Prezantohet “Shteti dhe komunitetet fetare, 1948-1950”

25 Shkurt, 2023 Njoftime
Ora: 10:00
Data: E hënë, 27.02.2023
Vendi: Hotel “Tirana International”, Metropol Room
Në kuadër të “Ditëve të kujtesës” prezantohet vëllimi me dokumente “Shteti dhe komunitetet fetare, 1948-1950”, përgatitur nga historianët Beqir Meta, Afrim Krasniqi dhe Hasan Bello. Me mbështetjen financiare të Konrad-Adenauer-Stiftung Albanien, përgatitësit kanë hulumtuar në dokumentacionin arkivor mbi raportet e shtetit me komunitetet fetare, diskriminimin e procesin politik të përndjekjes së tyre dhe pengimin e riteve fetare. Pjesën më të madhe të dokumentacionit që botohet për herë të parë, e zë organizimi i komuniteteve fetare, debatet dhe praktikat për miratimin e statuteve të tyre, si dhe të dhëna të detajuara lidhur me përbërjen, mbi burimet njerëzore, mbi aktet e brendshme rregulluese dhe mbi buxhetin financiar.
Burim kryesor për këtë vëllim, i pari i serisë mbi këtë tematikë, ka qenë fondi arkivor i Komitetit për Çështjet Klerikale pranë Këshillit të Ministrave i cili, prej vitit 1948 mbikëqyrte çështjet fetare.
Të gjitha materialet e vëllimit do të publikohen online me akses të lirë në faqen zyrtare të Institutit të Historisë.
Libri prezantohet nga prof.dr. Afrim Krasniqi (drejtor i Institutit të Historisë), Tobias Rüttershoff (drejtor i KAS, Tiranë), akademik Beqir Meta (IH), Dorian Demetja (Komuniteti Mysliman i Shqipërisë) dhe Gjergj Meta (ipeshkv i Rrëshenit).
Ky është edicioni VIII i “Ditëve të kujtesës” (18–28 Shkurt 2023) që organizohet nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) dhe Fondacioni Konrad Adenauer (KAS). Në fokusin e këtij viti, nën moton “Trajtimi i së shkuarës nga pikëpamja krahasimore – Çfarë [nuk] Mësuam”), janë përvojat e vendeve ish-komuniste në ballafaqimin me të shkuarën.
2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL