Gërmime arkeologjike në Shtyllas

18 Tetor, 2021 Njoftime

Në periudhën 20 shtator-15 tetor 2021 u zhvilluan gërmimet e projektit “Shtyllas”, nën drejtimin e Prof. Dr. Bashkim Lahit, IA, Tiranë dhe Dr. M.Fiedler, Universiteti Humbold, Berlin, me mbështetjen financiare të Regula Pestalozzi Stiftung dhe programit Erasmus.

Gërmimet kishin për qëllim të sqaronin disa elemente të planimetrisë, si dhe të verifikonin gjendjen e ruajtjes së kolonës. Për këtë qellim, pas pastrimit të sondazheve të vjetra, në krahun JL dhe rrëzë kolonës, gërmimi u thellua deri në tabanin natyror. Gjatë gërmimit u zbuluan blloqe gurësh in situ, përmes të cilëve përcaktohet qartë linja e korridorit të kolonave të monumentit. Në një sondazh të ri, në krahun VL të tempullit u dokumentuan për herë të parë gjurmë të murit lindor të celës.

Gjatë gërmimit u gjetën mjaft elemente ndërtimore të fragmentuar, kryesisht pjesë të frizit, të cilat do të ndihmojnë në rikonstruksionin grafik të tempullit. Gjetje relativisht të shumta të tjegullave prej balte dhe më pak prej mermeri, i përkasin çatisë së shkatërruar të tempullit, ndërsa qeramika e përdorimit të përditshëm është e rrallë. Rezultatet e përftuara në këto sondazhe ofrojnë mundësi për të kuptuar më mirë planimetrinë e tempullit si dhe hapin perspektiva të reja për gërmimet e ardhshme. Gjatë kësaj fushate u konstatua se, kolona e vetme e ruajtur e tempullit ka nevojë për ndërhyrje urgjente konservuese dhe restauruese, çka mbetet një nga detyrat kryesore për fushatat e ardhshme.

2024 © Institutet dhe qendrat e Albanologjisë. TË GJITHA TË DREJTAT TË REZERVUARA. POWERED BY WEBART.AL