Akademik Beqir Meta

Drejtor i Institutit të Historisë

Shkarko CV

Akademik prof. dr. Beqir Meta u lind në qytetin e Tiranës më 13 nëntor 1957. Pas përfundimit të arsimit të mesëm ai filloi studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Histori – Filologji, në degën e historisë (1977 – 1981).

Pas diplomimit, për një periudhë të shkurtër (1981-1982) ka ushtruar profesionin e mësuesit. Në vitin 1983 u emërua në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit pranë Sektorit të Botimeve të Dokumenteve Historike (1983-1988). Në këtë institucion, gjatë viteve 1988-1991 ka mbajtur postin e Kryetarit të Degës së Përpunimit Shkencor të Dokumenteve ndërsa në vitet 1991-1993, ka ushtruar detyrën si përgjegjës i Sektorit të Botimit të Dokumenteve Historike.

Në vitin 1994 u emërua përgjegjës i Departamentit të Historisë së Periudhës Moderne të Shtetit Shqiptar, në Institutin e Historisë, pranë Akademisë së Shkencave, detyrë të cilën e ka ushtruar deri në vitin 1997. Gjatë viteve 1997-2005, ka vazhduar punën kërkimore-shkencore si studiues në Departamentin e Historisë së Periudhës Moderne të Shtetit Shqiptar, po në Institutin e Historisë.

Në vitin 2005 u emërua Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, detyrë që e ka ushtruar deri në vitin 2008, kur me reformimin e Akademisë së Shkencave dhe me krijimin e Qendrës së Studimeve Albanologjike sot Akademia e Studimeve Albanologjike, u emërua si zëvendësdrejtor i ASA dhe njëkohësisht drejtor i Institutit të Historisë, detyrë të cilën vazhdon ta ushtrojë edhe sot.

Në vitin 1990 mori gradën “Doktor i shkencave historike” me disertacionin “Politika tatimore e shtetit shqiptar 1925-1939”; në vitin 1996 fitoi titullin “Mjeshtër kërkimesh” (“Profesor i asociuar”), ndërsa në vitin 2003 “Drejtues kërkimesh” (“Profesor”). Si rezultat i veprimtarisë së gjerë shkencore dhe botimeve të shumta në fushën e studimeve historike, në vitin 2008 u bë anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe iu dha titulli “Akademik”.

Drejtuesit ndër vite:

1972 – 1990: Prof. dr. Stefanaq Pollo

1990 – 1991: Prof. dr. Selami Pulaha

1991 – 1992: Akademik Kristaq Prifti

1993 – 1997: Prof. asoc. dr. Kasem  Biçoku

1997 – 2005: Prof. dr. Ana Lalaj

2005 – 2007: Akademik Marenglen Verli

2008 – 2021: Akademik Beqir Meta

2021 e në vazhdim: Prof. asoc. dr. Afrim Krasniqi

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL