Departamenti i Studimeve Letrare

 

Informacion

Detyrë dhe fushë parësore në studimet e Departamentit të Studimeve Letrare është vlerësimi dhe rivlerësimi sistematik prapavajtës i procesit letrar, prej fillimeve deri në kohët moderne; duke nisur prej shkrimeve më të hershme shqip deri tek zhvillimet bashkëkohore, nëpërmjet artikujve dhe studimeve, monografive, projekteve kombëtare dhe ndërkombëtare.

Departamenti i Studimeve Letrare ka në përgjegjësinë e tij zgjidhjen e problemeve që dalin vazhdimisht para shkencës së historishkrimit të letërsisë, si periodizimi i letërsisë; karakterizimi i përgjithshëm i periudhave, zhvillimeve, dukurive, prirjeve, protagonistëve, veprave dhe përgjithësisht rrjedhave letrare; rinjohja e traditës dhe trashëgimit letrar në procesin e pasurimit të burimeve dhe të zgjerimit të mundësive metodologjike; krahasimi i këtyre me zhvillime të ngjashme në kohë e në hapësirë, në kuadrin ndërballkanik e europian, identifikimi i cilësive lokale të zhvillimit të letërsisë shqipe dhe i rrethanave që kanë përcaktuar këtë origjinalitet (duke përfshirë dhe shmangiet objektive prej kronologjisë dhe simetrisë në historinë botërore të letërsisë); roli i letërsisë shqipe në promovimin e identitetit europian dhe kombëtar të shqiptarëve, në zhvillimin dhe përurimin e gjuhës dhe të qytetërimit të tyre; rëndësia e saj si pasuri shpirtërore e popullit që e trashëgon.

Ndër objektivat funksionale të Departamentit të Studimeve Letrare është gjithashtu zgjidhja e detyrave të njohjes dhe rinjohjes së çdo periudhe letrare, personaliteti, vepre, prurjeje, ndikimi, origjinaliteti; duke përfshirë përballimin me mendim kritik të debateve të paevitueshme që dalin herë pas here prej shkaqesh letrare e joletrare, si: karakteri humanist i letërsisë më të vjetër, gjeneralizimi i romantizmit si rrymë hegjemone në periudhën e Rilindjes; vendi i letërsisë qëllimore nëpër kohëra; shthurja e romantizmit dhe fillimi i integrimit të letërsisë shqipe në rrjedhat europiane; shthurja e realizmit socialist dhe refuzimi estetik i tij etj.

Këto detyra nënkuptojnë botimin e një tribune të vijueshme periodike për shprehjen e mendimit shkencor të punonjësve të këtij departamenti; botimin e akteve të studimeve të përbashkëta; studimet monografike; botimin kritik-filologjik të traditës; studimet krahasimtare.

Departamenti i Studimeve Letrare synon gjithashtu të ndjekë zhvillimet bashkëkohore në letërsi, identifikimin e prirjeve më të shëndetshme estetikisht të tyre në mënyrë që të ndikojë në formimin e shijeve letrare-estetike dhe sidomos në përzgjedhjen e vlerave estetike më të reja, të shtrojë dhe të zgjidhë çështje të karakterit teorik-estetik; të sistemojë dhe të programojë për nevoja universitare e më gjerë historinë e mendimit letrar-estetik shqiptar prej fillimeve deri më sot.

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL