Dr. Agron Mesi

jjjj

Shkarko CV

Dr. Agron Mesi është kërkues shkencor pranë Departamentit të Studimeve të Artit, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, Akademia e Studimeve Albanologjike, Tiranë.

U lind në Shkodër më 1964. Eshtë diplomuar për pikturë-grafikë pranë Institutit të Lartë të Arteve të Tiranës (sot Universiteti i Arteve) më 1987. Menjëherë pas mbarimit të studimeve ka punuar për disa vjet si piktor-filmi pranë Kinostudios Shqipëria e Re në Tiranë dhe në vazhdim si mësues i edukimit artistik në Licetë e Shkodrës dhe të Tiranës, deri në vitin 2007. Që prej asaj kohe deri në vitin 2018 punon si pedagog i brendshëm i kurikulës së edukimit artistik në Universitetin e Polisit të Tiranës, pranë Departamentit të Arkitekturës, Dizajnit dhe Artit. Më 2018 dhe aktualisht vazhdon punën pedagogjike në këtë instuticion të arsimit të larte privat si pedagog i jashtëm.

Më 2018 mbron titullin Doktor i shkencave pranë  Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, Akademia e Studimeve Albanologjike, Tiranë, me punimin doktoral me fokus interferimet ideologjike dhe modelet kulturore Lindore dhe Perëndimore që orientuan dhe i dhanë formë kulturës materiale shqiptare përgjatë shek. të XX. Ndërkohë fillon punën në pozicionin e kërkuesit shkencor  pranë Departamentit të Studimeve të Artit, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, Akademia e Studimeve Albanologjike, Tiranë.

Aspektet kryesore të interesit kërkimor shkencor të tij janë dukuritë e shfaqura në arkitekturë, në dizajn dhe në artin pamor përgjatë periudhës së modernitetit shqiptar, të veshura fillimisht me petkun e pushtetit mbretëror dhe të atij kolonial fashist, gjatë gjysmës së parë të shek. XX, e në vazhdim me atë totalitar komunist, për të ardhur deri në këtë fundshekull, e emërtuar si periudha postkomuniste apo demokratike e pluraliste dhe tek dukuritë kozmopolite globale të shfaqura në realitetin kulturor e urban shqiptar të kësaj kohe.

Agron Mesi është gjithashtu një artist vizual me aktivitet të pasur artistik në këtë fushë, debutues në skenën e djeshme dhe atë të sotme kulturore, si dhe fitues i disa çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare të fushës së arteve pamore, konkretisht fitues i “Çmimit ndërkombëtar Marubi” 2004 – Tiranë; i ”Çmimit ndërkombëtar Grand Diploma” në Bienalen e Grafikës 2004 – Tuzla, Bosnje Hercegovinë; i “Çmimit kombëtar  Ilustratori Grafik i vitit”, në Panairin kombëtar të Llibrit 2006 – Tiranë.

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL