Mbahet ligjërata “Mesapët: Ilirët e Italisë?”

12 Prill, 2022 Njoftime
Prof. Jean-Luc Lamboley mbajti sot një ligjëratë bazuar në tezat mbi mesapët si ilirët e Italisë. Që prej vitit 1994, aktiviteti shkencor i Prof. Lamboley është ngushtësisht i lidhur me territoret tona. Kjo trajektore ka nisur me kërkimet dhe studimet diakronike rreth popullsive indigjene të jugut të Italisë, veçanërisht atyre të përqendruara rreth zonës së Salentos, në brigjet perëndimore të Adriatikut; më pas kërkimet vijuan në terriorin tonë, në brigjet lindore të Adriatikut, në tokë ilire, për t’u zhvendosur paralelisht, edhe në Kosovë, në Dardaninë antike, duke e bërë kështu Prof. Lamboley më shqiptarin, jo vetëm ndër kolegët francezë, por edhe kolegët e huaj në përgjithësi, që kanë punuar e punojnë në territoret tona.
Kontributi i tij shtrihet në njohjen dhe studimin e pasurisë arkeologjike – veçanërisht me kërkimet shumëvjeçare në Apolloninë e Ilirisë, promovimin e kësaj pasurie; në bashkëorganizimin e 3 prej edicioneve të simpoziumit nderkombëtar Iliria e Jugut dhe Epirit në Antikitet. Çdo gjashtë vjet, kjo veprimtari e rëndësishme bën bashkë tërësinë e komunitetit shkencor që punon në Ballkan, me kërkimet që shtrihen nga periudha para dhe proto-historike, deri në mesjetën e hershme bizantine. Iliria e Jugut dhe Epirit në antikitet është simpoziumi i vetëm në këtë fushë dhe bashkon studiues nga vendet e Ballkanit, studiues evropianë dhe amerikanë që punojnë në projektet ndërkombëtare. Edicioni i fundit, i VI-ti u mbajt në Tiranë, në vitit 2015, aktet e tij dolën nga shtypi në vitin 2018.
Prof. Lamboley ka një kontribut të madh në mbështetje të shumë studiuesve të rinj të Shqiërisë e të Kosovës, me mundësi studimesh të thelluara dhe doktorature.
Në vitin 2013, për kontributin e tij të vyer në kërkimet dhe studimet arkeologjike dhe në formimin e brezit të ri, atëherë Qendra e studimeve Albanologjike e vlerësoi Prof. Lamboley me çmimin e Albanologjisë; ndërsa në vitin 2017, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, i akordoi çmimin «Shjefën Gjeçovi», me motivacionin “Për merita të veçanta në fushën e trashëgimisë kulturore”.
Aktiviteti i sotshëm u organizua nga Instituti i Arkeologjisë (Akademia e Studimeve Albanologjike).
2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL