antro 2

ANTROPOLOGJIA VËLLIMI 2, NUMËR 2, 2019

Autori: Grup autorësh
Publikoi: Botimet Albanologjike
Nr. i faqeve: 188
Gjuha: Shqip
Viti i botimit: 2020

Numri 2, vol. 2 i revistës “Antropologji” për vitin 2019 i përmbahet sërish një qasjeje tematike, ashtu si ai paraprijës. Kësaj here vëmendjen menduam t’ia kushtonim kërkimeve mbi socializmin, të cilat janë prej vitesh tanimë në fokusin e programit kërkimor të Institutit të Antropologjisë dhe Studimit të Artit. Me synimin për të zgjeruar diskutimin dhe analizat, u mendua të ftoheshin edhe autorë jashtë IAKSA-së. Dëshira ishte të krijonim një pikë takimi jo vetëm midis perspektivave të ndryshme studimore mbi socializmin, por edhe midis përvojave të ndryshme kërkimore që janë ndërmarrë nga studiues brenda dhe jashtë Shqipërisë. Artikujt që i paraqiten lexuesit në këtë numër të revistës marrin në shqyrtim aspekte të ndryshme që kanë të bëjnë me socializmin, me situatën diktatoriale, me shtetin, trupin, botëkuptimin, artet pamore. Këto vijnë edhe si pjesë e realiteteve të caktuara që gjalluan brenda socializmit shtetëror, edhe si lexime kritike autorësh e kontributesh studimore. Bëhen bashkë metodologji kërkimore të lidhura me punën në arkiva, siç është rasti i kontributit të Enkelejda Sula-Raxhimit mbi minoritetin rom, apo Blerina Hankollarit që bëjnë bashkë arkivin dhe përvojën etnografike. Në këtë linjë të dytë mund të vendosim edhe artikujt mbi “Muzeun e kujtesës” në Shkodër, nga Ermela Broci, apo atë të Ervin Kaçiut, i cili prezanton një perspektivë tjetër mbi socializmin. Kjo e fundit vjen nga përvoja e autorit në kibuc, në Izrael. Është një “thyerje” e veçantë studimore, e cila besojmë se mund të hapë shtigje të natyrës krahasuese. Ndërsa, Sofia Kalo bën bashkë historinë e artit shqiptar me antropologjinë në një analizë mbi formën e trupit të njeriut në artet pamore shqiptare, si një projeksion i mënyrës se si sistemi socialist konceptoi qoftë individin, qoftë kolektivin. Tërthorazi mbërrin Olsi Lelaj tek socializmi, përmes kontributeve antropologjike mbi dijen mbi trupin. Ai shqyrton dy autorë, të cilët kanë punuar mbi antropologjinë fizike – Carleton Coon dhe Aleksandër Dhima, duke reflektuar në mënyrë kritike mbi rolin që ka luajtur kjo shkencë në atë çka ai e konsideron si “natyralizim” dhe “biologjizim” i identiteteve kombëtare. Numri më i ri i revistës që paraqitet sot para jush, sikundër edhe të tjerët mund të lexohen edhe në formatin pdf online, përmes faqes së IAKSA-së

(http://iaksa.edu.al/category/revista-antropologji/ ) ose platformës kërkimore, academia.edu

(https://www.academia.edu/42757504/Revista_Antropologji_Instituti_i_Antropologjis%C3%AB_Kulturore_dhe_Studimit_t%C3%AB_Artit_Tiran%C3%AB )

Dr. Mikaela Minga