Artur Lama ka mbaruar studimet universitare në degën gjuhë shqipe dhe letërsi fillimisht në Institutin e Lartë Pedagogjik të Elbasanit, në vitin 1984 dhe në vijim, në vitin 1992, në Universitetin e Gjirokastrës. Studimet i ka përfunduar me rezultate shumë të larta. Në vitin akademik 1990 – 1991, ndoqi studimet e thelluara pasuniversitare në kursin e gjuhës shqipe, pranë Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, Universiteti i Tiranës, të cilat i mbaroi shkëlqyeshëm.
Ka punuar disa vjet si mësues i gjuhës shqipe dhe i letërsisë, si metodist i gjuhës shqipe në Kabinetin pedagogjik dhe kryeinspektor i ndihmës e i kontrollit në Drejtorinë arsimore të rrethit të Tepelenës. Ndërkohë u mor me hulumtimin e pasurisë së ligjërimit popullor të Jugut, me mbledhjen e lëndës leksikore e frazeologjike në kodet poetike të kësaj treve. Që prej vitit 1999 vendos lidhje me disa nga punonjësit shkencorë të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, duke qenë edhe bashkëpunëtor i jashtëm i këtij institucioni.
Në periudhën 1 tetor 1994 – 31 janar 2016 punon si pedagog në Universitetin “Eqrem Çabej”, Gjirokastër. Në muajin shkurt 2016 fillon punën pranë Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, sot Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Akademia e Studimeve Albanologjike, ku vazhdon të punojë edhe tani. Puna tij vijon të orientohet te vlerat e fjalës shqipe në ligjërimin popullor e në të folmet e shqipes, në ligjërimin politik e artistik, si dhe në lematizimin e visarit leksikor të shqipes.
Ka qenë në organet drejtuese në Universitetin e Gjirokastrës (përgjegjës i Departamenti të gjuhës shqipe e të letërsisë, anëtar i Fakultetit të edukimit e të shkencave shoqërore, anëtar i senatit), si dhe në IGJL, në periudhën janar 2019 – qershor 2021 (ka qenë përgjegjësi në detyrë i departamentit të Leksikologjisë, terminologjisë e gjuhësisë së zbatuar).
Që nga 9 shtatorit 2021 është drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, anëtar i senatit të ASA-s, kryeredaktor i revistës “Studime filologjike”.
Ka mbrojtur doktoratën në gjuhësi në vitin 1999 dhe ka fituar titujt akademikë profesor i asociuar (2003) dhe profesor (2013). Ka bërë specializime shkencore për gjuhësi në universitete të njohura në Greqi dhe në Francë.
Ka dhënë dhe jep mësim në disa universitete të vendit, si në UT, UGj, UDr në nivel bachelor, master. Gjatë veprimtarisë universitare, akademiko-mësimdhënëse ka qenë titullar për disa lëndë mësimore, si: leksikologji-semantikë e gjuhës shqipe, sociolinguistikë etj., si dhe ka qenë bashkëpunëtor në hartimin e përmirësimin e kurrikulave universitare për degën e gjuhës shqipe dhe të letërsisë.
Ka botuar një monografi “Leksiku poetik popullor i Jugut”, dy përmbledhje me artikuj studimorë “Pasuritë e ligjërimit popullor” (vështrime leksikore e sociolinguistike), një fjalor me pasuri leksikore nga ligjërimi popullor e i kultivuar i Jugut (me një studim hyrës). Ka marrë pjesë me kumtesa në dhjetëra veprimtari kombëtare dhe ndërkombëtare, brenda dhe jashtë vendit. Ka organizuar disa konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare. Aktualisht po punon në disa projekte kombëtare, më të rëndësishëm prej të cilëve janë: krijimi i korpusit (database-it) të shqipes dhe hartimi i fjalorit të madh të gjuhës shqipe.
Ka udhëhequr disa studentë në programin mësimor “master shkencor” e doktorantë, me punime nga fusha e leksikologjisë, e semantikës dhe e sociolinguistikës që janë dhe fushat e tij kryesore të kërkimit shkencor.
1972 – 1990: Akad. Androkli Kostallari
1990 – 1993: Prof. dr. Jorgo Bulo
1993 – 1997: Prof. dr. Bahri Beci
1997 – 2008: Prof. dr. Jorgo Bulo
2008 – 2012: Prof. dr. Enver Muhametaj
2012 – 2021: Prof. dr. Valter Memisha
2021 e në vazhdim: Prof. dr. Artur Lama