Dr. Jonusi, kthim në familje

25 Nëntor, 2021 Njoftime
Kthim në familjen profesionale e quajti rektori Luan Përzhita botimin e veprës “Topografia dhe rrjeta e rrugëvet të Shqipnis në kohët e vjetra” (Botimet Onufri, 2021) të Tahsin Jonusit.
 
 
Dr. Jonusi e shkroi këtë vepër si tezë doktorale në Universitetin “Leopoldina Fransiscea”, në Insbruk, në vitin 1937.
Në ceremoninë e mbrëshme, në Muzeun e Arkeologjisë u ndje dëshira dhe domosdoshmëria për të nderuar kontributin e mohuar të një individi për 45 vjet nën diktaturë, për shkak të origjinës së tij familjare, dhe për 30 vjet në tranzicion, për shkaqe komplekse të zhvillimit të shoqërisë shqiptare.
 
 
Prof. as. dr. Belisa Muka tha se secili prej kapitujve të këtij studimi mbi vendndodhjet, lumenjtë, liqenet, krahinat, fiset, Rrugën Egnatia, mund të përbënte një studim më vete, parë nga perspektivat e sotme. Por në kohën kur shkruhej ky punim arkeologjia shqiptare nuk ishte akoma shkencë, dhe kur dr. Jonusi u përfshi në këto punë, jeta e tij u ndërpre tragjikisht.
 
 
Përkthyesit Frida Vokopola Gjoka dhe Albert Gjoka, pa mundur t’i fshehin emocionet, kujtuan se dr. Jonusi “me të dhënat e autorëve të lashtë e modernë, me hulumtimet e tij të kryera në vend dhe me një bibliografi jashtëzakonisht të pasur, jep një kontribut të madh në shkencën e albanologjisë”. Ata e kanë ndjerë sjelljen në shqip të kësaj vepre si “një detyrë humane ndaj padrejtësive të kohës”.
 
 
 
Janë rreth 70 autorë të shfrytëzuar e të cituar që përbëjnë bibliografinë e punimit dhe 1145 referenca. Studiuesi i sotëm që i ka në tryezë mjetet dhe teknologjinë moderne për kërkim shkencor, vetëm mund ta marrë me mend se çfarë pune kolosale i është dashur të bëjë ky i ri në vitin 1937.
 
 
Prof. Përparim Kabo, autor i parathënies dhe një nga njerëzit që çoi përpara përkthimin dhe botimin e kësaj vepre, ndau me të pranishmit përjetimet e leximit. Kur ke në duar “Topografinë…” kupton se “historia është jo vetëm lokale, e mbyllur dhe episodike. Më së shumti ajo ngërthen ngjarje dhe raporte rajonale e kontinentale. Interesat, pushtimet, rrëmbimi i pasurive të të tjerëve, zgjerimi i kufijve, si edhe fitoret në fushat e betejës, kanë bërë që në historinë e lashtë dhe atë të mesjetës, të kemi praninë e teatrove të ngjarjeve në kufijtë e zotërimit dhe jo në qendrat imperiale”.
 
 
Nëpër këto rrjedha të kohës, Shqipëria ka humbur një pjesë të thesarit topografik, siç vëren dr. Jonusi në punimin e tij shkencor. “Qytete të tëra janë shkatërruar plotësisht dhe janë zhytur në tisin e harresës, emrat e vendeve janë ndryshuar, gjë që solli pak nga pak edhe ndërprerjen e rrjedhës së historisë”. Dr. Jonusi flet për nevojën e një shkence të dërgjegjshme shqiptare, që vetes t’i shpallë për mision qartësimin e situatës së vendbanimeve në periudhën kur vendi hyri për herë të parë në dritën e historisë.
 
2017 © AKADEMIA E STUDIMEVE ALBANOLOGJIKE. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA.