikat muzikore të qytetit të Shkodrës, duke u ndalur në aspekte të ndryshme të studimit të repertorit, siç është studimi tekstor, struktura e vargjeve, veçoritë letrare të tij. Po ashtu, ajo merret me aspekte të zhvillimit historik, si dhe problematikat e autorësisë së këngëve; raporti mes këngëve që prof. Dibra i konsideron si burimore, përkundrejt atyre më të kultivuara, të ardhura më vonë, si dhe aspekte që kanë të bëjnë me ritualin dhe vendin e këngës brenda tij. Për t’u veçuar është artikulli përmbyllës i librit, i titulluar “Paralele shqiptaro-malazeze në ceremonialin e dasmës në dy anët e kufirit veriperëndimor shqiptar.” Kemi një qasje të natyrës krahasuese, e cila është pak e patrajtuar dhe njëkohësisht premtuese për kërkime vijuese.
Në përgjithësi, vëllimi në fjalë, krahas të qenit një përmbledhje e kontributeve të ndryshme të një studiueseje me një përvojë të gjatë, shpresojmë të jetë edhe një mënyrë për të vijuar më tej diskutimin dhe debatin mbi folkloristikën si disiplinë brenda lëmenjve të albanologjisë.

Dr. Mikaela Minga