Revista shkencore “Studime filologjike” u themelua në vitin 1964. Ajo ishte vijuese e pjesës filologjike të revistës së mëparshme “Buletin i Universitetit Shtetëror të Tiranës – Seria e shkencave shoqërore”, që u botua në vitet 1957-1963 nga Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë. Themelimi i saj shënoi hapin e parë për botimin e një reviste shkencore me rëndësi kombëtare, me një profil të përcaktuar mirë, si e vetmja në llojin e vet për kohën, misioni i së cilës ishte mbështetja e mendimit shkencor për zhvillimin e shkencave gjuhësore e letrare në fushë të shqipes. Deri në vitin 1972 kjo revistë botohej nga Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, si pjesë përbërëse e Universitetit Shtetëror të Tiranës. Me themelimin e Akademisë së Shkencave ky institucion u nda në dy institute të veçanta: Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë dhe Instituti i Historisë. Kështu, prej vitit 1973 e në vijim revista “Studime filologjike” është botimi shkencor periodik më i rëndësishëm i Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë.
Revista “Studime filologjike”, e drejtuar gjithmonë në mënyrë kolegjiale nga një redaksi shkencore e posaçme, ka veçoritë e saj për nga forma dhe përmbajtja. Lënda është e organizuar në artikuj shkencorë nga fusha e gjuhësisë dhe e letërsisë, si dhe në rubrika të tjera, si: Probleme e diskutime, Materiale e dokumente, Kritikë e bibliografi dhe Jeta shkencore.
Për nga përmbajtja, revista “Studime filologjike” ka gjithashtu veçoritë e saj. Ajo është një revistë shkencore albanologjike e profilit gjuhësor e letrar, që u drejtohet veçanërisht specialistëve të këtyre fushave.
Në fushën e studimeve gjuhësore, vendin kryesor e zënë botimet nga fusha e gjuhësisë sinkronike e diakronike. Artikujt u përkasin të gjitha rrafsheve ose disiplinave gjuhësore për problemet e shqipes: morfologji, sintaksë, fonetikë, dialektologji, leksikologji, leksikografi, semantikë, filologji. Problemet e mësipërme janë parë të lidhura ngushtë edhe me çështje të etimologjisë së fjalëve shqipe, të leksikut historik të shqipes dhe shtresimit të tij, por edhe të toponimisë, antroponimisë, paronimisë etj. Çështjet e të folmeve dhe të dialekteve përbëjnë një objekt tjetër studimi të artikujve në fushë të shqipes. Të folmet dhe grupet e tyre përshkruhen sipas veçorive karakteristike, në të gjitha rrafshet, gramatikor e leksikor. Në përputhje me politikën botuese të redaksisë, sidomos para viteve ’90, një grup më vete në revistë zënë artikujt kushtuar çështjeve të studimit të gjuhës letrare, të strukturës së saj funksionale dhe të politikës gjuhësore, si variant më i lartë gjuhësor. Problemi i ngulitjes së gjuhës letrare shqipe në mjaft artikuj të revistës është trajtuar ngushtë me problemet e ngritjes së nivelit të kulturës gjuhësore.
Për shkak të profilit të saj si revistë kërkimore shkencore gjuhësore e letrare, vend të veçantë në revistë zënë edhe artikujt kushtuar zhvillimit të mendimit shkencor edhe në fushën e studimeve letrare. Nëpërmjet tyre pasqyrohet rruga e zhvillimit të letërsisë shqiptare dhe historisë së saj në shekuj, brenda dhe jashtë trojeve shqiptare. Artikujt fillimisht u kushtoheshin si problemeve të letërsisë artistike, ashtu edhe problemeve të krijimtarisë popullore ose folklorit shqiptar. Tematika dhe problemet e trajtuara në ta janë të pasura dhe të larmishme. Disa prej artikujve u kushtohen jetës dhe veprës së autorëve të veçantë, sipas periodizimit të letërsisë shqipe. Objekt studimi bëhen jo vetëm autorë shqiptarë brenda trojeve të Shqipërisë, por edhe autorëve nga Kosova, Maqedonia e diaspora arbëreshe. Gjinitë e ndryshme letrare, si romani, tregimi, publicistika, pamfleti, poezia janë një aspekt tjetër i studimit të letërsisë shqiptare në artikujt e botuar në revistë. Nuk mungojnë edhe artikuj për probleme teorike për çështje të tilla, si: rrymat e letërsisë shqipe, gjinitë letrare, çështje të metodave të studimit, tradita dhe modernia në letërsi, çështje të poetikës së teksteve letrare, marrëdhëniet e letërsisë me kohën historike, humori dhe satira etj.
Përveç studiuesve nga trojet shqiptare brenda Republikës së Shqipërisë, kontribut të veçantë me artikujt e tyre nga fusha e gjuhësisë dhe e letërsisë kanë dhënë studiues të njohur nga viset e Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe diasporës, si dhe albanologë të huaj, kryesisht europianë, për probleme të ilirishtes, të etnogjenezës së popullit shqiptar, të historisë së gjuhës, të gramatikës historike të shqipes e leksikut të saj, të etimologjisë, të vendit të shqipes brenda gjuhësisë ballkanike, por edhe të shqipes së sotme.