Departamenti i leksikologjisë dhe i terminologjisë kryen veprimtarinë e vet në përbërje të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, Tiranë. Departamenti njeh dy shkallë reformimi. Bërthama tij është Departamentit të leksikologjisë e leksikografisë, i ngritur në vitin 1972, vit kur ngrihet dhe Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë. Nga fillimi i viteve ’90 të shekullit XX deri në vitin 2012 ai funksionoi si Departamenti i leksikologjisë, i leksikografisë dhe i terminologjisë. Kurse nga ky vit deri më sot funksionon si Departamenti i leksikologjisë, terminologjisë dhe gjuhësisë së zbatuar.
Si njësi e mirëfilltë e studimit dhe e kërkimit shkencor, sot departamenti e ndërton punën e vet në tri drejtime kryesore: në leksikologji, terminologji dhe gjuhësi të zbatuar.
Në Departament, në vite, kanë dhënë ndihmesën e tyre të çmuar punonjës shkencorë e figura studiuesish të shquar, si Androkli Kostallari, Jani Thomai, Miço Samara, Hajri Shehu, Thanas Feka, Pavli Haxhillazi, Lirak Dodbiba, Ferdinand Leka, Hëna Pasho, Agron Duro etj.
Departamenti në vazhdimësi ka pasur një trupë shkencore të përgatitur cilësisht e të specializuar dhe për rreth 50 vjet ka hartuar dhe ka hedhur në qarkullim me dhjetëra vepra, që janë vlerësuar dhe kanë zënë vend në fondin e kulturës sonë kombëtare.
Drejtimet kryesore të veprimtarisë shkencore:
Puna në leksikologji organizohet në studime për fjalën, njësinë frazeologjike e kuptimin e tyre, si dhe në hartimin e veprave leksikografike njëgjuhëshe (hartimin e fjalorëve shpjegues kombëtarë të shqipes, hartimin e fjalorëve të ndryshëm tematikë, dialektorë etj.). Gjithashtu punë e pandashme e Departamentit është vjelja e grumbullimi i pasurisë leksikore e semantike të shqipes dhe pasurimi i vazhdueshëm i Kartotekës së leksikut të Shqipes. Ndaj një drejtim i përhershëm i punës në leksikologji e leksikografi ka qenë e mbetet organizimi i ekspeditave leksikologjike në terren (ekspedita e parë është bërë në vitin 1958), në mbarë trojet kombëtare ku flitet gjuha shqipe (në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, në ngulimet arbëreshe në Itali apo ngulimet arvanitase në Greqi etj.).
Puna në terminologji organizohet në studime për termin dhe terminologjinë si dhe në hartimin e veprave terminografike (hartimin e fjalorëve terminologjikë të shqipes).
Puna në gjuhësinë e zbatuar organizohet në studime teorike sociolinguistike, psikolinguistike, të gjuhësisë së tekstit dhe të fushës së shkencave komunikative. Më konkretisht, disa nga studimet në këtë lëmë përqendrohen në çështje të dialekteve të shqipes, të përvetësimit të gjuhës së parë a të dytë, në çështje të politikave gjuhësore dhe të vlerësimit të aftësive gjuhësore në kontekste arsimore dhe klinike.