Flamuri i Kongresit të Lushnjes

7 Qershor, 2012 Fondet arkeologjike

U IDENTIFIKUA FLAMURI I KONGRESIT TË LUSHNJES

Me datë 25 nëntor 2011 në Fondin Etnografik të Qendrës së Studimeve Albanologjike u identifikua flamuri i Kongresit të Lushnjes. Flamuri është realizuar në një pëlhurë mëndafshi, apo taftaje, (mëndafshi artificial prej ksantoceluloze), por që akoma nuk është analizuar. Ai është i kuq dhe ka në qendër shqiponjën me dy krerë, e stilizuar në formën e shqiponjës së përdorur në atë kohë dhe e ngjashme si ide me atë të flamurit të pavarsisë, kur akoma nuk ishte zyrtarizuar forma e shqiponjës në flamurin kombëtar. 

Shqiponja është realizuar në një pëlhurë të mëndafshtë që është qepur mbi pëlhurën e kuqe. Në njërën anë të flamurit ka tre unaza metalike, që shërbenin për ta lidhur flamurin në shkop.

 Dimensionet e flamurit janë:

Gjatësia 121 cm.

Gjerësia 70 cm.

 

 

 

 

 

 

Akoma nuk e dimë se kush e ideoi përdorimin e këtij flamuri dhe kush e vulosi. Kjo duhet kërkuar në emrat e Komisionit Organizator të Mbledhjes Kombëtre, që ishin patriotët Eshref Frashëri, Sheh Ibrahim Karbunara, (drejtuesi i komisonit), Ferid Bej Vokopola dhe Nebi Sefa. Kjo bazuar në Izet Shehu, Trajtesë për Kongresin Kombëtar të Lushnjes, 22 janar 2011. Sipas Valentina Dukës, në Histori e Shqipërisë 1912-2000, Tiranë 2007, faqe 111, përmenden emrat e disa patriotëve të tjerë që u përpoqën për thirrjen e Kongresit të Lushnjes, si Aqif Pashë Biҫaku, Iljaz Bej Vrioni, Ahmet Zogu, Abdi Toptani, Ali Bej Këlcyra, etj. Pikerisht kjo na shtyn qe te hedhim mendimin per studime te metejshme dhe te detajuara per te plotesuar skeden historike te ketij flamuri. Do të duhet të përmendim këtu disa raste të ekzistencës së disa flamujve të tjerë, që lidhen me Kongresin e Lushnjes.

Në Muzeun Historik Kombëtar është i ekspozuar një flamur, i vogël për nga dimensionet, i cili është përdorur si flamur tavoline gjatë zhvillimit të punimeve të kongresit. Vetë Muzeu i Kongresit të Lushnjes ruan në arkivin e vet dy flamuj, shumë të dëmtuar, të cilët kanë të shkruar me bojë, e me dorë të lirë, “21.I.1920, Mbl.kob.Lushnje” dhe tek tjetri: “21.I.1920”. Këto dy shkrime, të shkruar keq, e keq dhe me gabime ortografike, të bëjnë të dyshosh se mund të jenë zyrtarë. Por ka edhe dy fakte të tjera shumë kompromentuese për origjinalitetin e tyre dhe përkatësisë për këtë ngjarje.

  • E para. Forma e shqiponjës nuk është ajo e asaj kohe, por shumë më e vonshme.
  • E dyta. Në shiritin e bardhe ku kalonte litari është stampuar me bojë të zezë TORINO. Ka edhe disa gërma të tjera.

Pra këta janë flamuj të mëvonshëm nga kjo ngjarje, të stampuar në Itali. Ndërsa flamuri që ruhet në fondin etnografik të QSA është një flamur i zyrtarizuar me vulë. Nga ana tjetër ai duhet të vijë nga Biblioteka dhe Muzeu Kombëtar, siҫ kanë ardhur edhe flamuj të tjerë historikë, të grumbulluar në bazë të kritereve muzeale. Ai është bërë pjesë e fondit etnografik në vitin 1946, kur objektet e Muzeut Kombëtar i u dorëzuan Institutit të Shkencave.

Faqe / Page: 12
2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL