Departamenti Gramatika e
sotme dhe Historia e Gjuhës

Informacion

Departamenti i gramatikës së sotme dhe i historisë së gjuhës u formua në vitin 2008 nga shkrirja e dy departamenteve: e Departamentit të gramatikës dhe të kulturës së gjuhës dhe e Departamentit të historisë së gjuhës, onomastikës dhe dialektologjisë.

Këto dy departamente e kanë zanafillën nga Sektori i gramatikës dhe i dialektologjisë, i krijuar si zgjerim i Seksionit të gjuhës në Institutin e Studimeve (1946), më pas i përfshirë në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë (1955) dhe në vijim në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë (1972).  Ai ka mbajtur një peshë të rëndësishme të veprimtarisë kërkimore-shkencore të Institutit të Gjuhësisë, përmes punës së anëtarëve të shquar themelues, si: Eqrem Çabej, Kostaq Cipo, Mahir Domi, Osman Myderrizi, më tej nga brezi i dytë, si: Spiro Floqi, Jorgji Gjinari, Ali Dhrimo, Bahri Beci, Gjovalin Shkurtaj, Xheladin Gosturani, Menella Totoni, Remzi Përnaska, Emil Lafe, Enver Hysa, Seit Mansaku, Ludmila Buxheli, Çlirim Bidollari, e në vazhdim me studiues si Bardhyl Demiraj, Xhelal Ylli, Anila Omari etj.

Ky sektor ka nxjerrë vepra madhore të gjuhësisë shqiptare, si: Gramatika e gjuhës shqipe (grup autorësh, vëllimi I – morfologji, vëllimi II – sintaksë, 1995, 1996, 2002), “Meshari” i Gjon Buzukut (E. Çabej, 1968), Studime etimologjike në fushë të shqipes (E. Çabej, vëll. I-VII, 1976-2006), Dialektologjia shqiptare (I-VII, 1971-2005), Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe (J. Gjinari, B. Beci, Gj. Shkurtaj, Xh. Gosturani, Napoli, 2008), Gramatikë historike e gjuhës shqipe (K. Topalli, 2011), Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe (K. Topalli, 2018) etj.

Prej tij u shkëput në vitin 1983 një grup punonjësish të ardhur rishtas në Institut, duke krijuar Sektorin e Historisë së Gjuhës dhe të Onomastikës (më pas Departamenti i Historisë së Gjuhës, Onomastikës dhe Dialektologjisë) nën drejtimin e prof. dr. Seit Mansakut (1983-2008).

Një peshë të rëndësishme të punës së këtij departamenti e ka mbajtur akad. Kolec Topalli, që nga fillimi i punës së tij në Institut (1996), me hartimin e një sërë veprash monografike nga fusha e fonetikës dhe e gramatikës historike të shqipes.

Puna kërkimore në departament është e orientuar në dy seksione sipas fushave të studimit: seksioni i gramatikës dhe seksioni i historisë së gjuhës dhe i filologjisë.

Seksioni i punonjësve të gramatikës merret me studimin e gramatikës së gjuhës shqipe, të cilat përqendrohen në tri drejtime kryesore: në gjendjen e studimeve të deritanishme në fushë të gramatikës, arritjet dhe problemet në këtë fushë; në zgjidhjen e çështjeve gramatikore mbi bazën e aparateve të caktuara teorike; në vëzhgime e studime mbi çështje të ndryshme të shqipes së sotme mbi bazën e vjeljes së të dhënave të reja nga folësit e shqipes.

Seksioni i historisë së gjuhës dhe i filologjisë ka si fusha studimi: studimin gjuhësor të teksteve të vjetra shqipe e arbëreshe, botimin e tyre kritik dhe studimin e marrëdhënieve të gjuhës shqipe me gjuhët fqinje.

Kërkimet shkencore aktuale mbështeten në arritjet më të mira të traditës së studimeve për shqipen, si dhe në përvetësimin e zbatimin edhe të metodave të reja të gjuhësisë bashkëkohore.

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL