Instituti i Arkeologjisë nënshkruan për Butrintin

18 Nëntor, 2021 Njoftime

Më 16 nëntor në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit u nënshkrua Marrëveshja e Administrimit të Pasurisë Kulturore të Butrintit, midis Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit. 

Marrëveshja u nënshkrua nga Ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe bashkë-drejtorët ekzekutivë të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Martin Mata dhe Aleksandër Sarapuli.
Si pjesë e kësaj Marrëveshjeje, u firmos Protokolli i Bashkëpunimit midis Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit dhe Institutit të Arkeologjisë të përfaqësuar nga prof. asoc. dr. Belisa Muka. I pranishëm ishte edhe rektori i ASA-së, Luan Përzhita.


Instituti i Arkeologjisë, pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, është zëri i ekspertizës për sa kohë kjo pasuri botërore e njerëzimit, nën mbrojtjen e UNESCO-s, do të jetë edhe qendër e rëndësishme arkeologjike, monumentale ku gërmohet, restaurohet dhe konservohet.
Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, me anë të kryetarit Michael D. Granoff, premtoi një model të ri menaxhimi për Butrintin që “do të shërbejë në vitet e ardhshme si model referencë për sitet e tjera të UNESCO-s në botë”!

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL